Partizani vazhdon të mos humbasë në derbi që nga fillimi i vitit 2014 dhe presidenti Gazmend Demi nuk mund të mos e fshihte kënaqësinë për këtë rezultat të rradhës pozitiv ndaj bardhebluve, duke theksuar në intervistën për mediat se në kryeqytet u zhvillua një ndeshje shumë e bukur.
Vazhdoni të jeni të pamposhtur në derbi…
Ishte ndeshje e bukur, kjo është e rëndësishme. Këto mposhtjet janë për muhabet. Duhet të fitonin ne në fakt për të ecur mirë, por edhe barazimi i këndshëm për të dyja ekipet. Ishalla të dyja ekipet të forcohen më shumë.
Ju kënaq loja?
Unë e kam tipin që mërzitem vështirë, ndeshja ishte e bukur, barazimi ishte i duhuri.
Jeni më pranë titullit pas këtij derbi?
Ka shumë ndeshje, ka dhe 12 ndeshje. Nuk jemi as pranë as larg.
I kënaqur për paraqitjen e skuadrës së tij, presidenti i Tiranës Refik Halili, vlerësoi lojën e Tiranës në derbi ndërsa shpalosi edhe objektivat në një intervistë për mediat duke theksuar se bardheblutë në këtë sezon do të kapin Europën.
DERBI – “Do ishte mirë që ndeshja të fitohej. Ky është futbolli dhe të tria rezultatet janë brenda. Më vjen keq për tifozët, pasi na kanë mbështetur shumë dhe sot ishin fantastikë. Falënderoj tifozët për mbështetjen dhe fakti që nuk fituam për ta, është për të ardhur keq.”
PAKTI – “Unë nuk jam i kënaqur, do të isha i tillë nëse do të fitonim. Unë kam bërë një pakt me lojtarët para ndeshjes kundër Kukësit dhe me zë të ulët. Duhet të bëjmë maksimumin dhe të shohim përpara, pasi kampionati është i gjatë. Kemi bërë një bisedë dhe kemi rënë dakord të gjithë së bashku për objektivat. Ia kemi arritur deri diku dhe nëse do të kishim marrë një fitore sot, do të meritonin notën 10.”
OBJEKTIVI – “Europën do e arrijmë, si nga kampionati, si nga Kupa. Jam i bindur për këtë gjë. Do të luftojmë për të arritur Europën, por dhe do të bëjmë maksimumin për të arritur te liçencimi. Do të paguajmë këtë gjobë të tmerrshme, si shumë gjoba të tjera. Jam i hapur për aksionarë dhe për bashkëpunëtorë te Tirana. Kush do të vijë këtu, e ka derën e hapur.”