Nga Neymar te Harry Kane, Champions-i rifillon pa disa nga yjet kryesorë

11 Shkurt 2019, 14:22Sport TEMA

Këtë mesjavë rikthehet Liga e Kampionëve, me fazën e “nokaut”-it, ku na presin duele interesante.

Sytë janë nga yjet e ekipeve, veçanërisht, por disa prej tyre nuk do të jenë në gjendje të luajnë, të paktën ndeshjen e parë të 1/8 finale, pasi janë të lënduar.

Gjithsej bëhet fjalë për 40 lojtarë të lënduar, përveç ndryshimeve të këtij numri të madh në minutën e fundit.

Olympique Lyon – Barcelona
Skuadra franceze ka vetëm një mungesë, por që nuk ndikon në formacionin fillestar. Ai është sulmuesi i ri 18-vjeçar, Gouiri Amine, i cili nuk e ka bërë debutimin e tij këtë sezon, pas problemeve me ligamentin krucial. Barcelona, nga ana tjetër, nuk e ka të gatshëm Rafinha, i cili nuk luan prej një kohe disi të gjatë. Lojtari nuk është federuar për pjesën tjetër të garës. Kthimi i Samuel Umtiti në mbrojtje mbetet ende një mister. Së fundi, katalanasit nuk mund të llogarisin edhe Jasper Cillessen, nëse diçka e papritur ndodh me Marc-André Ter Stegen. Mungesa më e ndjeshme duket ajo e Arthur, i cili e kapi shpejt formacionin e Ernesto Valverde.

Manchester City – Schalke 04
Ekipi i Pep Guardiolës nuk do të ketë mungesa të rëndësishme. Kiliani Claudio Bravo dhe mbrojtësi qendror, Vincent Kompany, janë të vetmit lojtarë në infermieri, edhe pse nuk i prishin punë trajnerit katalanas. Schalke 04, nga ana tjetër, ka mungesa më të ndjeshme. Stambouli dhe Embolo janë dy lojtarët kryesorë, që nuk do të jenë në ndeshjen e parë. Atyre duhet t’u shtojmë edhe mungesat e Schöpf, Skrzybski dhe Burgstaller.

Atlético Madrid – Juventus
Të dy, Simeone dhe Allegri, nuk duhet të bëjnë pa lojtarë shumë të rëndësishëm në ndeshjen e parë. Atlético Madrid tashmë mund të llogarisë edhe Saviç, Koke e Diego Costa, kështu që trajneri argjentinas do ta ketë të gjithë skuadrën në dispozicion. Juventusi duket në një situatë të ngjashme, sepse tridenti BBC i mbrojtjes duket gati për lojë. Lajmet nga kampi bardhezi ëjnë me dije se janë riaftësuar Chiellini, Barzagli dhe Bonucci, të cilët kanë pasur probleme kohët e fundit. Humbja e vetme e konfirmuar për ndeshjen është ajo e kolumbianit Cuadrado.

Liverpool – Bayern Munich
Klopp nuk do të jetë në gjendje të bazohet te qendrori Joe Gómez në “Anfield”. Trajneri gjerman nuk llogarit as Oxlade-Chamberlain, me dëmtim të hershëm të ligamenteve. Te Bayern Munich, Thiago i ka tejkaluar tashmë problemet e tij muskulore. I vetmi që do të mungojë është Tolisso, me probleme të ligamenteve.

Tottenham – Borussia Dortmund
Pochettino ka një ndeshje të vështirë kundër Borussia Dortmundit. Trajneri i Tottenham ka të dëmtuar Delle Alli dhe Harry Kane, ndoshta lojtarët më të mirë. Ngushëllim përbën danezi Christian Eriksen, i cili do të jetë në dispozicion. Ekipi gjerman ka humbur dy pjesë të rëndësishme, qendrorin Manuel Akanji dhe kapitenin Marco Reus.

Roma – Porto
Roma do të duhet të luajë me portierin zëvendësues, pasi Robin Olsen është dëmtuar. Të tilla problemeve iu shtohen edhe emrat e Perotti në sulm, aty ku edhe Schick do të mungojë. Kësisoji, reparti ofensiv mund të përbëhet nga treshja Dzeko-Kluivert-El Shaarawy. Te Porto, e njëjta gjë ndodh me pjesën e përparme të skuadrës. Dy sulmuesit e saj më të mirë, Marega dhe Aboubakar, nuk janë gati, as meksikani Jesus Corona, i pezulluar nga UEFA për ndeshjen e parë.

Manchester United – PSG
Manchester United, i cili nuk e njeh humbjen nën drejtimin e Solskjaer, e ka tërë skuadrën në dispozicion për të përballuar një nga duelet më të mrekullueshme të raundit të dytë të Champions-it. PSG-ja, në teori favorite, do të duhet të bëjë pa dy yjet e veta. Mungesa e Neymar ishte e njohur prej gati dhjetë ditësh, por asaj i është shtuar së fundi uruguajani Edinson Cavani.

Ajax – Real Madrid
Klubi holandez ka katër “viktima”, edhe pse nuk kemi të bëjmë me futbollistë thelbësorë. Ata nuk do të jenë në ndeshjen e parë kundër Real Madridit: Varela, Magallán, Eiting dhe Bandé. Klubi i bardhë, nga ana tjetër, nuk do të ketë në dispozicion Luca Zidane, Jesús Vallejo dhe Marcos Llorente. Isco, i cili pavarësisht se nuk hyn në planet e Solarit, është mënjanë grupit me një problem, ndoshta të shkaktuar nga stresi. Kësisoji, ylli spanjoll nuk do të grumbullohet. (Telesport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje