Ekskluzive / Libri i Kaloçit, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, Publikohet raport-informacioni sekret i 28 majit 1973, drejtuar Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, për problemet e dramaturgjisë që ishin diskutuar në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku midis të tjerash thuhej se: “Fadil Paçrami i thonte Teatrit Popullor, ‘Mjaft tani me qeleshe e çakçirë’, dhe s’nguronte ta krahasonte atë me teatrin e jezuitëve”.
Nga Dashnor Kaloçi, TemA
Në kuadrin e mbledhjeve të shumta që u mbajtën gjatë gjithë vitit 1973 nga institucionet kulturore dhe artistike si në Tiranë ashtu dhe në të gjitha qytetet e mëdha të vëndit, gjë e cila siç kemi parë dhe në mjaft dokumente arkivore që publikohen në mjaft kapituj të këtij libri zhvilloheshin pas fjalës së Enver Hoxhës të mbajtur fillimisht me aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në muajin maj të atij viti organizoi një mbledhje të gjatë ku u morr në analizë dramaturgjia shqiptare. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, në këtë mbledhje ka qenë i deleguar nga aparati i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Jakup Mato, (instruktor për problemet e artit dhe kulturës), i cili ka bërë dhe raport-informacion, që më pas ia ka dërguar dy sekretarëve të Komitetit Qëndror, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë. Nga informacioni i Matos, raportin e asaj mbledhje e ka mbajtur, Dritëro Agolli, i cili në atë kohë sapo kishte ardhur në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, duke zëvëndësuar në atë funksion të lartë, Dhimitër Shuteriqin, akademikun, studjuesin dhe shkrimtarin e njohur, që ishte hequr “me ceremoni” nga kreu i Lidhjes, duke u konsideruar si një nga bashkëpunëtorët dhe mbështetësit kryesor të Fadil Paçramit. Po sipas raportit në fjalë, në atë mbledhje kanë diskutuar një numër shkrimtarësh apo kritikësh që kishin lëvruar më shumë në krijimtarinë e tyre, gjininë e dramës, si: Llazar Siliqi, Filip Ndocaj, Dalan Shapllo, Ramiz Lika, Kudret Velça, Kolë Jakova, Kujtim Spahivogli, Miho Gjini, Fatos Kongoli, Spiro Pone, Teodor Laço, Xhezair Abazi, Sulejman Mato dhe Ndrek Luca.
Ajo që vihet re në këtë raport-informacion, është fakti se Dritëro Agolli është treguar disi i butë në diskutimin e tij me kritikat ndaj kolegëve shkrimtarë dhe dramaturgë, (ndryshe nga raportet, informacionet apo diskutimet e tija të mbajtura para se të merrte kreun e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë), ku përveç Fadil Paçramit që ishte epiqendra e goditjes, ai ka përmëndur vetëm disa emra krijuesish, si Ibrahim Uruçi, Kujtim Spahivogli, Miho Gjini, Kleanthi Dusha, Kiço Blushi e ndonjë tjetër, të cilët me përjashtim të Blushit, të gjithë të tjerët përfunduan burgjeve dhe internimeve. Gjëja tjetër që vihet re në këtë raport-informacion, (gjë e cila vihet re dhe nga faksimilja përkatëse), është fakti se: ndryshe nga praktika normale e korrespodencës së aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së me institucionet kulturore dhe artistike që kishte në varësi, ku letrat apo raport-informacionet i dërgoheshin fillimisht Ramiz Alisë, që i mbulonte në rrugë partie ato dhe e kishte detyrë funksionale atë gjë, ky raport-informacion, i është dërguar fillimisht Hysni Kapos i cili mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit (Ministria e Brendëshme, Ministria e Mbrojtjes, Hetuesia, Prokuroria, Gjykatat, Sigurimin e Shtetit etj) dhe për dijeni Ramiz Alisë?! Gjë e cila po të “dëshifrohet”, nënkuptonte që dokumenti kishte mjaft prombleme, me të cilat tashmë duhej të merreshin organet kompetente qe mbulonte Hysni Kapo në rrugë partie si sekretar i Komitetit Qëndror. Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë, personat e kritikuar në atë raport, si Fadil Paçrami, Ibrahim Uruçi, Kujtim Spahivogli, Miho Gjini e Kleanthi Dusha, përfunduan burgjeve dhe internimeve. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të tjera të publikuar në kapitujt e tjerë të këtij libri, edhe ky botohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.
I N F O R M A C I O N
P E R D I S K U T I M I N M B I D R A M A T U R GJ I N E
Më 27 Prill, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve u zhvillua diskutimi mbi dramaturgjinë, nën dritën e fjalimeve të
fundit të shokut Enver. Në mbledhje morrën pjesë dramaturgë, shkrimtarë, kritikë, aktorë, regjizorë etj.
Diskututuan shokët Llazar Siliqi, Filip Ndocaj, Dalan Shapllo, Ramiz Lika, Kudret Velça, Kolë Jakova, Kujtim Spahivogli, Miho Gjini, Fatos Kongoli, Spiro Pone, Teodor Laço, Xhezair Abazi, Sulejman Mato dhe Ndrek Luca. Shoku Dritëro Agolli, bëri konkluzionet e mbledhjes.
Diskutuesit e ndryshëm vunë në dukje se, pavarsisht nga të metat, dramaturgjia jonë ka shënuar rezultate të mira. Dramaturgët tanë të udhëhequr nga mësimet e Partisë, kanë krijuar vepra të qëndrueshme ideo-estetike, të bukura dhe të partishme. “Të metat dhe gabimet e sotme’ tha Dritëro Agolli, nuk duhet të na bëjnë të mohojmë apo injorojmë vlerat që kemi krijuar gjatë këtyre viteve. Themelore është se dramaturgjia jonë ka qenë gjithmonë tendencioze, në kuptimin më të mirë të fjalës, në pozita të drejta të realizmit socialist dhe ka pasqyruar në tërësinë e saj ato problem që i ka nxjerrë në pah koha”.
Si në diskutimet dhe në konkluzione u vu në dukje se në vitet pas Kongresit V-të dolën mjaft drama që u bënin jehonë orientimeve të Partisë për pastrimin e rrugës së socializmit nga mbeturinat e huaja të botës së vjetër; të konservatorizmit, patriakalizmit, burokratizmit, qëndrimit regresiv ndaj gruas, forcave të errta që ndrydhin personalitetin e saj dhe ia pengonin emancipimin e plotë. Me këto tema panë dritën mjaft drama si: “Cuca e maleve”, “Flakë në shtëpi”, “Njerëz mbi shkëmb”, “Fytyra e dytë”, “Shtëpia në rrugicë”, “Fisheku në pajë”, “Mosha e bardhë”, etj. Në këto drama është thelluar vështrimi social dhe ka një analizë të drejtë klasore të këtyre fenomeneve. Një tjetër arritje e dramës sonë është vendosja e drejtë e raportit hero–masë. Heroi i dramës së viteve të fundit ka një lidhje të ngushtë me masën: veprimet e tija janë të diktuara nga idealet e tyre, nga kërkesat e tyre. Një realism tjetër është edhe zhvillimi i formës, zhdërvjelltësisë së saj, i kalimeve nga një situatë në një tjetër, pa nevojën e shumë hallkave narrative. Jo i vogël është fakti se ka pasur një përpjekje për ta pasqyruar heroizmin masiv dhe inisiativat e reja të masave, mjafton të përmëndim këtu “Heronjtë e Linasit”, “Çatia e të gjithëve”, apo “Njërëz mbi shkëmb”.
Me të drejtë u tha në diskutim (p.sh. nga Llazar Siliqi), se fillimet e dramaturgjisë sonë gjënden që në rradhën e aktorëve-partizanë gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, ndryshe nga ç’kanë dashur në mënyrë antishkencore të pretendojë ndonjë dramaturg apo studjues që fillimet e dramaturgjisë sonë të re, i ka lidhur me periudha shumë më të mëvonëshme.
Duke u ndalur në këto tipare të shëndosha dhe në këto arritje të suksesëshme të krijimtarisë dramaturgjike, diskutuesit u ndalën me të drejtë në ndikimet dhe shfaqjet e huaja negative që janë shfaqur këto vitet e fundit.
Krahas suksesve në rrugën e rritjes dhe të zhvillimit të mëtejshëm të dramaturgjisë sonë të re, u tha në mbledhje, gjejmë dhe dobësi, të meta dhe gabime. Kanë mbirë mjaft teorizime të paqëna, janë ngjitur në skenë dhe janë botuar drama me koncepte ideo-estetike regressive dhe ide të shtrembëra, që kanë errësuar realitetin tonë shoqëror, janë shkruar mjaft vepra dramatike të njëanëshme që e kanë luftuar konservatorimzin nga pozita liberale, është vënë re në disa pjesë një tematikë e ngushtë, janë dukur tendenca të veçanta të ilustrativizimit të jetës dhe konceptime të turbullta në formën dhe në mjetet e tjera artistike të ndërtimit të veprave dramatike. Mania për të gjuajtur drama “të reja”, la në harresë disa vepra që përbëjnë fondin e dramaturgjisë sonë.
Dobësitë në fushën e dramaturgjisë shfaqen në kufizimin e tematikës së veprave të këtyre viteve, në mbivlersimin e formës në dëm të brendisë në mjaft vepra të tjera, në nënvleftësimin e trashëgimisë dramaturgjik të gjeritanishme të realizmit socialist si dhe ndonjë dukuri tjetër që ka të bëjë me teorizime formaliste, antirealiste etj. Në këtë drejtim kanë ndikuar për keq sidomos koncepte të huaja, teorizimet e shtrembëra dhe dramat e Fadil Paçramit, rreth të cilave diskutuan mjaft shokë.
Me shumë të drejtë mbledhja dënoi qëndrimet nihiliste të Fadil Paçramit ndaj traditës sonë. Ai doli me tezat për një “teatër të ri”, për “eksperimentim”, “novatorizëm”, “guxim krijues”, dhe për “dramën debat”. Ai kërkonte jo vetëm një braktisje, por edhe një spostim të konflikteve. “Në skenat tona, shkruan Fadil Paçrami në parathënien e librit të tij, “Tri drama”, sundonte tema historike dhe konflikti mbetej kryesisht tek “ne dhe armiqtë”, sikur tema e sotme me konfliktet “në mes tonë”, të mos premtonin për skenë”! Duke e absolitizuar këtë mendim si një kundërvënie me dramën historike, të cilën e injoronte, konkretisht ai kalon në shkrimin e disa dramave ku konflikti ”në mes tonë” zbulohet shpesh si një kundërvënie brezash. Konfliktet në gjirin e popullit, të cilat janë të domosdoshme për dramën, ai i kuptonte vetëm si një ashpërsim gati antagoniste.
Duke mbajtur një qëndrim përbuzës për dramat tona që trajtonin temën e së kaluarës (para e pas Luftës Naciona-Çlirimtare), të cilat i quante “të vjetëruara” dhe “anakronike”, ai, me rastin e shfaqjes së dramës “Cuca e maleve”, i thonte Teatrit Popullor: “Mjaft tani me qeleshe e çakçirë”! dhe s’nguronte ta krahasonte atë me teatrin e jezuitëve. Teorizime të tilla çuan në krijimin e disa dramave aventureske, me karakter të theksuar anarqik. Në mënyrë të veçantë, Fadil Paçrami u bë zëdhënës i një teorie të tërë që absolutizonte elementin konvencional të artit dhe dramën e ktheu në një grumbull idesh e mendimesh që godasin sallën parreshtur. “Skena, shkruan ai, është një reaktor i madh atomik (idesh), që me izotopa (mendime), i cili vazhdon….” (“Tri drama”, Tiranë 1968). Pra, “proçesin e zbërthimit të mendimeve“ Fadil Paçrami e sheh në mes të spektatorëve dhe jo në skenë, nëpërmjet përmbajtjes së veprës.
Për të është e mjaftueshme vetëm të hidhen disa ide nga skena. “Autori–aprovonte pa të drejtë një kritik si Stavri Pone, me këtë rast–e vë theksin jo në ngjarjet, por në ndeshjen e ideve të heronjëve”. (“Drita”, 13 shkurt 1972). Rrjedhimisht ai solli në skenë një varg dramash të tilla të llojit “dramë debat’, që përdoreshin për të hedhur në skenë lloj-lloj idesh duke krijuar jo rrallë konfuzion mendimesh e konceptesh në mëndjet e spektatorëve. Por idetë dhe heronjtë e një vepre dramatike nuk mund të konceptohen jashtë ngjarjeve dhe fenomeneve të jetës. Një gjë e tillë mund të ngjasë vetëm në teatrin absurd, ku ngjarja eleminohet dhe personazhet vetëm “shkrepin” nga skena “mendime” apo siç i quan Fadil Paçrami “izotope”.
Duke sintetizura konceptet e gabuara të Fadil Paçramit, mbledhja edhe nëpërmjet analizës së dramave të tij, nxorri këto perfundime:
Së pari: në dramat e Fadil Paçramit vihet re në krye të preokupimit, preokupimi për të luftuar vetën kundër konservatorizmit.
Së dyti: identifikohet me marshimi ynë përpara, me udhëtimin drejt së panjohurës.
Së treti: identifikohet eksperimentimi me novatorizmin.
Së katërti: në dramë autori përçon konceptin mbi kultin e ajkës, e novatorëve, të cilat bëjnë gjëra, që janë të paarritëshme për ne, që janë mbi nivelin tonë “mediokër”.
Në dramat e Fadil Paçramit ngrihet, në thelb vetë teza mbi kundërvënien e brezave, që duhet domosdo të tejkalojnë brezat e mëparshëm dhe, që ta bëjë këtë gjë, duhet t’i mohojnë e t’i luftojnë.
Pikpamjet e tij për një “dramaturgji të re”, “për një teatër të ri”, ku pikënisja nga jeta zëvëndësohet me me pikënisjet nga fiksasionet subjektive, tha në diskutim Llazar Siliqi, ku ndër të tjera personazhet veprojnë sipas dëshirës së autorit, ku nuk kanë rëndësi themelore vërtetësia historike dhe thellimi i personazheve, ku krijimi i emoscioneve barazohet me sentimentalizma, janë të dëmëshme. Ai kalon në një dramë racionale, intelektualiste, ku logjika e tij artificiale, sundon jo vetëm mbi ndnjenjat, por orvatet të zërë dhe vendin e pasqyrimit të drejtëpërdrejtë realist të fenomeneve e të ambinentit shoqëror, duke përdhunuar realitetin.
Këto dhe të tjera koncepte, pikpamje dhe teorizime të dëmëshme të Fadil Paçramit, I kundërviheshin vijës së Partisë sonë në dramaturgji, mbillnin çoroditje, përhapnin frymën liberal-anarshiste dhe prirjet moderniste.
Duke analizuar më tej rrugën e zhvillimit të dramaturgjisë sonë gjatë këtyre viteve të fundit, diskutuesit u ndalën tek problem i ngushtimit tematik. Ata e panë këtë dukuri të lidhur, veç të tjerave edhe me faktorë formalist, si p.sh. ai i mbivlersimit të konvencionit, të simbolikës. “Konvencioni i tepruar dhe reduktimi i personazheve, tha Dritëro Agolli, e bashkuar kjo me njohjen e pakët të jetës dhe të problematikës së vëndit, ngushtoi tematikën e dramës sonë në disa raste.
Në përgjithësi mbeten vetëm dy tema të preferuara disi: lufta kundër burokratizmit, dhe më shumë dashuria. Edhe nëse pati realizime të mira në këto dy tema, duke u vërtitur mjaft rreth këtij qarku, u varfërua skena. Trekëndëshi i famshëm – Ai – ajo, Ai, u bë tepër monoton. Mjafton të përmëndim dramat “Një dimër i shkurtër” i Sherri Mitës, “Midis dy njerëzve” i Kiço Blushit, “Një shok i klasës sonë”, i Kujtim Spahivoglit, “Historia e një vajze” e Kleanthi Dushës, e ndonjë tjetër dhe të bindemi për këtë qark të ngushtë problematik”.
Kurse në disa drama të karakterit social e moral, ka një shfaqje të huaj: “dashuri e lirë”, e ashtuquajtura e “madhe”. Kjo ndihet te “Studentja e vitit të fundit” e Ibrahim Uruçit dhe tek “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit. Në mjaft drama me temën e dashurisë, e krijimit të familjes së re, realiteti i familjes sonë shqiptare paraqitet disi i deformuar. Po të shohësh një sërë dramash të tilla, formon një ide sikur familja jonë nuk ka stabilitet, është e lëkundëshme, e ngritur në themele të padrejta.
(vijon nesër)
(Ky shkrim botohet në shenjë homazhi për shkrimtarin, dramaturgun, skenaristin dhe publicistin e njohur, Kiço Blushi, i cili sot, më dt.8 shkurt 2019, është ndarë nga jeta në moshën 75 vjeçare)
Kico vdiq vetem fizkisht, perhere do te jet me ne ne kafen e mengjesit me buzeqeshjen fisnike dhe batutat inteligjente