Paqe në derbin e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani ndajnë nga një pikë!

1 Mars 2019, 20:00Sport TEMA

Është mbyllur në barazim super sfida e javës së 24-të e Kategorisë Superiore mes Tiranës dhe Partizani e zhvilluar në stadiumin “Selman Stermasi”.

Takimi më i bukur i futbollit shqiptar siç është derbi i kryeqytetit nuk dhuroi asnjë gol duke përfunduar me rezultatin e bardhë 0-0.

Një barazim që ruan pathyeshmërinë e Partizanit që nuk njeh humbje në derbi prej 5 vitesh, ndërsa Tirana nuk arriti dot edhe këtë herë që të thyente këtë mallkim edhe pse zhvilloi një 90-minutësh më të mirë se 15 herë kampionët e vendit.

Nën një atmosferë spektkolare të krijuar nga të dyja tifozeritë të cilat e kishin mbushur plot impantin “Selman Stermasi”, Tirana e dominoi takimin më tepër duke krijuar disa raste të arta për shënim me anë të shtatlartit Ngoo, i cili u ndal dy herë mrekullisht nga ana e portierit Alban Hoxha.

Ndërkohë, për të kuqtë mundësinë më të artë për shënim e kishte mesfushori Bruno Telushi, i cili me një goditje të fuqishme nga jashtë zone u ndal në shtyllë.

Në fund gjithçka u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0 me të dyja ekipet që ndan nga një pikë.

Partizani ruan vendin e parë në kuotën e 50-pikëve, ndërsa Tirana pozicionohet në vendin e shtatë me 29-pikë. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje