Ilan Shor nuk mund të jetë kampion i të varfërve, edhe për standardet e një vendi ish-komunist si Moldavia. Vitin e kaluar, biznesmeni i lindur në Izrael u dënua me shtatë vjet e gjashtë muaj burg për një mashtrim bankar me vlerë 1 miliard dollarë, që u kushtoi taksapaguesve të Moldavisë sa 12 për qind e ekonomisë së vendit. Shor është i martuar me një yll të popit.
Emri i skenës që përdor bashkëshortja e tij ruse është Jasmin. Të dy njihen për prirjen për jetën luksoze dhe pushimet në Cote d’Azur. Ndërsa po përfiton nga liria me kusht, Shor e ka apeluar vendimin dhe aktualisht është kryetar bashkie. Ai i mohon akuzat dhe është aktualisht kandidat në zgjedhjet parlamentare që mbahen në fundjavë.
“Do të ndërtojmë infrastrukturën e vendit, njësoj siç ishte në kohën e Bashkimit Sovjetik”, ka premtuar para anëtarëve të partisë së tij politikani 31-vjeçar. Programi i tij politik parashikon “ringjalljen e Moldavisë si një shtet i lulëzuar në bashkim me Rusinë”.
Fushata zgjedhore e Shorit dhe skandali i tij bankar janë elementët që zbulojnë Moldavinë si një vend me korrupsion në nivele spektakolare. Mes Lindjes dhe Perëndimit, Moldavia dikur konsiderohej një reformatore model nga Bashkimi Evropian. Tani duket shumë jofunksionale qoftë për t’u integruar, qoftë për t’u injoruar, një “parajsë” për pastrimin e parave, trafikimin dhe ndërhyrjen ruse nga dera lindore e bllokut europian.
Skandali i vitit 2014, që moldavët e quajtën “vjedhja e shekullit”, nxjerr në pah marrëdhëniet e brishta të vendit me demokracinë, ndryshoi hartën e saj politike dhe ende ndikon në qëndrimet e njerëzve që do të votojnë këtë fundjavë.
Rasti në fjalë reduktoi mbështetjen për partinë kryesore pro-perëndimore. Udhëheqësi i saj, ish-kryeministri Vlad Filat, u dënua dhe u burgos, edhe pse ai e quan veten të pafajshëm. Ky skandal krijoi një bllok të ri pro-demokraci, anti-establishment, i quajtur Acum, ose Tani, dhe i dha një shtytje masive Partisë Socialiste pro-Rusi. Kandidati i saj, Igor Dodon, fitoi presidencën në vitin 2016. Sondazhet e opinionit sugjerojnë se socialistët të dielën do të dyfishojnë 20 përqindëshin e votave që fituan në 2014.
Për disa, nuk është rastësi që pro-rusët kanë përfituar politikisht nga skandali i mashtrimit. Qeveria e akuzon themeluesin e saj, Veaceslav Platon, se është agjent rus.
Një tjetër personazh i kësaj kategorie, Platon është një moldav që gëzon edhe shtetësinë ruse, i martuar me ish-Miss Ukrainën. Ai është dënuar me 18 vjet në 2017-n për rolin e tij në skandalin ku u përfshi Shor. Platoni gjithashtu është përmendur në një hetim të veçantë të një skeme të pastrimit të parave me vlerë 20 miliardë dollarë, e njohur ndryshe si dosja “Lavanteria ruse”.
Partia qeverisëse, Partia Demokratike e Moldavisë, ose PDM, udhëhiqet nga njeriu më i pasur i vendit, Vladimir Plahotniuc. Shumë njerëz, duke përfshirë diplomatë perëndimorë të intervistuar për këtë artikull, thonë se ai dhe aleatët e tij kontrollojnë gjykatat, Shorin dhe, deri në njëfarë mase, socialistët.
I pyetur për këto akuza, zëvendësi i Plahotuniuc thotë se sistemi ligjor po rishikohet. Ai gjithashtu vuri në dukje se reformat kanë qenë të vështira për t’u zbatuar, por partia e tij mendon se ato janë dëshmi e faktit që Moldavia, më në fund, ka filluar “pastrimin e shtëpisë”.
“Ne të gjithë në Moldavi tani pranojmë se jetojmë në një shtet të kapur nga mafia”, thotë bashkëdrejtuesi i Acum, Andrei Nastase. Ai i fitoi zgjedhjet si kryebashkiak i kryeqytetit Chisinau, vitin e kaluar, por rezultati u përmbysn nga gjykata. BE reagoi duke pezulluar 100 milionë euro ndihma për Moldavinë dhe duke e akuzuar qeverinë se ka dëmtuar demokracinë e vendit.
Bloomberg -TemA TV
Njerez qe duan te jetojne apo bashkejetojne me mise , qe veshin masken e komunistit apo socialistit , qe bejne jete lluksoze , jane hipokrite ndaj duhet qe jo hajdutet , pra pjesa dermuese e shoqerise , ti distancoje ..! Nuk me intereson per kete moldavezin , por per patriotet e mij duke ju bere mesazh ” merrni ne duar fatin tuaj , largoni me voten tuaj te lire e te ndereshme “ligesine” e vendit , pamvaresisht se c`emer ka , ndertoni klasen tuaj politike me elemente te pershtateshem nga rradhet tuaja , me njerez te halleve qe nuk e kane “krimbin” e pasurise qe te ha perbrenda , qe i kuptojne reformat sociale “..!