Intervistë me Yael Tamir, presidente e Kolegjit Shenkar në Izrael dhe një ish-politikane
Në fund të shekullit të 20-të, nacionalizmi dukej si një anakronizëm. Sot është kthyer me furi. Yael Tamir, një shkencëtare politike izraelite dhe ish-politikane dhe aktiviste, beson se e majta duhet ta rimarrë atë dhe ta përdorë.
Në vitet 1970, znj. Tamir ndihmoi në themelimin e lëvizjes “Peace Now” (Paqe Tani) në Izrael, e cila përkrah bisedimet për paqe midis Izraelit dhe fqinjëve të saj. Më vonë studioi filozofi politike nën udhëheqjen e Isaiah Berlin në Universitetin e Oksfordit. Një ligjvënëse laburiste në Knesset (parlamenti izraelit) nga viti 2003 deri në vitin 2010, ajo gjithashtu shërbeu si ministre e arsimit dhe imigrimit.
Në librin e saj të parë, “Nacionalizmi Liberal”, botuar në vitin 1993, ajo argumentoi – kundër një vale globalizmi në rritje – që nacionalizmi ende kishte një rol për të luajtur dhe se mund të ishte plotës i liberalizmit. Në librin e saj më të fundit, “Pse nacionalizmi”, zonja Tamir e zhvillon këtë ide në një botë shumë të ndryshme. Ajo beson se nacionalizmi duhet të ridrejtohet drejt qëllimeve progresive, si krijimi i koalicioneve ndër-klasore dhe ndarja më e barabartë e përfitimeve të zhvillimit.
Si pjesë e nismës sonë Open Future (E ardhmja e hapur), ne e pyetëm znj. Tamir nëse ishte e mundur të përvetësohej nacionalizmi pa nxitur shprehjet më toksike, si racizmi. Ne gjithashtu e pyetëm nëse forcimi i sovranitetit kombëtar nënkuptonte heqjen dorë nga përfitimet ekonomike dhe politike në rend ndërkombëtar.
The Economist: Libri juaj mbështet idenë e ripërqafimit të nacionalizmit. Si e përkufizoni nacionalizmin dhe çfarë sërë idesh shoqëroni me të?
Yael Tamir: Nacionalizmi është i lidhur ngushtë me idenë e sovranitetit të popullit dhe rrjedhimisht me shfaqjen e shteteve moderne demokratike. Pika e tij fillestare është se respekti për identitetin kombëtar është një aspekt i rëndësishëm i dinjitetit njerëzor dhe se roli i institucioneve politike është të mbrojë dhe të ushqejë këtë identitet. Duke mbajtur gjallë kulturën dhe vlerat kombëtare, nacionalizmi nuk duhet t’i konsiderojë ato superiore. Ashtu si me marrëdhëniet e tjera të bazuara në përkatësi, kujdesi për mirëqenien e një personi apo grupi të caktuar është një reflektim i një lidhjeje dhe jo një renditjeje objektive. Ndryshe nga format fanatike të nacionalizmit që e vënë vendin mbi të gjitha, format liberale të nacionalizmit festojnë autenticitetin dhe jo superioritetin.
The Economist: Një pjesë thelbësore e argumentit tuaj mbështetet te roli historik që shteti-komb ka luajtur si një gur themeli i modernizimit, demokratizimit dhe zhvillimit të të mirave publike, siç është arsimi publik universal. Si i pengoi globalizmi këto zhvillime dhe pse mendoni se nacionalizmi ende ka një rol konstruktiv për të luajtur?
Zonja Tamir: Siç argumenton Thomas Piketty, shteti-komb lejoi zhvillimin e “shtetit social” që ofroi shërbime universale të cilat janë falas dhe publike. Ai edukoi qytetarët e tij, hapi mundësi të reja profesionale, lehtësoi lëvizshmërinë sociale dhe forcoi lidhjet e solidaritetit. Vala e re e globalizmit neo-liberal ndryshoi rendin e prioriteteve. Asetet kombëtare – si gjuha kombëtare, njohuritë kulturore, lidhjet lokale dhe kohezioni social – u shndërruan në një barrë. Suksesi u bë i varur nga përshtatshmëria dhe lëvizshmëria, nga të qenit më pak të lidhur dhe të përkushtuar ndaj bashkatdhetarëve dhe më shumë të fokusuar në mirëqenien personale të dikujt. Nuk është çudi që shërbimet publike po përjetojnë një krizë të vazhdueshme. Një ringjallje e koalicionit ndër-klasor, karakteristik për shtetin-komb, është i nevojshëm nëse duam të promovojmë një rend shoqëror më të drejtë, duke zhbërë disa nga padrejtësitë që ka shkaktuar globalizmi.
The Economist: Nacionalizmi është i lidhur ngushtë me disa nga mizoritë më të këqija të shekullit të 20-të. A mundet që vërtetë të përmbahen furitë e dhunshme të nacionalizmit gjatë përpjekjes për të shfrytëzuar përfitimet që ju ia atribuoni? Nëse jo, a ia vlen ky shkëmbim?
Zonja Tamir: Nazizmi, fashizmi dhe marksizmi na mësuan se ideologjitë mund të shkaktojnë dëm kur çohen drejt përfundimeve të tyre logjike. Kompromiset dhe zgjidhjet e mesme janë më pak të zakonshme dhe jo shumë popullore këto ditë. Shfaqja e formave ekstreme të nacionalizmit, të lidhura me ksenofobinë, racizmin, mizogjininë dhe antisemitizmin, tregon se sa e lehtë është të kalohen kufijtë moralë. Neoliberalizmi brutal dhe nacionalizmi ksenofobik janë një shprehje e ideve të çmuara të dala nga rruga e drejtë. Për të kapërcyer krizën e tanishme, si nacionalizmi dhe liberalizmi duhet të përmbahen dhe të balancohen me njëri-tjetrin për të prodhuar një lloj më të mirë liberalizmi, një liberalizëm për njerëzit, që mund të zbusë disa prej frikërave që prodhojnë llojet ekstreme të nacionalizmit dhe të ndihmojë të rishkruajë një marrëvesje të re që ushqen interesim ndaj të mires së përbashkët. Siç deklarohet me të drejtë në manifestin e The Economist, gjendja e tanishme kërkon që liberalët “të ndalojnë së përqeshuri nacionalizmin, por ta marrin për vetë ata”.
The Economist: A është e mundur që të ketë një nacionalizëm që lejon bashkëpunim të thellë shumëpalësh (si NATO-ja) apo institucione mbikombëtare (si BE-ja) pa nxitur armiqësi si ato që i dhanë shtysën Brexit-it?
Zonja Tamir: Historikisht dhe teorikisht, institucionet ndërkombëtare si dhe organizatat rajonale u ngritën për të lehtësuar bashkëpunimin midis shtet-kombeve. Lidhja e Kombeve, Kombet e Bashkuara, Komuniteti Europian, si shumë organizata të tjera ndërkombëtare duke nisur nga FIFA e deri te Eurovizioni, u ngritën për të vendosur rregullat e partneritetit dhe konkurrencës. Kur, si në rastin e Brexit, bashkëpunimi konsiderohet më shumë si barrë sesa si pasuri, lind një dëshirë për të rishikuar rregullat e bashkëpunimit. Siç tregojnë negociatat aktuale, mbështetësit e Brexit-it nuk sfidojnë nevojën për bashkëpunim ndër-kombëtar, por dëshirojnë t’i ristrukturojnë ato në mënyra që u japin përparësi vetëqeverisjes. “Nacionalizmi izolues” – lloji i nacionalizmit që i kthen shpinën botës – është përjashtimi, jo rregulli.
The Economist: Ju shkruani: “Me përhapjen e globalizmit dhe neoliberalizmit, kompetencat e fituara rishtazi nga qytetarët po bëheshin gjithnjë e më të pakuptimta dhe më pak të zbatueshme në jetën e përditshme.” Kjo është një pikë bisede e përbashkët midis nacionalistëve të vijës së ashpër, në Evropë dhe gjetkë. Por a mund të citoni shembuj të vendimeve specifike që u janë hequr qytetarëve? Cilat nga këto do të rivendosni (duke shmangur terma disi të paqarta si “sovraniteti”)? A është e mundur të bëhet kjo pa dëmtuar tregtinë e lirë apo bashkëpunimin ndërkombëtar për çështje si ndryshimi i klimës?
Zonja Tamir: Qytetarët po humbasin fuqinë para korporatave ndërkombëtare (si Facebook-u dhe Amazon), organizatat ndërkombëtare (si Banka Botërore dhe OECD-ja) dhe traktatet dhe marrëveshjet rajonale (si BE-ja dhe NAFTA), të cilat në mënyra të ndryshme i bëjnë individët shumë më pak të aftë për të ushtruar kontroll mbi jetët e tyre. Protestat e fundit tregojnë dëshirën popullore për të thënë “jo”. I tillë ishte rebelimi grek kundër politikave shtrënguese të diktuara nga Banka Qendrore Evropiane ose politikat e emigracionit të përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
Nga ana tjetër, përpjekja për të parandaluar Amazon që të marrë 3 miliardë dollarë në stimuj nga qyteti i Nju Jorkut është gjithashtu një përpjekje për të kufizuar fuqinë e mega-kompanive që zotërojnë mjetet e komunikimit, vendosin rregullat e privatësisë dhe u marrin bizneseve dhe organizatave vendore fuqinë ekonomike dhe politike. Ne po hyjmë në një epokë të re në të cilën interesat e “njerëzve në cepin tjetër të rrugës” janë faktori vendimtar, duke i dhënë prioritet lokales në vend të globales. Ajo çfarë është e nevojshme, argumenton ekonomisti i Harvardit Dani Rodrik, është të përdoren mjetet ekonomike të nevojshme (duke përfshirë kufizimet tregtare) për të ruajtur kontratën sociale vendore dhe për të siguruar “mirëqenie gjithëpërfshirëse”.
Sa u përket çështjeve ekologjike, shtet-kombet individuale nuk munden të përballen të vetme me sfida si ngrohja globale apo ajri i pastër. Megjithatë, do të ishte gabim të arrihej në përfundimin se kjo dëshmon se janë të tepërt. Krizat globale nuk mund të trajtohen pa një bashkëpunim të vazhdueshëm midis shteteve të qëndrueshme dhe të suksesshme. “Vendet paqësore, të begata dhe liberale, si Suedia, Gjermania dhe Zvicra, të gjitha gëzojnë një ndjenjë të fortë nacionalizmi”, vëren historiani Yuval Noah Harari. “Lista e vendeve që nuk kanë lidhje të fuqishme kombëtare përfshin Afganistanin, Somalinë, Kongon dhe shumicën e shteteve të tjera të dështuara”.
Sipas këtij përshkrimi, një ndjenjë e fortë e kombësisë është një komponent i domosdoshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar. Kjo nuk do të thotë se shtetet nuk do të përpiqen të negociojnë, për të maksimizuar përfitimet e tyre dhe për të minimizuar kostot. Organizatat ekzistuese ndërkombëtare ose rajonale (si Banka Botërore, OECD-ja ose BE-ja) shpesh fajësohen se i shërbejnë interesave të kombeve të fuqishëm, duke injoruar nevojat e atyre më të dobët. Dhënia e fuqisë për kombet më të vogla që të shprehin preferencat e tyre mund të krijojë një botë që qeveriset më mirë.
The Economist: Ju jeni nga Izraeli, një vend që është në një farë mënyre një rast i veçuar: i vogël, kryesisht koheziv (brenda popullsisë së tij hebraike) dhe relativisht i pasur. A ndikon kjo në pikëpamjen tuaj pozitive ndaj nacionalizmit? Si zbatohen idetë tuaja për kombet me karakteristika të ndryshme, si Kina, Amerika, Kongo apo Mianmari?
Zonja Tamir: Pa dyshim, sfondi im ndikon në të menduarin tim. Njerëzit supozonin se e gjithë bota po lëvizte në një epokë post-kombëtare dhe nacionalizmi izraelit ishte një përjashtim: vala aktuale e ringjalljes kombëtare tregon se nuk është kështu. Neoliberalizmi global nuk mund të ofronte një alternativë të qëndrueshme politike. Ai la pa përgjigje ambiciet më themelore njerëzore: të jenë autonomë dhe vetëqeverisës, të përkasin, të jetojnë një jetë kuptimplotë, të jenë pjesë e një komuniteti krijues, të jenë krenarë, të gëzojnë ndjesinë (ose iluzionin) e stabilitetit dhe vazhdimësi ndër-gjeneratash. Duke injoruar këto nevoja, globalizmi humbi thelbin njerëzor. Nuk është për t’u habitur që nga kriza aktuale, nacionalizmi del si fitues.
Situata në pjesët jo-perëndimore të botës ndryshon. Në këto pjesë të botës, globalizmi ndihmoi në ndërtimin e një klase të mesme të arsimuar të re, e cila tani po riorganizon peizazhin politik. Nacionalizmi ndërvepron me praktikat tradicionale politike, duke reflektuar strukturat lokale kulturore, tradicionale dhe politike. Në shoqëritë fisnore (si shumë shtete afrikane) nacionalizmi ka gjasa të ndjekë linjat fisnore; në shoqëritë autoritare (si Kina) ka të ngjarë të reflektojë traditën politike të centralizimit. Rrjedhimisht, në vendet që nuk kanë traditë liberale ose demokratike, shfaqja e nacionalizmit liberal apo e formave të tjera të liberalizmit nuk ka gjasa të ndodhë.
The Economist-Përgatiti për TemA Javore, Kebriona Veliaj