Ka heronj dhe mbi heronj, por gjeneral Rrahman Parllaku mbetet mbi të gjithë një hero i gjallë dhe krenari e qytetit. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes, Bashkia e Tiranës e ka nderuar atë me titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”, një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste.
Titulli iu dorëzua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e vlerësoi gjeneral Parllakun si simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike.
“Bashkia Tiranë i jep certifikatën për titullin “Simbol i qytetit të Tiranës” z. Rrahman Parllaku, me motivacionin “patriot që luftoi fashizmin, figurë emblematike e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, gjenerali që sfidoi regjimin e diktaturës komuniste, dhe Hero i Popullit, titull që diktatura komuniste ia hoqi, por historia ia përjetësoi. Ndaj, qyteti i Tiranës, që sapo ka hyrë në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë, ka krenarinë që t’i japë titullin e nderit “Simbol i Qytetit” bashkëmoshatarit të saj shekullor, i cili për kontributin e tij është kthyer në simbol të gjallë të kujtesës patriotike, qytetare dhe historike”, u shpreh Veliaj.
Gjenerali Rrahman Parllaku është ndër të paktët partizanë që jetojnë dhe dëshmojnë histori të tre kohëve, të partizanit e luftëtarit antifashist, heroit e komandantit ushtarak dhe atë të persekutimit komunist. Veliaj u shpreh se gjeneral Parllaku është simboli i njerëzve që pavarësisht sakrificave, ka dhuruar vetëm dashuri dhe mirësi. “Si djalë i ri që je, vetëm 100 vjeç, them se i bën nder qytetit tonë të të shpallim simbol të Tiranës. E bëjmë këtë respekt me mirënjohje nga të gjithë qytetarët, të majtë të djathtë, nga i gjithë Këshilli Bashkiak. Duhet të kuptojmë se në historinë e këtij vendi edhe të mirat, por edhe të këqijat, ia kemi bërë vetë njëri-tjetrit. Edhe i kemi ngritur njerëzit që kanë sakrifikuar, edhe i kemi ulur, por ja ku jemi prapë sot në këmbë. Si njeri që s’ka njohur kurrë urrejtje, pavarësisht ç’ke kaluar në jetë, dhe ke dhënë vetëm dashuri e mirësi, e kemi për nder të të kemi simbol të Tiranës”, deklaroi Veliaj.
Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku kujtoi betejat në luftën për çlirimin e Tiranës, ndërsa theksoi në këtë 100-vjetor të tij se jeta është e këndshme me të mirat e të këqijat e saj. Ai shprehu mirënjohjen ndaj kryebashkiakut Veliaj për këtë vlerësim që i bëhet në përvjetorin e lindjes.
“Në Tiranë kam ardhur me Brigadën e III-të dhe luftova një muaj e gjysmë. Kemi bërë 22 aksione brenda qytetit, komandën e kishim në Priskë. Kur kujtoj këto ngjarje, ato baticat e zbaticat e mia në jetë, them që jetova. Jeta nuk është siç thonë: hyra këtu e dola atje. Jeta është e këndshme, me të mirat e të këqijat e saj. Edhe nga të këqijat, edhe nga burgu, mësova diçka. Njeriu mëson edhe nga vuajtjet, jo vetëm nga të mirat; mëson edhe nga të këqijat. Ju faleminderit për nderimin”, tha Parllaku.
Respekte gjeneral! Bravo bashkia e Tiranes!
Të gjithë urimet dhe lëvdatat në 100 vjetorin e tij, gjeneral Parllaku i meriton, veç sipas meje, njërës: ‘Sfidant i diktaturës komuniste!’. Që ta thuash këtë duhet të dimë edhe ku ka qenë sfida nga ana e tij dhe e gjithë ushtarakëve të tjerë të lartë, por jo vetëm, që diktatori i eliminoj, i dënoi dhe i pushkatoi për paranojën e tij. Në këtë rast do quhej sfidë, kur ata t’ia përplasnin atij në fytyrë, me fakte se po ndëshkoheshin kot, dhe pastaj si ta kishin fatin. Po jo psh, trima si Kadri Hazbiu, që deklaroi: le të dënohem se partia ime më dënon. Kështu, po të ishte gjallë do të quhej dhe Kadriu, sfidant i diktaturës?!
Respekte general!Para Tiranes duhej Flora ta banter ,qytetare Meri!
Respekt e Nderim per Gjeneral Parllakun.
Respekte Gjeneral Parllaku. Simbol i atdhedashesit dhe modestise.