Armiqtë e mi!

3 Prill 2019, 09:26Blog TEMA

Nga Mustafa Nano

Unë kam zbuluar se kush janë armiqtë e mi. Nuk i njof me emër e mbiemër, kuptohet. Kjo do të ishte e pamundur. Jo për gjë, por ata kanë të njëjtën fytyrë. Fytyrë jo në kuptimin fizik e material. Dhe disa tipare të tyret po ua jap tani:

Tipari numër një. Ata do më çmonin mua po të mendoja si ata.

Dy. Ata e duan lirinë, por të tyren. Timen jo. Timen e urrejnë.

Tre. Duart e tyre nuk para shfletojnë libra. Dhe ata as që e kanë idenë se sa e magjishme është të shfletosh një libër, ta kapësh një fletë me mollëzat e gishtave, … dhe ta kthesh për në faqen tjetër.

Ata vdesin për t’u bërë biografinë të tjerëve. Për ta biografia është gjithçka.

Ata cubin e marrin për hero.

Ata shenjtërojnë interesin e tribusë së tyre.

Ata mendojnë se një udhëheqës i zotë është ai që u imponohet të tjerëve me dhunë e me hile.

Ata mendojnë se burgu për burrat është.

Ata mendojnë se një funksionar publik që nuk mendon për veten është një budalla.

Ata mendojnë se të jesh burrë i martuar e të kesh një të dashur është një zgjidhje më e mirë sesa të divorcohesh. Madje, është zgjidhje më e mirë a prescindere. Është zgjidhja më e mirë.

Ata shkojnë me motrat e të tjerëve, dhe mirë bëjnë, punë e tyre, por do ta vrisnin dikë që shkon me motrën e tyre. Motrën e tyre do ta vrisnin e do ta vrisnin.

Ata ngatërrojnë parimin me interesin. Bëjnë edhe një ngatërresë të dytë: interesin e tyre e marrin për interes publik.

Ata janë snobë. Atyre u pëlqen shumë byreku me dhallë. Dhe u vjen turp për këtë. Dhe nuk u shkon në mendje se duhet t’iu vijë turp që iu vjen turp.

Ata nuk i mban vendi nëse dikush i parakalon në rrugë.

Ata e kanë për turp që të hipin në autobusin urban.

Ata veç një gjë ëndërrojnë në këtë jetë: pasurimin e shpejtë e të pamundimshëm. Prandaj puna ua shpif. Sepse puna të mundon shumë e të pasuron shumë ngadalë. Tmerrësisht ngadalë. Poshtërsisht ngadalë. Mendojnë ata.

Ata janë të sigurtë se soji i shqiptarëve është një soj i pastër, i kulluar, i papërzier, dhe se ata vetë janë provë e këtij fakti.

Ata e urrejnë suksesin. Jo suksesin tim, ë? Urrrejnë suksesin e kujtdo.

Ata urrejnë disiplinën, rendin, rregullin, ligjin.

Ata jetojnë veç për një nder. Veçse nderin e përkufizojnë në mënyrën e tyre.

Dikush mund të hedhë një qese plastike në rrugë, mú para syve të tyre, dhe atyre këtë gjest syri as që ua kap fare.

Ata nuk kanë gjë me një horr në pushtet. Thjesht do donin të ishin në vend të tij.

Etj, etj, etj.

6 komente në “Armiqtë e mi!”

  1. Flutura says:

    Keta jane edhe armiqte e mi ?

  2. UK says:

    Pershkrim shume I sakte…do te shtoja nje fjale me shume…..kjo I shkon popullit shqipetar ne te gjithe pershkrimin dhe sidomos meshkujve barkderra qe lene grate e motrat e tyre ne shtepi dhe jargavisen si qente neper rruge dhe me gojen e qelbur merren me grate e vajzat e te tjereve.
    Fuck them all

  3. une says:

    Po mjaft o shqiptare u moret me armiqte e mi,tendin,tuajin tonin! Shikoni armiqte e Shqiperise! Ata po mundohen ta futin Shqiperine ne lufte civile sepse jane njerez te pacivilizuar! Keshtu nisi dhe keshtu bitisi kjo pune!Kemi nevoje per mirekuptim,per respekt,per dashuri dhe per kombin! Keta qe permend Muci,”armiku im” jo jane shqiptare te ndryshem qe jetojne si shume njerez ne bote! Keta nuk jane armiq! Armiku ka emra dhe eshte Saliu me Meten dhe kriminelet qe i ndjekin pas!

  4. @autori says:

    Te gjitha percaktimet e autorit jane ne pergjithesi te vlefshme per shqiptaret. Iluzioni i tij i madh eshte shprehur tek titulli i kesaj ese-je. Ai beson, apo i duket se ata, pra shqiptaret jane armiqte e tij, duke mos konsideruar realitetin qe edhe ai ne analize te fundit eshte gjithsesi njeri prej tyre, por me iluzionin se eshte shume i ndryshem nga te tjeret.

  5. maga says:

    ne fakt keta jane mbeshtetesit e mucit! keta jane te shkombetarizuar, ua quajne femijte ronaldo, elpidha dhe fiona,pijne makiato lungo ne lungomare, flasin ndonje fjale te huaj per tu dukur si muci, behen servila te papare kur flasin me ndonje te huaj, shajne vendin dhe popullin e tyre(sikur vete nuk jane shqiptar) si muci.. mucit, per ti dale llogaria, e hedh kete kategori karagjozesh tek atdhetaret, per ti kompleksur gjoja , dhe penguar popullin ti ndjeke. muc katundari,bishti i qenit,bisht qeni qeni ngelet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje