Platforma e Bashkëqeverisjes dhe moskuptimi i ironizuesve të saj

31 Janar 2019, 21:30Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Një nga “shpikjet” më interesante që kryeministri Rama solli në mënyrën e ndërlidhjes aktive  midis institucioneve të shtetit dhe publikut anembanë, është edhe Platforma e Bashkëqeverisjes me qytetarin. Pas një eksperience të suksesshme që ish-kryebashkiaku Rama pati në bashkinë e Tiranës, ku trajtonte çdo vit me mijëra ankesa në formë shkresore e ku mandati i tij mbahet mend për korrektësinë për t’iu përgjigjur me zgjidhje (aty ku ishte e mundur) çdo letre, tashmë ai, në rolin e kryeministrit, e dinte se kjo mënyrë funksionimi s’mund të ecte më në atë formë. Jetojmë në kohën e teknologjisë së lartë, ku bota e përparuar po shkon drejt digjitalizimit të plotë të shërbimeve, e jo krijimit të stoqeve me letra nga populli që nuk marrin as drejtim e as zgjidhje.

Që me ngritjen e kësaj Platforme, pati zëra ironizues e përçmues, pati edhe mosbesues në suksesin e saj dhe këtu jemi brenda një normaliteti të pranueshëm. Por, vihet re se, ndonëse kjo Platformë po jep rezultat, ka ende zëra, edhe nga intelektualë, që e nënvleftësojnë atë. Jo vetëm kaq, por sukseset e Platformës i ballafaqojnë si dështim i nëpunësve të administratës.

Në fakt, duhet të kesh punuar vetë në administratë, jo sot, por të paktën këtu e 20 vjet, që ta kuptosh që kjo platformë digjitale s’është gjë tjetër veçse kalimi nga ankesa me letër dore, drejt formatit elektronik.

Çështja  letrave nga populli është e vjetër sa vetë jeta e shtetit dhe nuk lindi sot nën qeverisjen e Ramës. Ai kuptoi që letrat që vinin në formën e vjetër humbnin e nuk merrnin kurrë zgjidhje. Pak a shumë skema ka funksionuar kështu:

Një qytetar, pasi kishte një problem me një institucion të caktuar, i drejtonte titullarit një letër. Titullari, në rastin më të keq nuk i kthente përgjigje, kurse në rastin më të mirë i kthente një përgjigje pa zgjidhje. Qytetari në fjalë, i pakënaqur nga përgjigja, ankohet për zgjidhje tek institucioni epror që mund të jetë ministria. Personi përgjegjës në ministri, pasi njihet me ankesën, ia delegon për zgjidhje institucionit që nuk i kishte dhënë zgjidhje qytetarit. Titullari i atij institucioni i dërgonte ministrisë të njëjtën përgjigje që i kishte dhënë qytetarit dhe ministria i dërgonte qytetarit po atë përgjigje që ai kishte marrë më herët. Ky pastaj e dërgonte ankesën në kryeministri e cila ia përcillte për kompetencë ministrisë, që kjo t’ia niste institucionit, e ky i fundit t’i jepte të njëjtën përgjigje pa zgjidhje qytetarit.

Këtu jemi në kushtet kur hallkat e zinxhirit kanë funksionuar normalisht, pavarësisht se qytetari nuk gjeti zgjidhje. Se qëllonte që letër ankesa të kishte humbur edhe tek posta e të mos kishte shkuar në destinacion, mund të ishte neglizhuar edhe tek protokolli i institucionit e të ishte hedhur në ndonjë cep pa u protokolluar, e shumë mënyra të tjera që çdokush i ka hasur vetë ndër vite.

Çfarë ka ndodhur realisht me kryerjen e kësaj praktike në formë digjitale.

Së pari, çdo qytetar është i identifikuar dhe s’është kurrë anonim, ku dihet që në kushte të tilla shkruhen edhe shpifje e intriga për të dëmtuar dikë me qëllim.

Së dyti, forma elektronike shmang shkrimin e dorës që rastis të jetë i pakuptueshëm, si dhe të jep mundësinë të ngarkosh edhe dokumente në format audio e video.

Së treti, elektronika të jep mundësinë që të lësh gjurmë, sepse evidentohet në çast, data, ora dhe minuta kur është kryer ankesa dhe që nga ai çast nis numërimi mbrapsht për të gjithë nëpunësit që duhet t’i japin zgjidhje problemit brenda 10 ditëve punë.

Kjo platformë ka dhënë edhe një rezultat pozitiv, sepse po i bën më të përgjegjshëm zyrtarët kur janë përballë halleve e problemeve të qytetarëve. Çdonjëri prej tyre e di se pas çdo sorollatje qytetari është dikush atje lart që do e kontaktojë e do t’i kërkojë llogari për këtë gjë. E, nëse rezulton se ka qenë e qëllimshme a për mungesë profesionalizmi, është i ndërgjegjshëm që rrezikon edhe vendin e punës, siç ka ndodhur në plot raste.

Duhet të jesh naiv nëse mendon se do ngresh një armatë me 100 mijë nëpunës që i japin zgjidhje pa sorollatje çdo qytetari. Ka mes tyre plot të aftë e të përkushtuar që e trajtojnë qytetarin me dinjitet, ashtu sikurse ka edhe tipa me karakter të dobët që e shfaqin dyfytyrësinë e tyre pikërisht tek ai hallexhiu që i troket në derë a sportel. E, këta të dytët, është shumë e vështirë t’i identifikosh në rast se nuk është dikush që të sinjalizon. Me fjalë është e lehtë ta thuash këtë, por kur vjen puna tek konkretizimi në terren, është një ndërmarrje shumë e vështirë.

Prandaj, askush të mos krijojë iluzione të gabuara se po të mos ishte Platforma e Bashkëqeverisjes, nuk do të kishte ankesa. Ato kanë ekzistuar në çdo kohë qeverisjeje, por nuk dilnin në pah pasi nuk trajtoheshin në publik me këtë seriozitet e vendosmëri që po trajtohen sot.

Qytetari ankohet edhe kur nuk ka fare të drejtë, sepse në botëkuptimin e vet e drejta është në anën e tij. Edhe po ta heqësh Platformën sot, ai sërish do ankohet, qoftë edhe kot, për ta hequr merakun nga vetja, për ta bërë atë përçapjen që të mos i ngeli pishman. Në këto kushte, kjo mazhorancë duhet falënderuar që diti të gjejë një mënyrë të dobishme për t’u dhënë zgjidhje problemeve që qytetarët hasin çdo ditë.

Kjo Platformë ka edhe diçka tjetër pozitive, sepse duke qenë elektronike, shërben edhe si sondazh për të matur, si sasinë e ankesave, si llojshmërinë e problematikave, si mënyrat e zgjidhjeve, ashtu edhe nivelin e përgjithshëm të funksionimit të administratës. Kjo sjell më pas edhe marrjen e masave adekuate që çon në minimizimin e problematikave. Në formatin e vjetër shkresor, kjo s’do ishte kurrë e mundur. Prandaj është koha që qytetarët të inkurajohen ta përdorin Platformën e Bashkëqeverisjes si një mundësi e shkëlqyer që shkurton kohë për ta, pse jo edhe vlera monetare. Çdo trajtim ndryshe s’do bënte gjë tjetër veçse do na rikthente prapa në kohë, tek boja e letra, ku hallet e qytetarëve merrnin zgjidhje si në kalendat greke.(TemA)

4 komente në “Platforma e Bashkëqeverisjes dhe moskuptimi i ironizuesve të saj”

  1. Flutura says:

    ..dhe tek korrupsioni…

  2. romeo says:

    Dukesh qe je i pa afte per ta kuptuar rrezikshmerine e funksionimit te te ashtuquajtures “bashkeqeverisje me qytetaret”!
    Se pari vete fjala e perdorur do te thote qe e gjithe administrata publike duhet te jete e predispozuar ta konsideroje qytetarin si pjese e sovranit me voten e te ciliit ai rrogtar eshte ne ate pune!
    Duke e pare si te tille ai do punoje qe jo vetem te mos i beje padrejtesi,ta zvarrite apo edhe te mos i kerkoje rushfet,por t’i kryeje pune brenda kohes se caktuar dhe me saktesi sipas ligjeve!
    Ne se qytetari ankohet,rrogtari ka per detyre ta sqaroje ate me edukate, duke i bere arsyetime te legjislacionit perkates!
    Ne se po\rap qytetari nuk eshte i bindur ai mund t’i drejtohet per ankim ne takim direkt tek eprori i ketij rrogtari qe eshte po ne ate institucion!
    Pritja ne moment nga eprori dhe sqarimi i qytretarit nga ai ben te mundur jo vetem kryerjen e sherbimit ndaj qytetarit,por eprori i tij njihet edhe me aftesine ne detyre te vartesit te tij!
    Ne se qytetari nuk eshte dakort me zgjidhjen e dhene ai mund t’i drejtohet perseri eprorit te nje shkalle me te larte i cili duke e pritur,degjuar dhe arsyetuar mbi ankesen njekohesisht e zgjidh ate,por edhe kontroillon aftesine e vartesve te tij me poshte!
    Ne se vartesit e tij kane gabuar,ai pervec zgjidhjes se ankeses merr masa disiplinore ndaj tyre,pra njeh direkt realitetin ne pune!
    Keshtu munbd te shkohet deri ne kryeministri,por nuk eshte e thene qe te gjitha ankesat do te shkojne deri lart sepse ne se rrogtaret e dine qe qytetaret po u ankuan ndaj tyre edhe do te ndesghkohen ne rast shkeleje,atehere nuk do arrijne te zvarritin qytetaret!
    Kjo doi t’i beje rrogtaret me te pergjegjshem per punen dhe do ta shohin qytetarin jo vetem si sovran,por edhe si kontrollues e vleresues te punes se tyre,gje qe kurre nuk e ben dot asnje minister apo kryeminister!
    Kjo forme e hershme dhe shume efikase ve ne levizje te gjithe administraten dhe nuk e le te korruptohet!
    Viktima e pare dhe e vetme e korrupsionit jane qytetaret dhe trajtimi i ankesave te tyre nga te gjithe zyrtaret e shtetit apo bashkive duhet te jete detyre paresore,ndryshe bashkeqeverisja eshte mashtrim!
    Sipas kryeministrit edhe propagandohet bashkeqeverisje me qytetraret edhe kjo u privohet qytetareve e drejta e ankeses atje ku lind konflikti e jo ne kryeministri!
    Arsyetimi qe ben autori Ketro se ne kryeministri zgjidhen me mire ankesat eshte nje mashtrim dhe tregon se ai jo vetem nuk njeh praktiken me te sakte te maredhenieve shtet-qytetar,por vihet ne sherbim te nje shteti jo ligjor!
    Perfundimisht sot ne Shqiperi shteti ligjor ka marre fund,korrupsioni eshte mbuluar qe nga kryeministri dhe administrata ka dale jashte loje!
    Rama e ka pranuar vete se bashkeqeverisjen e ka krijuar,se administrata shteterore dhe vendore nuk u zgjidh fare ankesat!
    Me shqip se kaq nuk ka dhe ti zoti Ketro mos shkruaj ne se nuk e njeh asgje per te cilin shkruan!

  3. Piro says:

    Ha ha ha ha ha haaaaa!
    Ate nuk e qasnin tek porta,ai kerkonte te bijen e mbretit per grua!
    A e kupton cfare mufkash ke shkruar o autor?
    Sipas teje Rama po qeveris bashke me qytetaret!
    Qe do te thote se ai para se te vendose te beje nje gje do pyese qytetaret,do konsultohet me specialistet e fushave,do pyese opoziten dhe ne fund do vendose!
    Kur ka ndodhur kjo gje qofte edhe nje rast te vetem?
    Kurre!
    Rama eshte nje diktator i ndyre qe kurre nuk pranon keshilla,kritika apo akuza si per vete apo edhe per qeverisjen e tij!
    Ai kurre nuk ka bere dialog me asnje!
    Rama merr vesh vetem me gjuhen e protestave!
    E pate qe si u be si legen gjate protestave me Ermalin?
    Ja ky eshte “trimi” Rama!
    Ai eshte frikacaku me i madh ne vend,por e perdor pushtetin me arrogance!

  4. Valbona lami says:

    Persh ZRama urime per punen e mir tuajen dhe te stafit tuaj.Jam nje zonj nen e nje studentje qe prej 2 vjetesh qe ka mbaruar studimet e larta dhe master me 9.93 mesatare akoma e pa punesuar.Duke besuar ne premtimet tuaja ka shkruar shum here me portal por asnje pergj cila do qoft ajo.ZRama rinia dhe vajza ime beson dhe vlerson shum serjzitetin e punes dhe fjales tuaj prandaj ju lutem merrni ne konsiderat kerkesat e rinis.Ju falenderoj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje