Qeveria e Kosovës: Serbia të njohë Kosovën-shtet para bisedimeve. Vuçiç: Do reagojmë ashpër

8 Mars 2019, 20:36Rajoni TEMA

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, pas takimit që zhvilloi me Presidentin e Serbisë u bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha sot në Beograd se Platforma e dialogut me Beogradin, të cilën e miratoi Kuvendi i Kosovës “në thelb paraqet vendimin e Prishtinës për t’i dhënë fund dialogut me Beogradin”. Këtë deklaratë Presidenti i Serbisë Vuçiç e bëri gjatë një takimi që zhvilloi me nënsekretarin amerikan të Shtetit për Çështje Politike, David Hale, i cili po qëndron në Beograd, ku me pas do të vizitojë edhe Prishtinën. Presidenti i Serbisë tha se “qëndrimi i Beogradit karshi situatës së re të krijuar do të jetë i vendosur, serioz dhe i përgjegjshëm”.

“Në një afat relativisht të shkurtër kohor do të marrë masa, me të cilat do të reagojë ndaj mospërmbushjes së obligimeve nga marrëveshja e Brukselit, vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe ndërprerjes së dialogut me Serbinë nga ana e Prishtinës”, shprehet Aleksandër Vuçiç sipas një komunikate të Presidencës së Serbisë. Vuçiçi thuhet më tej se”e ka paralajmëruar prej kohësh Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe ekipin e saj se miratimi i platformës së Prishtinës nuk lë vend për kompromis dhe si e tillë ajo është kundër dialogut”.

Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten platformën e dialogut, ku Prishtina zyrtare e ka vënë një kusht për t’u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave në Bruksel, “dëshiron zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bierë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”.

“Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme Kosovë-Serbi, duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi”, thuhet në platformën e Prishtinës.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian nga ana e tyre nuk e kanë komentuar Platformën e Prishtinës, por kanë thënë se palët duhet të dialogojnë dhe të arrijnë marrëveshje që është në interes edhe të rajonit.

“BE nuk i komenton qëndrimet e disa palëve në dialogun ndërmjet Serbisë e Kosovës. BE kërkon që Kosova ta ndërpresë taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe të vazhdohet me dialog, në mënyrë që të arrihet deri te marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme ndërmjet të dy vendeve”, ka deklaruar Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Komisionit Evropian.

Presioni ndaj Prishtinës zyrtare që ta pezullojë taksën ndaj mallrave serbe dhe të kthehet në dialog me Serbinë, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje me Serbinë, po vazhdon edhe nga SHBA. Numri tre i administratës amerikane, nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, gjatë vizitës në Beograd “u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje për heqjen e taksës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë raporte edhe më të fuqishme”, citohet të ketë thënë David Hale, deklaratë e publikuar në Twitter nga ana e Ambasadës së SHBA-së në Beograd. Nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, pas Beogradit viziton Prishtinën dhe sipas ambasadorit amerikan në Beograd, “nënsekretari David Hale viziton Beogradin dhe Prishtinën për të inkurajuar palët që të kthehen në dialog nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”.

6 komente në “Qeveria e Kosovës: Serbia të njohë Kosovën-shtet para bisedimeve. Vuçiç: Do reagojmë ashpër”

  1. ¿ says:

    Amerika dhe Anglia janë në mauvaise humeur. Bënë mirë Beogradi të mos hedh benzin në zjarr.

  2. Analisti amator says:

    Perfundimisht, vizioni i Hajredinaj fitoi. Patriotizmi populist ka marre vrull. Deklaratat nga kampi i Hajredinaj sa vine e po behen me te forta. Kulmin Hajredinaj e arriti kur tha qe ideja e ndarjes se Kosoves dhe Shqiperise eshte ide e Serbit. Komplet patriot Evropian qe nuk eshte dakort as me “Shqiperine e Madhe”. As qe pordhi Amerikanin, qe duan kete vit te nenshkruhet marreveshja. Hajredinaj urdheron qe Serbi te njohi njehere Kosoven dhe pastaj te bisedojme…etj etj. Shanci qe u dha u doq. Kosovaret dhe “patriotet” Shqiptare do u lene per si komsi femijeve te tyre, armikun shekullor. Qysh sot Vucic deklaroi:”Sikter me pacavuren tuaj, ju banda e Prishtines” duke ju referuar platforms se Parlamentit te Kosoves. Per hajer na qofte!

  3. vp says:

    Bisedime pa njohur Kosoven si shtet te pavarur nuk ka
    Per cfare te bisedojme ?
    Nuk kemi nevoj te bisedojme me nje pale qe nuk na njef prandaj edhe vendosim taksat kundrejt importeve nga ky vend sa te na doj “trapi” dhe as na behet vone

  4. Flamuri says:

    Taksa nuk duhet hequr.Nuk marrin vesht serbet ndtydhe.

  5. Kozmos says:

    SA TE JETE MOGERINI , KOSOVA NUK DUHET TE PRESI NDRYSHIME .

  6. Illyricus says:

    Une, si jo politikan, e uroj kryeministrin Haradinaj per platformen dhe qendrimin.
    Fakt qe duhet me permed eshte se bisedimet e deritanishme kane qene mes Serbise dhe Europes, me pranine e rrebelve Shqiptare per Kosoven qe Serbia nuk e njeh te pamvarur.
    Bisedimet aspak nuk kane qene mes Serbise e Kosoves. Me ne fund erdhi koha qe Shqiptaret ta kuptojne se duhet nje levizje e forte per me u lene me kuptu te gjithve se pamvarsia e Kosoves nuk ishte loje, por nje fakt qe ose duhet me e njoft ose me na u heq sysh.
    U lutem qeverise te Kosoves mos me u dorzu.
    Nuk ju trembet Serbise kur u kishte ne zotrim, dhe kercenimet e sotme vetem i prishin pune atij qe i thote, dhe vazhdojne te mos e kuptojne se me ke jan tu fol.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje