INTERVISTA/ Ermonela Felaj paralajmëron opozitën: Bëjnë mirë të kenë frikë nga SPAK

18 Shkurt 2019, 13:30Politika TEMA

Nga Fernada Cenko

Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke filluar nga sjelljet e opozitës, ku në seancën plenare të së enjtes nënkryetari Partisë Demokratike, Edi Paloka sulmoi kryeministrin Edi Rama, duke qëlluar në drejtim të tij me një shiringë boje, zgjedhjet vendore dhe Reformën në Drejtësi.

Në një intervistë për TemA Javore znj. Felaj u shpreh se shfaqja që dhuroi opozita në Kuvend ishte e turpshme dhe e prirur nga instikte të egra.

Duke folur për zgjedhjet vendore, Felaj ka vlerësuar pozitivisht punën e Erjon Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës.

Deputetja socialiste komentoi edhe se çfarë fshihet pas protestës së opozitës.

Felaj u ndal edhe tek mesazhi që kryeministri Rama dha në Kuvend për Sali Berishën lidhur me anulimin e vizës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë ajo e argumentoi se vetë sjellja e këtij të fundit e nxori blof dhe vërtetoi se Amerika ia ka hequr vizën.

Ditën e enjte ishte një seance e turpshme. Kishit prezent në sallë kryeparlamentarin e Maqedonisë dhe nga ana tjetër një prej deputeteve të PD bëri me bojë Kryeministrin. Si e afe? E meritojnë shqiptarët këtë parlament?

Dita e enjte duhet të ishte një ditë respekti për një vend fqinj si Maqedonia e Veriut, për një vend ku jetojnë bashkëatdhetarë tanë, shumica e dytë shtetformuese atje, dita e djeshme duhet të ishte një ditë nderimi dhe heshtjeje për të tjerë shqiptarë që në prag të një ngjarje të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut si antarësimi në NATO, humbën jetën në një aksident fatal, por fatkeqësisht nga opozita u kalua çdo lloj pritshmërie logjike për të tilla raste duke treguar dhe njëherë se këtu nuk ka një opozitë mirëfilli, se opozita e pretenduar si e tillë, nuk është veçse një grup njerëzish i prirur nga instikte të egra. Sado i rëndë të duket ky përcaktim, fatkeqësisht ai është i vërtetë, ka ndodhur mëse njëherë në mjedisin tonë parlamentar, është shfaqur në forma dhe në mënyra të ndryshme, të tilla që duhet t’i bëjnë të gjithë të kuptojnë se nga soji i të tillë njerëzve lipset distancim i plotë dhe në çdo kuptim. Ju më pyesni në e meritojnë njerëzit tanë këtë? Absolutisht, nuk e kanë merituar, kurrë ndonëse i kanë pasur në qafë për një kohë të gjatë.

Të enjte, përmes Kryeministrit, i kërkuam ndjesë Kryetarit shqiptar të parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Kryeministrit të vendit tjetër, por ndjesë u duhet kërkuar dhe gjithë shqiptarëve të thjeshtë për zemërimin dhe ligështimin që përjetuan prej pacipërisë së treguar në block prej opozitës. Toleranca për një mazhorancë është dhe duhet të mbetet shprehje e demokracisë, por nga ana tjetër ajo nuk mund të jetë trampolina e akteve rrugaçërore, as e përpjekjeve të ulëta që kërkojnë konfrontim brenda sallës së Kuvendit, destabilizim të jetës shoqërore dhe politike të vendit, toleranca jonë nuk ka për të qenë kurrë e tillë, sepse asnjë maskara nuk mund të vërë përfund përpjekjet dhe shpresat më të mira të shqiptarëve për integrimin europian të vendit. Mund të shfaqesh i pacipë, i parespekt, i paatdhe, por nuk mund të sfidosh përtej një kufiri që vendos ligji; cilido që do e bëjë këtë, në përpjekje për të vënë në dyshim rendin kushtetues apo institucionet ,do të marrë përgjigjen që meriton. Ne kemi marrë përgjegjësinë e të qeverisurit me votën e lirë dhe të ndershme të shqiptarëve dhe këtë përgjegjësi do ta ushtrojmë pa zhgënjimin më të vogël për këdo që na besoi dhe na beson.

Opozita e ka prezantuar tashmë skenarin e saj për qeveri të përkohëshme pa Ramën kryeministër. Për të arritur këtë objektiv janë gati të zhvillojnë dhe protesta jonormale. Veç qëndrimeve publike të PS, a e keni konsideruar ndonjëherë mundësinë e plotësimit të kërkesës së opozitës?

Opozita mund të bëjë skenar çdo lloj ëndrre ditën për diell, por si çdo opozitë tjetër në botën demokratike, ndonëse një të tillë të ngjashme me këtë tonën nuk e gjen, do t’i nënshtrohet vullnetit të popullit me votë, ditën e zgjedhjeve dhe jo ethes së turmave të hazdisura që presin kockën e radhës. Dhuna është përpjekja e fundit e të pafuqishmëve dhe kështu duhet parë i gjithë veprimi i opozitës, një veprim që kërkon një justifikim për pamundësinë për të ndërvepruar dhe komunikuar me njerëzit, një justifikim për dështimin dhe degradimin e plotë të tyre. Sidoqoftë dhe kjo lloj dhune nuk na lë indiferentë, në kuptimin e ushtrimit të çdo përgjegjësie që ndëshkon sjellje të papajtueshme me ligjin, me rendin dhe sigurinë publike.

Këto ditë PS thuajse ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale, më shpejt se herët e tjera. A është gati PS dhe për opsionin e opozitë për të pasur njëkohësisht zgjedhje vendore dhe parlamentare?

Jemi në vit zgjedhor, por sa i takon punës me partinë dhe me njerëzit ajo ka qenë e pandarë në çdo kohë; ky është çelësi i të qenit fitues për një parti politike, dhe kjo është dhe arsyeja e qëndrueshmërisë sonë ndaj rregullave të demokracisë, ku rregulli i parë e i pazëvendësueshëm mbeten zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Fitoret tona janë përmes të tilla zgjedhjesh dhe këtë fakt nuk ka asgjë thelbësore që ta kontestojë. Gara tani është për zgjedhje lokale dhe ato do të ndodhin më 30 qershor .

Jeni për Erion Veliaj sërish në krye të Bashkisë?

Po pa asnjë dyshim, ndonëse procesi në tërësi nuk funksionon si një preferencë personale e dikujt. Kryetari i Bashkisë më të madhe në vend, ka ditur të ofrojë një shembull pune dhe përkushtimi ndaj qytetit dhe qytetarëve, një model i dëshiruar gjithandej, e në këtë këndvështrim, në si forcë politike natyrisht që kemi të drejtë të ndihemi krenar, sepse tek e fundit, filtri i njerëzve të zakonshëm, këtë bën, filtron punën dhe sjelljen e mirë.

Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama la të nënkuptohet se Sali Berishës i është hequr viza nga SHBA. Keni një koment?

Komentin kësaj pyetje, ja bëri më së pari sjellja e vetë Sali Berishës, që iu shmang qartazi pyetjes së troçtë të Kryeministrit në sallën e Kuvendit. Besoj që nuk ngeli kush që nuk konstatoi se Sali Berishës, pas Shqipërisë dhe shqiptarëve ia ka “hequr vizën” dhe Amerika dhe pikërisht pse “kërcet’ kaq shumë, s’do e keni kurrë përgjigjen prej njeriut që e di fare mirë se fundi politik i është vendosur me kohë.

Mendoni se me SPAK do të rihapen dosjet e korrupsionit dhe kushdo që ka abuzuar do të shkojë para drejtësisë?

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka hyrë tanimë në fazën e konturimit të vet, sepse janë shpallur vendet vakantë dhe janë bërë dhe aplikimet e para, në një numër që shkon përtej limitit më të ulët por të duhur për funksionimin e saj. Nuk ka asnjë dyshim që ky do të jetë organi që do të ndëshkojë dhe gjithë zyrtarët dhe ish zyrtarët e përfshirë në krim, nga më i larti deri tek më i ulti. Nuk ka asgjë që të pengojë zhvillimin e një procesi transformues për drejtësinë , njësoj si vetingu që po i jep efektet e premtuara, dhe SPAK do të jetë në njëjtën valë veprimi.

Socialistët janë shprehur se opozita kërkon revolta nga frika e SPAK dhe për të bllokuar Reformën në Drejtësi, po ju si e shikoni?

Po patjetër që protesta që opozita kërkon të ngrejë, është dhe kundër Reformës në Drejtësi. Përkimet nuk janë të rastësishme; sapo që duhej të zgjidheshin trupat e e vetingut, opozita u fut në çadër dhe sapo kërkohet të ngrihet SPAK, shpall protestën tjetër pa afat. Bëjnë mirë të kenë frikë në fakt, meqë llogaritë më parë nuk i kanë bërë me ligjin por me gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Tik taku i orës së fundit që ngazëllen buzën e opozitës, s’ është veçse tik tik-u i kohës së zullumit, i të pabërave dhe të pathënave që kujtojnë se i mbuloi pluhuri, këtij lloj tik tak-u t’i mbajnë vesh…

Botuar në: TemA Javore

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje