Sot zhvendosemi në Uells… Do të thoni pse? E thjeshtë, përralla që do të tregojmë është nga ato inkurajueset. Do të flasim për Cardiff, por jo ai që luan në Premier League dhe që me Nantën ka ndezur një betejë ligjore mbi transferimin e Emiliano Sala, futbollistit që u nda nga jeta tragjikisht. Po për një tjetër Cardiff. Quhet Cardiff Metropolitan University Football Club (ose shkurt Cardiff MUFC). Skuadër e përbërë nga studentë të diplomuar pranë universitetit që ka edhe emrin klubi. Një universitet që i ka dhënë gjithmonë rëndësi disiplinave sportive. Skuadra, vetëm dy vite më parë, ka fituar të drejtën të luajë në elitë, pasi ka “lundruar” mes kategorive inferiore.
Sivjet, për të dytin vit radhazi, ka mundësinë që të arrijë një triumf historik. Nëse do të ndodhte, nuk mund të mos flasim për diçka të magjishme, të pabesueshme.
Sigurisht, në Uells njohim The New Saints, ose ndryshe “TNS”, që sivjet po lufton për titullin në grupin e parë (sipas rregullores së ndarjes mes Championship group dhe Relegation group) me Connah’s Quay.
Por, luftohet edhe për vendet e tjera, ato që të çojnë në Europë, natyrisht, dule kaluar mes turit të parë eliminator të Europa League. Vjet, Cardiff Metropolitan pati shansin të realizonte ëndrrën, bashkë me ata studentë, disa nga të cilët nuk janë më, por sivjet do të ritentojë. Në garë për të luajtur play-off por edhe në Kupën e Uellsit, triumfi në të cilën do t’i jepte biletën për në grupet e Europa League.
Edhe pse luajnë në elitën uellsiane, asnjë nga të federuarit nuk mund të konsiderohet profesionist dhe asnjë nga ata nuk fiton rrogë. Përkundrazi, paguajnë nga xhepi i tyre për të financuar klubin, si për shpenzimet e transfertave, akomodimit, ashtu edhe në logjistikë, pra fanella, këpucë, palestrina dhe veshmbathje.
Rezultatet që po arrijnë janë të mrekullueshme dhe ai që duhet të ishte thjesht hobby po kthehet në objektiv, më shumë se pasion. Doktorët e të ardhmes që luftojnë për Europën. Pikërisht atë që ne bëjmë të enjteve zakonisht, pra të mblidhemi me shokët në kalçeto, ato do ta bëjnë në fushë, në Europa League, nëse ia arrijnë.
Ikim nga Uellsi, për t’u kthyer, ndoshta, kur kjo ëndërr të jetë bërë realitet. Kryqëzojmë gishtat!