Mogherini-Hahn: Djegia e mandateve minon progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt BE, opozita të kthehet në Parlament për reformat

21 Shkurt 2019, 10:37Politika TEMA

Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, dy zyrtarët më të lartë evropianë të politikave të jashtme dhe zgjerimit, theksojnë se djegia e mandateve pengon funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe minon rrugën drejt BE-se.

Përmes një deklarate zyrtare, ata dënojnë thirrjet për dhunë duke nënvizuar se opozita duhet të kthehet në Kuvend, shkruan “TemA”.

“Duke pasur parasysh protestat në Shqipëri, ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore si një tipar thelbësor dhe një vlerë thelbësore e demokracisë.

 Gjithashtu ne fuqimisht denoncojmë çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bëjnë thirrje për dhunë.

Për më tepër, vendimi i opozitës për heqjen dorë nga mandatet e tyre pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri.

Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të merren përpara, e jo të bojkotohen.

Këto vendime dhe akte janë kundërproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të shtetasve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian pret që të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunshme dhe deklaratat incendiare.

Ne po ashtu presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, shkruhet në deklaratën e përbashkët. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje