Djepi i futbollit shqiptar, që vitet e fundit po kalon momentet më të errëta të historisë, sot feston 100 vjetorin e themelimit, duke qenë se plot 100 vite më parë, u themelua klubi i Vllaznisë.
Mes shumë peripecive dhe vështirësive të kohës, Vllaznia diti të ishte skuadra e cila shkroi histori në futbollin shqiptar dhe jo vetëm.
Fati e deshi, që në këtë 100-vjetor të themelimit, të ruhen kujtime të errëta pasi klubi shkodran militon në Kategorinë e Parë, aty ku kryeson dhe shpreson që të ngjitet sa më shpejtë në vendin që i takon.
Në qytetin e Shkodrës, sot po mbahen aktivitete për 100 vjetorin e themelimit dhe vetë kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi që është njëkohësisht edhe presidentja e klubit e ka shpallur vitin 2019 si viti i Vllaznisë.
“Bashkia Shkodër, ka shpallur vitin 2019 si viti i 100 vjetorit të shoqërisë “Vllaznia”, në një vit ku do të percjellim emocionet e historisë shekullore të pasioneve e të arritjeve të shkodranëve, vit në të cilin do të kujtojmë e nderojmë themeluesit, ata që ndërtuan e përjetuan këtë histori, figurat e sportit shkodran ndër vite.
Në këtë vit do të jetojmë emocionet e ngjarjeve të shumta sportive e kulturore, të bashkimit të njerëzve në një festë shkodrane me zemër kuq e blu”, tha mes të tjerash Ademi.