Ndërsa zgjedhjet lokale po afrojnë, ambasadorja Franceze në Shqipëri, Christina Vasak shpreh rezerva për reformën territoriale.
Gjatë një aktiviteti në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, nën kujdesin e rektores Kseanela Sotirofski, ambasadorja Vask u shpreh se pas ligjit të decentralizimit, pushteti lokal ka më shumë kompetenca, por kjo nuk është përkthyer në rritjen e financimit.
“Secili prej jush e mendon se sa të gjera dhe të larmishme janë sfidat për njësitë e qeverisjes vendore që prej ligjit të decentralizimit. Bëhet fjalë për një rritje të kompetencave, por pa shoqëruar me burimet e duhura financiare”, tha ajo.
Një tjetër shqetësim që ngriti ambasadorja Vask ishte mungesa e fondeve të orientuara për trajnimin e punonjësve të bashkisë. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, ambasadorja përmendi disa shifra.
“Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, në vitin 2017 rreth 87% kanë patur detyrimin të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre. Për të përforcuar luftën kundër korrupsionit, një rrjet koordinatorësh vendorë është krijuar në 56 % të bashkive të vendit. Pothuajse në 1/4 të bashkive ka një person kontakti për luftën kundër korrupsionit. Një pjesë e mirë e bashkive ka marrë pjesë në një trajnim për luftën kundër korrupsionit. Tani çështja është për të hartuar politika për luftën kundër korrupsionit në nivel territorial”.
Këto deklarata, ambasadorja Franceze i bëri gjatë një konference shkencore në universitetin “Aleksandër Moisiu”, në qytetin e Durrësit.
Përgatiti për “TemA Tv”, Mariglen Kume.