“Kjo do të jetë ndeshja ime e fundit”, Hamdi Salihi tërhiqet nga futbolli i luajtur

28 Mars 2019, 21:50Sport TEMA

Hamdi Salihi për shumë vite ka qenë “mbreti i golit” në futbollin shqiptar dhe ka entuziazmuar stadiumet tona me golat e tij e me roveshatat spektakolare që u kthyen në “markën” e sulmuesit shkodran.

Për tifozët e përfaqësueses shqiptare, goli i tij ndaj Norvegjisë do të mbetet po ashtu i paharrueshëm. Por për të gjithë vjen një moment për të thënë “stop” dhe Hamdi Salihi ka vendosur që fundi i karrierës së tij si futbollist do të jetë këtë fundjavë, me ndeshjen e Viener Nojshtad ku është aktivizuar në dy sezonet e fundit.

Sulmuesi e ka bërë të ditur vendimin e tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale të klubit austriak, ku tashmë mban edhe rolin e ndihmëstrajnerit, për të filluar një karrierë të re në pankinë.

“Pas një mendimi të gjatë dhe pas konsultimi me familjen dhe ata që kam më afër meje, kam vendosur që ndeshja e ardhshme ndaj Vaker Insbruk të jetë e fundit në karrierën time si futbollist. Të gjithë lojtarët me të cilët kam luajtur, shokë skuadre apo kundërshtarë, trajnerë, drejtues apo presidentë, fansa të skuadrave me të cilat kam luajtur apo ekipeve kundërshtare, me këtë mesazh desha t’ju informoj të gjithëve dhe jo vetëm kaq. Desha gjithashtu t’ju falënderoj dhe të them se kam qenë shumë i lumtur që ju kam takuar dhe kisha momente të paharrueshme në këtë udhëtim të mrekullueshëm. Një falënderim special për familjen time, e cila ka sakrifikuar shumë dhe më ka mbështetur gjithmonë, prindërit e mi të cilët ishin mbështetja më e madhe dhe vëllezërit e mi, të cilët ishin mësuesit dhe keritikët më të mëdhenj në këtë rrugëtim të gjatë.

Vendimi im është krejtësisht instinktiv, pasi unë nuk mund ta imagjinoja veten larg futbollit. Në vitet e fundit unë kam lexuar shumë, kam studiuar dhe kam mbajtur shënime, të cilat besoj se në të ardhmen time në futboll do të jenë shumë të vlefshme. Meqë fjala fund është shumë e vështirë, do të dëshiroja ta shihja këtë moment si fillimin e një karrierë të re, e cila shpresoj që të më dhurojë të njëjtat emocione qakam pasur deri tani si një lojtar në fushë. Sigurisht, do të jem pjesë e Viener Nojshtad si futbollist deri në mbyllje të këtij sezoni”, ishte mesazhi i Salihit, që lajmëronte largimin e tij nga futbolli i luajtur.

Në karrierën e tij, Salhi ka luajtur në kampionatin shqiptar me Vllazninë, Tiranën dhe Skënderbeun, ndërsa ka eksperienca edhe te Panionios në Greqi, Ried, Rapid Vjenë e Viener Nojshtad në Austri, DC Junajtid në SHBA, Jiangsu Santi në Kinë, Hapoel Akre dhe Hapoel Haifa në Izrael. Me përfaqësuesen shqiptare, Salihi ka luajtur 50 ndeshje e shënuar 11 gola.

1 komente në ““Kjo do të jetë ndeshja ime e fundit”, Hamdi Salihi tërhiqet nga futbolli i luajtur”

  1. tifozi says:

    Shendet dhe suksese

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje