“Shtrirja” e Kinës në Europë, BE: Dritë jeshile, por duhet unitet i plotë i vendeve anëtare

12 Mars 2019, 17:53Bota TEMA

Kolegji i komisionerëve të BE-së në Strasburg ka dalë me një deklaratë të përbashkët drejtuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Europës mbi ‘vizionin strategjik’ të ri mbi marrëdhëniet BE-Kinë. Teksti paraqet dhjetë rekomandime për shtetet dhe thekson që, ndërsa në njërën anë BE-ja duhet “të thellojë angazhimin e saj ndaj Kinës për të promovuar interesat e përbashkëta”, nga ana tjetër është e nevojshme që shtetet evropiane të jenë në “unitet të plotë”.

Edhe protokolli i mirëkuptimit mes Italisë dhe Kinës për atë që njihet si Rruga e Mëndafshit është shqyrtuar në këtë mbledhje. “E vlerësojmë njësoj si të gjitha protokollet e tjera të nënshkruara nga shtetet e tjera të BE”, tha nënkryetari i Komisionit të BE, Jyrki Katainen, duke kujtuar se 13 shtete të BE kanë nënshkruar tashmë memorandume të ngjashme. “Të gjitha shtetet anëtare që po punojnë në këtë drejtim – shtoi ai – duhet të mbajnë parasysh se ne kemi rregullat tona për transparencën dhe konkurrencën, kështu që prokurimet publike duhet të jenë të hapura për të gjithë”, tha ai.

Interesi i Kinës për të forcuar marrëdhëniet ekonomike me Europën është rritur dukshëm vitin e fundit, pas asaj që është cilësuar si lufta tregtare Kinë-SHBA.

Tashmë janë 13 vendet e BE-së që kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Kinën, ndërsa një tjetër, përveç Italisë, po negocion një të tillë. Siç raportojnë mediat italiane, të cilat u referohen burimeve evropiane, vendet që kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Kinën janë: Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Greqia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Portugalia, Sllovakia dhe Sllovenia. Luksemburgu po negocion një të tillë. Në princip, BE-ja nuk kundërshton nënshkrimin e këtyre bashkëpunimeve, por shton se gjithçka varet nga përmbajtja e tyre.

“Po bëhet konfuzion i madh në lidhje me këtë marrëveshje, e cila nuk është një marrëveshje, është një memorandum mirëkuptimi. Ne i vlerësojmë parimet e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar që përcaktohen në të gjitha dokumentet evropiane, nuk ndryshojmë rregullat tregtare dhe ekonomike”, është shprehur ministri italian i Ekonomisë, Giovanni Tria, pas interesit dhe debatit që hapi lajmi për bashkëpunimin me Kinën në projektin e Rrugës së Mëndafshit. Këtë debat, Tria e quajti “stuhi në gotë”. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje