Basha në delir: Europa po më pret mua, nga e shtuna populli s’do ketë frikë qeverinë

14 Shkurt 2019, 08:39Politika TEMA

Kryetari opozitës, Lulzim Basha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të bëjnë aktin që Europa pret nga shqiptarët për t’u çliruar nga një qeveri e kriminalizuar.

Në takimin e zhvilluar me qytetarët e Matit, Basha e cilësoi vendimtare betejën që qytetarët do të zhvillojnë të shtunën në 16 shkurt, përpara Kryeministrisë.

“Ju jap fjalën, se falë bashkimit tuaj, i cili do të jetë më i madhi që ka dëshmuar populli shqiptar këto 30 vite, një standard i ri do të vendoset.

Prej datës 16, kurrë më populli nuk do të ketë frikë qeverinë, por çdo qeveri që vjen pas datës 16, do t’i bëjë llogaritë vetëm me popullin dhe forcën e drejtësinë e vendimeve të popullit. Europa po pret, i ka sytë nga ne.

Në Europë, kjo qeveri do të kishte rënë dhjetëra herë, gjysma e tyre do të ishin sot në burg. Ditën e shtunë keni mundësinë me bashkimin tuaj dhe vendosmërinë tuaj t’i tregoni Europës dhe mbarë botës, se jemi popull europian, se jemi popull i qëndresës, se ditën e shtunë merr fund largimi i shqiptarëve nga padrejtësitë, fillon largimi dhe shembja e këtij sistemi të kalbur antipopullor, antieuropian.

Të shtunën, më shumë se çdo ditë tjetër, bota e ka kuptuar dhe do ta shohë se ku e ka katandisur shtetin Edi Rama, një shtet i kapur, i cili vetëm mbron hajdutët që janë kapur duke vjedhur”, tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, qeveria e drejtuar nga Edi Rama është kapur në vjedhje dhe zgjedhjet i ka marrë përmes parave të krimit.

Basha iu kujtoi qytetarëve të Matit se në çdo vend të Europës qeveria e kapur në vjedhje, do të ishte larguar, ndërkohë qeveritarët do të duhet të ishin pas hekurave.

“Këta janë kapur duke vjedhur dhe me paratë e tyre kanë vjedhur edhe karriget ku janë ulur. Karriget ku janë ulur i kanë blerë me paratë e vjedhura shqiptarëve, i kanë blerë me paratë e krimit.

Por kanë harruar diçka, nuk janë karriget e tyre. Nuk janë për shitje ato karrige, ato janë karriget e qytetarëve. Ndaj duhet të marrim në dorë fatin tonë.

Duhet të merrni në dorë fatin tuaj dhe t’i çlironi institucionet e kapura nga krimi dhe nga mafia. Kudo në Europë, kjo do të ndodhte, por këtu janë asgjësuar dy kolona të shtetit: zgjedhjet dhe drejtësia.

Por zgjedhjet dhe drejtësia, Parlamenti dhe qeveria nuk janë gjë tjetër, veçse produkt i vullnetit tuaj.

Ndaj, le të mblidhemi të gjithë bashkë këtë të shtunë, le të vërshojë sovrani në rrugët dhe sheshet e Tiranës, të shtunën në orën 11:00, në referendumin më të madh popullor, që do t’i japë fund kësaj qeverie bandite”, deklaroi kreu i PD-së.

Basha iu kujtoi protestuesve se të shtunën, në anën tjetër të gardhit, do të kenë policë të keqpaguar, të tradhtuar dhe të poshtëruar.

2 komente në “Basha në delir: Europa po më pret mua, nga e shtuna populli s’do ketë frikë qeverinë”

  1. Zigur Geshtenja says:

    Po te ishe ne KORÇE, po, mund te mendohet se EUROPA i ks syte nga ne, po ne Burrel!!!???.

  2. Flutura says:

    Shume mire e paska thene: parlamenti eshte produkt i vullnetit te popullit. Pra PD eshte minorance. Le ye dalin ca militante ne shesh edhe asgje. Vazhdon puna deri diten qe populli do shpreh fullnetin e tij

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje