Nga Larisa Durishti*
Nuk kam zgjedhur të përplasem, protestoj dhe ankimoj, në këtë fund viti kur mbarë shoqëria ktheu sytë nga studentët, por kam zgjedhur të mos hesht. Se në të vërtetë në këtë raport, studentë-universitet, pak kush ceku dhe preku problematikat e përmbajtjes së kurikulës dhe cilësisë së mësimdhënies në to. Jam studente sot, në hapat e para të karrierës sime në fushën që me aq pasion e zgjodha si rrugën e profesionit tim: Fizioterapinë.
Jo pak probleme, jo pak sfida paraqiten kudo. Afërmendsh edhe këtu, si një rrugë e pashkelur, si një dimension i panjohur për ne, shqiptarët. Sikundër me shumë dashamirësi dhe kureshtje, përqafojmë çdo risi të artit, shkencës, zhvillimit, edhe këtë shërbim mjekësor, fare shpejt e kërkuam dhe e bëmë pjesë të jetëve tona.
Është shumë e thjeshtë, e parë nga jashtë, por brendësia e botës së fizioterapisë bart kaq shumë mistere dhe dimensione ende të paprekura për kufijtë tanë.
Le të ndjekim arsyetimin nëpërmjet fakteve. Megjithë respektin maksimal për punën e palodhur të pedagogëve tanë, duhet pranuar se kurrikula e Fakultetit të Shkencave Mjekësore, për degën e Fizioterapisë që unë njoh, ka nevojë për përmirësime të forta strukturore. Këto duhet të jenë të tilla që t`u mundësojnë studentëve të përballen me sfidat e studimeve për master apo specializime jashtë kufijve.
E shikoj këtë si domosdoshmëri, pasi një sërë universitetesh kthejnë përgjigje negative mospranimi, si shkak i pamjaftueshmërisë së njohurive akademike të kurrikulës sonë aktuale.
A është e mundur të mos na ngrihen barriera që në hapat tanë të parë? Padyshim që studimet tona në këtë fushë kanë nevoja të padiskutueshme për botën e zhvilluar, ndaj do ishte krejt e arsyeshme që kjo kurrikul t`i afrohej asaj botërore, në mënyrë që edhe ne të na hapeshin dyert e kyçura.
Duke vazhduar me studimet universitare, do ngrija si problem pamundësinë tonë, si studentë për të pasur shkëmbime në programe exchange. Do ishte thjesht një shenjë barazie me studentët e vendeve të tjera evropiane kjo praktikë, po aq sa edhe e përballueshme financiarisht për ne, studentët. Fatkeqësisht, në fakultetin tonë, as nuk bëhet fjalë për këtë përvojë.
Mungojnë kështu edhe konferencat për Fizioterapinë, trajnimet, mundësitë e praktikave efektive. Shoqata e Fizioterapistëve në Shqipëri duket se po lëviz disi nëpërmjet trajnimeve që publikon, por problem këtu nuk shoh vetëm pagesën, (450 euro një trajnim 2-3 ditor në Zvicër, pa akomodimin të përfshirë) por leksionet që ofrohen vetëm teorikisht, praktikën e munguar, kohën e shkurtër 1 apo 2 ditore që ofrojnë. Metoda inovative, si Kabat dhe Bobath, mjaft interesante këto, ofrohen privatisht në vetëm 2 ditë trajnimi, ndërsa trajnimet nga “Universiteti Zoja e Këshillit të mirë” vërtet ofrohen për një kohëgjatësi rreth 4 javë, por vetëm në gjuhën italiane, e rrjedhimisht përfshijnë një audiencë të kufizuar italianfolëse.
Është e trishtueshme të plotësosh CV-në tënde pas tri vitesh studimi, ajo duket e thatë dhe e varfër. Gjithnjë kisha menduar se këshillat e specialistëve në qendrën e këshillimit të karrierës universitare, do të më jepnin dritën e duhur për të saktësuar rrugën që do ndiqja për masterin dhe specializimet e mia në këtë fushë. Por, habia e madhe ishte se kjo gjë as nuk ekzistonte.
Pas përfudimit të Bachelorit, secili nga studentët e kursit tim, do të ndjekë rrugën që sipas kokës së tij ka menduar, asnjë këshillim falë aftësive, madje, aftësitë ende nuk janë zgjuar. Gjermania duket të jetë i vetmi destinacion i njohur për studentët tanë të mjekësisë, ndërkohë që ka plot mundësi të tjera, të cilat mbetet të kërkohen nga individët, krejtësisht të pamotivuar, të painformuar dhe të paefektshëm detyrimisht.
E gjithsesi në këtë shkrim kam qëllimin të ndalem në një shërbim e dimension pothuaj të panjohur për shqiptarët: fizioterapinë në neurologji. Si fillim, më duhet të theksoj se nuk ka asnjë master specializues në këtë specialitet në vendin tonë. Në Fakultetin e Shkencave Mjekësore ofrohen dy mastera: Shkencor dhe Profesional. Kurrikula e tyre është pothuaj një përsëritje e asaj të Bachelorit. Lind pyetja: Ku do formohen këta specialistë? Do të jenë vendas, do të jenë të huaj? Përgjigjja e marrë në këtë rast është se fizioterapistët tanë të punësuar në qendrat spitalore janë multifunksionlaë, ata janë fizioterapistë të përgjithshëm. Dhe, ka edhe më… këta fizioterapistë, që më së shumti kanë mësuar nga përvoja, marrin urdhra nga mjekë neurologë, të cilët nuk janë aspak fizioterapistë. E si do shkojë filli në këtë rast?
Nga informacionet e marra, rezulton se ky shërbim, pra Fizioterapia në neurologji, ofrohet në Q.S.U.T, në Spitalet tona Rajonale: në Fier, Vlorë, Durrës, Laç, Shkodër. Gjithashtu në spitale private si: Spitali Amerikan, Hygeia, apo qendra private trajtimi (në të cilat është krejtësisht i pamundur trajtimi afatgjatë). Si ofrohet? Një nga karakteristikat e këtij trajtimi është kohëgjatësia, një trajtim ky i kushtueshëm, që kërkon detyrimisht mbështetjen e shtetit për pacientët. Aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, i vetmi spital i këtij lloji në Shqipëri, e theksoj me keqardhje këtë, trajtohen këta të sëmurë.
Por, koha e mundshme për të qëndruar aty të shtruar për të marrë trajtimin e nevojshëm është e cunguar. Në pamundësi për të qëndruar të shtruar në spital, ata i drejtohen vendeve si: Turqia, Greqia, Maqedonia, kurim ky i mbuluar me kostot vetjake.
Pra, jemi vërtet në një situatë mjaft kritike. Në këtë spital, ku unë kryeja praktikën, u informova që janë të punësuar 16 fizioterapistë, pra jemi në një raport të pamjaftueshëm e pothuaj dramatik, me numrin e të sëmurëve. Më duhet të lavdëroj punën e palodhur të këtyre fizioterapistëve në kushtet e vështira ku punojnë.
E bëra këtë analizë të situatës, pasi kjo është një shtysë më shumë që të thellohemi dhe përmirësojmë këtë rrugë të sapofilluar. Qëllimi im është të sjell në mënyrën më mirë të mundshme këtë dimension në vendin tim. Ajo që, e di me siguri, është se do të sjell këtu, në vendin tim, pas disa vitesh, kontributin dhe aftësitë e mia. Po flas për një shërbim të munguar për ne, shqiptarët: trajtimi i neuroplasticiteteve.
Neuroplasticiteti është aftësia e trurit për të riorganizuar veten duke formuar lidhje të reja nervore gjatë gjithë jetës. Neuroplasticiteti lejon neuronet (qelizat nervore) në tru për të kompensuar lëndimet dhe sëmundjet dhe për të rregulluar aktivitetet e tyre në përgjigje të situatave të reja ose ndryshimeve në mjedisin e tyre.
Neuroplasticiteti mund të ndihmojë me depresionin. Mund të mos jetë e lehtë dhe me gjasë do të duhen përpjekje të qëndrueshme, por ne kemi aftësinë për të “rimodeluar” trurin tonë në çdo moshë në mënyra që mund të na ndihmojnë të funksionojmë në mënyrë më efektive. Duke u bazuar në studimet e kryera në këtë fushë, dëshmohet se neuroplasticiteti rekuperon trurin. Këtu do të përmendnim: Rekuperimin nga ngjarjet jetësore, të përjetuara me ankth, stres e traumë; Aftësinë për të rikthyer funksionet në tru (p.sh., nëse një zonë që kontrollon një sens është dëmtuar, zona të tjera mund të jenë në gjendje të marrin zhurmën); Funksioninegjallërimit të sistemit emotiv, psh, humbja në një fushë mund të përmirësojë funksionet në fusha të tjera (p.sh., nëse një ndjenjë humbet, të tjerat mund të rriten); Zgjerimin e aftësive të kujtesës; Zgjerimin e gamës së aftësive njohëse; Kultivimin e të mësuarit efektiv. Kjo është vetëm një përzgjedhje e vogël e zbulimeve të fundit mbi neuroplasticitetin, por thekson ndikimin e madh të mundshëm të përdorimit të fuqisë së neuroplasticitetit për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e njeriut. Sipas Mantak Chia, një mjeshtër tailandez i këtyre teknikave, njeriu është një bateri energjish. Shkencëtarët anglezë kanë zbuluar se ne kemi një tru të dytë. Ka ende shumë mister për të praktikuar këto teknika që aktivizojnë këtë tru të dytë. Studime të thelluara, fizioterapistë të specializuar presin të sjellin në Shqipëri këto shërbime të paprekura ende. Si unë, të interesuar, jam e bindur që ka plot.
Le të ketë më shumë publikime në faqen e Universitetit të Shkencave Mjekësore, le të ketë një revistë shkencore e cila publikon projektet tona lëndore, që ato të mos përfundojnë në koshat e riciklimit, le të ketë disa linqe sugjeruese për ata që duan të shkojnë dhe vijojnë studimet jashtë vendit në këtë fushë, le të ketëthirrje për konferenca, brenda dhe jashtë vendit, të përballueshme për të ardhurat tona.
Le të kemi vëmendjen e merituar, le të kemi motivimin që vjen nëpërmjet shkollimit, le të bëjmë fizioterapinë, një kulturë me themele të qëndrueshme, sipas standardeve botërore. Padyshim që ne e meritojmë, e duam, kemi nevojë dhe do të bënim tonin këtë shërbim kaq jetik: fizioterapinë. Është mëse e domosdoshme përmirësimi programor i kurikulës universitare në fakultete e ndryshme.
Por kjo nuk mund të ndodhë pa pjesëmarrjen aktive të vetë studentëve dhe sidomos studentëve me interesa të mëdha ndaj degës dhe profesionit që kanë zgjedhur. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se sot bota akademike dhe profesoriatet e dekanatet, duhet të orientojnë dhe drejtojnë studentët drejt dijeve të qëndrueshme dhe profesionale.
*Studente e Fizioterapisë