Gjermania apel opozitës: Merrni pjesë në zgjedhjet lokale, janë baza e ҫdo demokracie të shëndetshme

14 Prill 2019, 10:11Politika TEMA

Gjermania i jep fonde Shqipërisë për procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve lokale. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz shprehet se zgjedhjet e lira e të barabarta janë baza e ҫdo demokracie të shëndetshme.

Nga Ani Ruci, DW

Në  nëntor 2018, pas konsultimeve me partitë kryesore, Presidenti i Republikës, Ilir Meta nxorri dekretin presidencial për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, më 30 qershor. Afrimi i kësaj date po ndodh në kohën kur situata politike në Shqipëri ka ndryshuar shumë nga nëntori i kaluar. Opozita është në sheshe dhe rrugë në protesta anti qeveritare. Në protestën e mbrëmshme, (13.04.2019), të karakterizuar nga akte dhune dhe përleshje mes protestuesvedhe policisë, opozita vijoi qëndrimin e saj radikal. Lideri i PD, Basha tha në fjalën përmbyllëse të protestës, në orën 22.00 se “largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”

Por përtej deklaratave të tilla opozita ka ndërmarrë veprime që lenë të kuptohet, se edhe mund t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Opozita nuk dërgoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ) emrat e komisionerëve të saj zonalë. Por përvoja e zgjedhjeve të mëparshme në situata ngërҫesh dhe mosmarrëveshjesh mes palëve, ka treguar se komisionerët lokalë janë vendosur edhe në minutën e fundit. A do të ketë minutë të fundit kësaj here për komisionerët zonalë të opozitës? Pikëpyetja ngrihet pas aplikimeve të qytetarëve për të zënë vendet vakante të opozitës për komisionerë zonale, pas thirrjes publike të KQZ.

Gjermania mbështet trajnimin e vëzhguesve zgjedhorë

Analistë të pavarur të Tiranës e kanë cilësuar “vetëvrasje politike”mospjesëmarjen e opozitës në zgjedhjet  lokale të 30 qershorit. Për më tepër kur në Parlament po vijon marrja e mandatit të deputetit nga kandidatët për deputetë në listat e Partisë Demokratike, (PD) dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim,(LSI) që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare 2017. Kur të arrihet numri që parashikon ligji, deputetët opozitarë të sapohyrë në jetën parlamentare do të krijojnë grupet parlamentare opozitare për një jetë parlamentare sa më pranë normalitetit.

Skenari i deritanishëm i bojkotit  të zgjedhjeve nga dy partitë opozitare, PD dhe LSI është kundërshtuar nga SHBA dhe BE. Pas thirrjes së Zv. Ndihmës Sekretar të Shtetit, Matthew Palmer drejtuar partive të opozitës për t’u riangazhuar në procesin politik, „sa më parë, përmes pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale” është Gjermania, vendi më me peshë në BE, që adreson mesazhin e saj politik lidhur me zgjedhjet lokale. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, të premten, (12.04.2019) , gjatë nënshkrimit të kontratës me Komitetin Shqiptar të Helsinkit për bashkëpunim në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve lokale tha: „U bëj thirrje të gjitha partive të shfrytëzojnë rastin e të marrin pjesë në zgjedhjet lokale”.

Ambasadorja Schütz theksoi se “zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë baza e ҫdo demokracie të shëndetshme. Është me rëndësi thelbësore që zgjedhëset/ zgjedhësit të mund të kenë besim në një zhvillim të rregullt të procesit zgjedhor.” Gjermania do të mbështesë financiarisht Shqipërinë në këtë proces proce vëzhgues përmes Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Ambasadorja Schütz thekoi se mbështetja ndaj Komitetit Shqiptar të Helsinkit ka të bëjë me „me trajnimin e vëzhguesve dhe vëzhgimin real në qendrat e votimit, kontributin për zhvillimin e procesit zgjedhor sipas standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare”.

5 komente në “Gjermania apel opozitës: Merrni pjesë në zgjedhjet lokale, janë baza e ҫdo demokracie të shëndetshme”

  1. Garanci,pushteti ne tavoline says:

    Opozita futet ne zgjedhje,por me garanci qe ti fitoj,se ndryshe nuk ka kuptim.Halli i tyre eshte tjeter,Ata duan amnisti nga ndeshkimi,qe mund tu beje Reforma ne Drejtesi,per te mbrojtur gjene e vjedhur me korrupsion.Ne se Gjermania e ka te qarte kete,duhet te shprehet me hapur.Ndaj dhe populli nuk ka shume besim tek Reforma ,se i trembet ndonje kompromisi te mundshem,siç u be ne 97-en,ne interes te gjoja pajtimit kombetar,por qe krijoi mitin e mosndeskueshmerise,dhe i beri edhe me te pangopur,kur erdhen ne pushtet,se nuk kishin frike.Kjo e ben dhe Drejtesine e Re jo shume efikase(se ne fund dhe ata jane shqiptare,prinder,familjare),qe s’mund ti bjene murit me koke, perballe politikes .Ishte politika qe krijoi kete oligarki te fuqishme,qe kerkon te fuse kthetrat tek ata qe jane ne pushtet.

  2. ¬ says:

    Ka mënyra të tjerra për të na ndihmuar Gjermania, dhe jo të vë në dukje zgjedhjet pasi dhe fëmijët e kopshtit i dinë.

  3. Zambi says:

    Po keni “Opoziten e re”, kandidtet e pavarur qe mund ta fusni ne zgjedhje dhe vazhdimisht keni deklaruar qe do i njihni zgjedhjet dhe pa opoziten.
    Meqe per fasade ju duhet opozita ne kete rast nuk besoj se ka ndonje problem, do keni plot njerez per fasade.

    Po e cuditshme qe ne asnje dokument te BE nuk thuhet qe te protestosh pengon integrimin nderkohe qe nuk mund te thuhet e njejta gje per drogen, krimin, korrupsionin dhe shtetin ligjor. Nderkohe ketu thuhet qe protestat po pengojne integrimin pasi kushtet tjera jane plotesuar.

  4. FORSTER says:

    Moj zonje ,ata nuk jane OPOZITE ,por nji grup “talibane-nga-Avganistani”te cilet duan ta djegin -SHQIPERINE ,por ju te EUROPES mos mbani iso ketyre TALIBANEVE,por tregojauni vendin duke pranuar SHQIPERINE ne EUROPE se populli eshte me ju .

  5. Komentuesi says:

    Mire thote zonja ambasadore se, do ndihmoi ne zgjedhjet e 30 qershorit me vezhgues qe opozita te jete e sigurt se zgjedhjet do monitorohen per te rregullta,por marin vesh kafshet e pd dhe Lsi? Ata jane injorant qe kane kthyer syt nga Moska,beogradi dhe Athina. Berisha,Basha,dhe Monika nuk kane hallin e zgjedhjeve se fitorja e tyre eshte e pamundur,por me qe ata e shikojn vdekjen me syt e tyre,nuk fitojne dhe reforma ne drejtesi po shkon drejte organizimit te saj e pavarur,kerkojne destabilizim,flake e zjarr gjithe Shqiperia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje