Stipe Mesiç mbron udbashët e dënuar për vrasje dhe e quan drejtësinë gjermane naziste

8 Mars 2019, 11:41Rajoni TEMA

Drejtësia gjermane ka dënuar me burgim të përjetshëm dy ish-udhëheqës të shërbimit sekret jugosllav. Të dy janë kroatë. Ata akuzohen se kanë organizuar vrasjen e disidentit Stjepan Gjurekovic, i cili ishte kundërshtar i regjimit të Josip Broz Titos dhe mbante lidhje me emigracionin shqiptar në Gjermani. Dënimi i udbashëve kroatë në München nuk po i pëlqen Stipe Mesicit, kryetarit të fundit të Jugosllavisë dhe kryetarit të Kroacisë në dy mandate. Përse?

Nga Enver Robelli

Josip Perkoviqi dhe Zdravko Mustaqi, të dy shefa të mëhershëm të shërbimit sekret jugosllav dhe kroat (derisa Kroacia ishte pjesë e Jugosllavisë), janë dënuar në vitin 2016 në München me burgim të përjetshëm për shkak se kanë organizuar vrasjen e disidentit Stjepan Gjurekoviq në landin gjerman të Bavarisë. Gjurekoviqi, menaxher i kompanisë jugosllave të naftës INA, pas arratisjes në Gjermani në fillim të viteve ’80 ishte kërcënuar se do t’i bënte publike skandalet dhe korrupsionin e «bandës së kuqe komuniste». Gjurekoviqi mbante kontakte të ngushta me emigracionin shqiptar, kishte shkruar edhe një roman për terrorin serb në Kosovë; në varrimin e tij morën pjesë edhe disa aktivistë shqiptarë.

Gati tri vite pas shpalljes së aktgjykimit kundër Josip Perkoviqit dhe Zdravko Mustaqit, avokati kroat Ante Nobilo ka botuar librin «Obrana hrvatskog kontraobavještajca Josipa Perkovića na njemačkom sudu» («Mbrojtja e kundërzbuluesit kroat Josip Perkoviq në gjyqin gjerman»). Në promovimin e librit në Sarajevë ka marrë pjesë edhe Stipe Mesiqi, kryetar i fundit i Jugosllavisë dhe kryetar i Kroacisë në dy mandate. Mesiqi vlerësohet sidomos në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë për qëndrimet e tij këmbëngulëse kundër Sllobodan Millosheviqit në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë. Në Sarajevë Mesiqi tha se pas leximit të librit të Nobilos e ka kuptuar se në drejtësinë gjermane ende është gjallë fryma naziste. Mesiqi akuzoi autoritetet kroate për ekstradimin ilegal të Perkoviqit dhe Mustaqit në Gjermani. Sipas Mesiqit libri i Nobilos tregon se drejtësia gjermane ende nuk ka kaluar nëpër katarzë dhe në praktikimin e gjykimeve ende ka mbetur në kuadër të një sistemi që ngaherë e ka humbur betejën. Në promovimin e librir të tij avokati Ante Nobilo e quajti Stjepan Gjurekoviqin «spiun të BND-së», shërbimit të jashtëm sekret të Gjermanisë. Edhe po të jetë kjo e vërtetë, vrasja e tij ka qenë një krim i kryer nga shërbimet sekrete jugosllave. Siç ka qenë krim vrasja e Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës afër Stuttgartit.

Vrajsa nuk parashkruhet, andaj drejtësia gjermane e pati detyruar Kroacinë t’i ekstradojë në Gjermani dy udbashët e njohur – Perkoviqin dhe Mustaqin. Pak para hyrjes në BE më 1 korrik 2013 qeveria kroate u përpoq që, duke ndryshuar ligjin përkatës, të pamundësojë ekstradimin e Perkoviqit dhe Mustaqit. Në shenjë proteste kundër Kroacisë, e cila nuk po respektonte fletarrestin europian, kancelarja Angela Merkel bojkotoi kremtimet në Zagreb me rastin e hyrjes së Kroacisë në BE, për ç’gjë sidomos Gjermania ka merita të mëdha. Pas presionit të madh gjerman, Kroacia u dorëzua. Perkoviqi dhe Mustaqi dolën para gjyqit në München dhe u dënuan me burgim të përjetshëm si organizatorë të vrasjes së Gjurekoviqit. Dy ish-agjentët e shërbimit sekret jugosllav kishin ndërtuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Që nga vitet ’60 shërbimi jugosllav vrau mbi 30 emigrantë kroatë në Gjermani. Në vitin 1981 në Zürich u vra Stanko Nizhiqi, një emigrant antikomunist kroat. Armët për vrasjen e kundërshtarëve politikë agjentët jugosllavë i blinin nga tregtarët perëndimorë dhe i paguanin përmes një firme sekrete në Vaduz, kryeqyteti i Principatës së Liechtensteinit.

Si është e mundur që Stipe Mesiqi të mbrojë udbashët dhe të ngre akuza aq absurde kundër drejtësisë gjermane, duke e quajtur atë naziste? Mesiq në Jugosllavinë e Josip Broz Titos ka qenë funksionar komunist në Kroaci. Për shkak të qëndrimeve të tij përkrahëse për lëvizjen «Pranvera Kroate», e cila synonte reformimin e Jugosllavisë dhe një autonomi më të madhe për Kroacinë, Mesiqi u dënua me burg. Qëndroi një vit në burgun e Stara Gradishkës. Pastaj u lirua dhe punoi si avokat. Pak para shpërbërjes së Jugosllavisë Mesiqi, bashkë me Franjo Tuxhmanin, themeloi Bashkimin Demokratik Kroat (HDZ). Kjo parti i priu betejës për pavarësimin e Kroacisë, por Mesiqi u nda nga Tuxhmani për shkak të rolit të tij destruktiv në Bosnjë-Hercegovinë: bashkë me Millosheviqin Tuxhmani synonte ndarjen e Bosnjës. Angazhimi kundër nacionalizmit kroat i bën nder Mesiqit. Pas vdekjes së Tuxhmanit ai u zgjodh dy herë president i Kroacisë, por dalëngadalë filloi të shndërrohet në një shpjegues jokritik të Jugosllavisë.

Mbrojtja që Mesiq i bën Josip Perkoviqit ndërlidhet me rolin e këtij të fundit në procesin e mëvetësisë së Kroacisë. Perkoviqi konsiderohet si njëri prej agjentëve jugosllavë me informata të gjithanshme dhe të dobishme për çdo qeveri. Kur Jugosllavisë po i afrohej fundi, Perkoviqi u afrua me disidentët kroatë si Franjo Tuxhmani, madje ishte Perkoviqi ai që në fund të viteve ’80 ia dha Tuxhmanit pasaportën e konfiskuar nga regjimi dhe ia bëri të mundshme të udhëtojë në botën e jashtme (me fjalë të tjera: të takojë diasporën kroate). Josip Perkoviqi themeloi shërbimin sekret ushtarak të Kroacisë që po luftonte për shkëputje nga Jugosllavia. I biri i tij Sasha Perkoviqi ishte koordinator për siguri gjatë kohës sa Stipe Mesiqi ishte kryetar i Kroacisë. Pastaj kur Ivo Josipoviqi u zgjodh kryetar i Kroacisë, Sasha Perkoviqi ishte anëtar i këshillit nacional të sigurisë. Familja Perkoviq ka pasur (dhe me gjasë ka ende) ndikim në aparatin e sigurisë në Kroaci.

3 komente në “Stipe Mesiç mbron udbashët e dënuar për vrasje dhe e quan drejtësinë gjermane naziste”

  1. meti says:

    Kesaej radhe zoti Robeli ja ke fut kot,Zoti Mesic i dine shume me mire ,se ti keto pune.Shqiptaret e ish YU kane besim te plote te ish Presidenti Mesic,ai e ka deshmuar kete.

  2. qytetar says:

    Sado te perpiqet nje fare Enver Torobelli nuk e ul dot figuren e proshqiptarit Stipe Mesic e per me shume pro Dardanit.

  3. adi says:

    Robeli ti shkruan disa here per ta pase zili ,por ti je aq i njeanshem sa nuk e mbane toka.Po pse kerkon qime ne gjalpe te Zoti Mesic.Zoti Robeli pse nuk shkruajte njehere realitetin per Rugoven,i cili ishte i rrethuar nga gjitha anet me UDBash,mbrohej nga UDBashet dhe udhetonte ne gjithe boten me dokumenta dhe aeroplan serbi.Po per Saliun pak ka te shkruajshe?Pse nuk shkruan njehere per te Madhin Demaci qe ju ledekeistat e anatemuat me shume se slloben,po Bota Sote…….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje