Formula e Esatit për Shqipërinë: Përmes Ekuilibrit të Urrejtjes

17 Shkurt 2019, 09:15Dossier TEMA
Formula e Esatit për Shqipërinë: Përmes Ekuilibrit të

Nga Dhimitër Anagnosti

Raporti i njeriut me tokën është një raport nga më të lashtët. Nëse e gjurmojmë këtë lidhje me kohën e Mesjetës e deri pas Çlirimit, do të shohim që shqiptari ka qenë zot fuqiplotë i pronës së vet, të sanksionuar ligjërisht në të drejtën kanunore me hollësitë më të mëdha. Të shikojmë për këtë gjë kapitullin për pronën dhe Kanunin e Veriut. Betimet e rënda të shqiptarit kanë qenë “Për këtë qiell!” dhe “Për këtë dhe!” ose “Për këtë bukë”, që përsëri nënkuptonte tokën që prodhonte. Edhe thirrja për luftë bëhej në emër të mbrojtjes së trojeve.  Si rrjedhojë, për shqiptarin raporti njeri-tokë nuk ka qenë vetëm një faktor ekonomik I ekzistencës fizike, por dhe një faktor i identitetit kombëtar dhe, si i tillë, një raport fanatik.  Këtu e ka burimin thënia e njohur “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Çfarë ndodhi në prizmin e këtij raporti, gjatë viteve të sundimit të ideologjisë marksiste-leniniste, të gjithë e dinë mirë: varfëri, prishje e karakterit, ulje e zellit për punë. prishje e moralit dhe, në veçanti, dobësim i ndjenjës patriotike kombëtare, gjë që e tregoi fare qartë eksodi masiv i kohëve të fundit. Pra, mendoj se toka, edhe për arsye historike, duhet të privatizohet plotësisht. Ligji që do të miratojmë, duhet të ketë parasysh jo vetëm zgjidhjen e problemit ekonomik, por edhe shërimin e këtyre plagëve që kërkojnë kohë të shërohen.

Gjithashtu, ky ligj duhet të synojë drejtësi sociale. Shkruhet e flitet shumë për atë që po ndodh sot në fshat, ku fshatarët, në mënyrë spontane, po veprojnë edhe në lidhje me tokën. Ku e gjejnë kurajën?! Me ç’të drejtë morale e bëjnë këtë? Është e drejta e lartë e pronës së trungut të gjakut, e njohur nga i gjithë komuniteti i fshatit, është ai raport fanatik, për të cilin fola më lart, që ua jep këtë të drejtë. As Parlamenti, as Qeveria nuk e marrin parasysh këtë realitet, por e injorojnë, dhe, duke e injoruar, mendojnë se e eliminojnë. Toka është libër i shkruar për trungun familjar dhe kjo reformë duhet të krijojë mundësinë për të krijuar një faqe të re, të gëzueshme në atë libër dhe jo të trajtohet problemi në mënyrë aritmetike, që të fillohet nga kuota zero, ashtu siç ndodhi pas vitit 1944 në të gjitha fushat: ekonomi, kulturë, art, fe, sporte etj. Ne e pamë ku na çoi, në humbjen e identitetit, në varfëri shpirtërore. Gabime të tilla të rënda nuk duhet të përsëriten më. Ne nuk kemi të drejtë t’i presim me dhunë fijet historike, në çdo fushë qofshin, në duhet t’i lidhin ato, se ndryshe rrezikojmë të mbetemi pa tradita, pa memorie historike. Në kompleksitetin e këtij problem zgjidhjet praktike do të jenë të ndryshme, në vartësi të veçorive që paraqet çdo krahine apo fshat.

Aspekti tjetër që dua të trajtoj është ai i pronësisë mbi tokën në përgjithësi. Shqiptarit duhet t’i njihet e drejta e pronësisë mbi tokën që kishte në prag të kolektivizimit si vlerë, si e atij që qëndroi në fshat, edhe e atij që u largua prej tij. Në këtë aspekt,ky ligj duhet të vërë edhe drejtësi sociale. Nuk mund të mos i njihet e drejta e pronësisë atij që e ka pasur tokën, sepse ashtu do t’u shtohej edhe një padrejtësi tjetër të gjitha padrejtësive, vuajtjeve, privimeve që pësoi shqiptari gjatë periudhës moniste. Veç, me këtë rast, nuk do të dinim si t’ia vinim emrin kësaj padrejtësie që mund të bëhej nga shteti demokratik. Ky shtet ka për detyrë të shërojë ato plagë të së kaluarës që ende mund të shërohen. Toka në fshat apo shtëpia në qytet janë, hapur e ndërtuar me mundime e, shpesh, me sakrifica ekstreme të disa gjeneratave, prandaj nuk mund të përvetësohen në mënyrë arbitrare. Ligji për këtë problem duhet të parashikojë një nen që, brenda një afati kohe, ish-pronarëve t’u kompensohet vlera.

Në qoftë se ky ligj nuk do të vërë drejtësi, atëherë do të jetë e vështirë ta bindim popullin me fjalë se ne po ndërtojmë rendin demokratik dhe respektojmë të drejtat e njeriut. Në qoftë se ndonjëri e pret shkurt duke thënë “Kush i hyn kësaj pune”, unë do të thosha se, për hir të drejtës dhe të parimeve të larta demokratike, le të lodhemi sa më tepër. Ne duhet ta ndiejmë veten të qetë moralisht kur ta kemi aprovuar këtë ligj, me bindjen se kemi dhënë drejtësi. Atje ku qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë prona të trashëguara në vende të tjera demokratike, e drejta e pronës është e ruajtur me ligj dhe në kemi kohë që vjelim të ardhura prej tyre. Pse nuk duhet t’ia njohim këtë të drejtë qytetarit tonë këtu?

Ky vend është qeverisur me shumë pak drejtësi, me shumë pak mëshirë. Kur një konsull i huaj e pyeti Esat Pashën si do të rregullohej çështja shqiptare, ai iu përgjigj: “Përmes ekuilibrit të urrejtjes”. Urrejtja e ka brejtur trupin e shpirtin e shqiptarit edhe për këto 46 vjet përmes gjeneratorit të vet diabolik të luftës së klasave. Në problemin e tokës të mos krijojmë urrejtje të reja. Më në fund, të nisim ta ndërtojmë jetën tonë mbi ekuilibrin e respektit e të dashurisë dhe këtë t’ua vëmë përballë të keqijave që nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen. Për këtë duhet të vëmë drejtësi, ndryshe ka rrezik që, pasi shkatërruam sistemin feudo-borgjez, ndërtuam dhe po shkatërrojmë sistemin feudo-socialist, të mos ndërtojmë feudo-demokracinë.

Shënim: Materiali më sipër është fjala e Dhimitër Anagnostit në korrik të vitit 1991, në kuadër të diskutimeve për ligjin nr. 7501, i njohur më mirë si murtaja e gjoja kapitalizmit shqiptar. Po e risjellim fjalën sepse ajo tingëllon aktuale për nga parashikimi që bën në gabimin sistematik të elitës shqiptare që në sipërmarrjet e veta historike për të ndërtuar sisteme apo për t’i importuar ato, nuk arrin dot të shkëputet nga mendësia feudale. Siç e thotë Anagnosti, ne edhe sot fatkeqësisht jetojmë dhe dëshmojmë Feudo-demokracinë e cila njësoj si feudo-borgjezia dhe feudo-socializmi dominohen nga formula magjike e Esat Pashë Toptanit: Ekuilibri i Urrejtjes.

Burimi: ResPublica.al
 

4 komente në “Formula e Esatit për Shqipërinë: Përmes Ekuilibrit të Urrejtjes”

  1. spartak says:

    S’do as mend e as kalem .
    Po të vesh zemrën përpara dhe ta duash popullin dhe atdheun tënd realisht me gjithë shpirt , patjetër do të japësh ide dhe mendime , që çojnë në zgjidhjen dhe rregullimin e problemeve të trashëguara , si dhe ecjen përpara në rrugën e duhur e të drejtë drejt një shteti demokratik Real e Funksional . Por fatkeqësisht , për ta lënë këtë vend e këtë popull në gjendje konflikti të përhershëm , për të krijuar aksese përvehtësimi e vjedhjeje , për të degjeneru që në djep bazat e një shteti Demokratik në Shqipëri dhe të së Drejtës së Pronës ( të çfarëdollojshme ) si dhe nga etja për vota ( pushtet për të abuzu ) , bënë e vendosën atë katrahurë , të cilën vazhdojnë ta mbështesin edhe sot për vota , pa le se çfarë krimesh u bënë me zaptimet e legalizimet .
    Mirë thonë , që anëtarët e parlamentit më të aftë në gjithë historinë e shtetit shqiptar kanë qenë ato të viteve 92-96 .
    U ligjërua kjo katrahurë mbi tokën duke sanksionuar abuzimet e vjedhjet , paçka se janë vrarë këta 27-28 vjet mbi 8000 vetë dhe ngujuar me qindra prej plagëve të hapura dhe gjakmarrjes .
    Abuzimin me pronat e kanë në gjak dhe e kanë qejf të gjithë politikanët , por ma të pa skrupullt po tregohen Kryebashkiakët e qyteteve , të cilët po i mjelin këto prona për interesa e hesap të tyre , ndërkohë që pronarët realë po shuhen përditë në skamje e nga marazi .
    Nuk ka lënë dhe vazhdon pa pushim të zaptojë trotuare , lulishte , sheshe e parqe Erion Velija , duke ja dhënë për kafe e pijetore lloj lloj trafikanti pastrimi paresh ( shyqyr që ja tha truni Edi Ramës me mbyll llotot , bastet , lojrat e fatit e kazinot ). Kush ja la këto prona , që po i bon e përdor si don vetë Erion Velija . I jati ? Pse Qeveria i len dorë të lirë këtij abuzuesi që mbledh pare e haraç nga pronat e banorëve autoktonë , pronarë të kësaj pasurie të blera shumica dhe me flori . Nuk kam kundërshtim për shumë veprime që përmirësojnë shërbimet dhe jetesën , si dhe zbukurojnë Tironën , por ama pikë së pari respekto duke e vlerësu dhe kompensu tokën , pronën , që siç thotë Anagnosti i madh është baza e shtetit , identitetit dhe atdhe -dashurisë . Po kështu dhe Durrësi , Vlora , etj , etj .
    Ka dhe diçka , që , qysh prej 20 e ca vitesh akoma vazhdojnë gjygjet e konfliktet nëpër gjykata , edhe me qëllim justifikimi për mos dhënje kompensimesh , abuzime , zaptime e vjedhje nëpër Hipoteka e nëpërmjet Gjykatësve hajdutë .
    Edi Rama e përmendi në Vlorë , sepse me të vërtetë është një nga krahinat ku , kush të mund ka bërë grabitje e abuzime të pa para . Ama Edi Rama . Veri mend fjalëve të Anagnostit , këtij korifeu të kulturës dhe dijes , të arritura vetëm me nxënje . me punë dhe ndërmjet vuajtjesh e vështirësishë , por kurdoherë pranë popullit të tij të dashur e hallemadh .
    Ideojeni dhe përfshijeni në programin tuaj si Parti Socialiste zgjidhjen dhe rregullimin e plotë njëherë e përgjithmonë të problemit të pronave , dokumentimit të saktë dhe shpronësimit deri tek centimetri i fundit , por jo si deri më sot me vlera qesharake dhe vendime deri në absurd dhe tallje .
    Respekt maksimal për Nderin e Kombit dhe Artistin e Popullit , zotin Dhimitër Anagnosti , si dhe një falënderim për redaksinë e Gazetës Tema , për këtë risjellje në shtyp në kohën e duhur .

  2. Pantera says:

    Lereni Esatin menjeane ai i perket tjeter epoke , per ate qe beri u ndershkua , por meruni me Esater te tjere te diteve tona , Sali Berisha , Lulzim Basha ,kane dale Esater me te rezikshem , qe bejne dem qe nuk regullohet kurre ……..Shifni perpara dhe jo mbrapa , kush shikon mbrapa nuk shkon kurre ne distenacionin qe ka nder mend te shkoje , mbetet mbrapa ……

  3. Ela says:

    Dhe Esat Toptani i sotem Sali Berisha te njejten strategji ka: ekuilibrin e urrejtjes.

  4. vaso says:

    Nuk besoj te kete perdorur Esati kete togfjalesh.Megjithate kjo nuk ka ndonje rendesi.
    Prona duhej te kthehesh tek pronaret para vitit 1945.Atdheu i ka te gjithe bijte e vet,bejlere,agallare,cifligare,tregtare,biznesmene,punetore,fshatare,intelektuale,hajdute,rrugace etj.Si rrjedhim nuk mund t’u mohoje pronen,e cila shitet,blihet,trashegohet por nuk dhurohet,as rrembehet.Prona eshte e shenjte.Pasojat e ligjit 7501 jane te perjetshme.Dhe sa per votat,me shume se partite,jane vete njerezit qe vrapojne per te dhene voten,me shpresen e nje perfimi personal te c’fardo lloji.Ky popull nuk e do drejtesine!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje