Piloti gjerman i Ferrarit është aksidentuar me njëvendëshen e tij në ditën e dytë provave gjatë testimit të makinës në Barcelonë.
Sebastian Vettel tremb botën e Formula 1, pak javë para nisjes së kampionatit në garat me makinat e shpejta, duke sjellë panik tek të pranishmit.
Por pavarësisht nga përplasja e dhunshme, Vettel ia hodhi paq, me gjermanin që u shfaq i qeshur pas incidentit. 31 vjeçari u përplas me muret rrethuese gjatë testimit të makinës në pistën e Spanjës. Shkak i humbjes së kontrollit të makinës nga Vettel besohet të jetë një problem mekanik.
Deri në atë moment, katër herë kampioni i botës kishte përshkruar 40 xhiro, duke regjistruar kohën e dytë më të shpejtë të ditës. Gjermani e përshkoi pistën në kohën 1 minutë 18 sekonda e 195 të mijëtat.
Ky nuk është problemi i parë që has Ferrari i këtij sezoni, pasi ditën e djeshme, probleme shfaqi njëvendëshja e Charles Leclerc.