Basti i Palokës (PD-së), për 30 qershorin!

18 Prill 2019, 09:47Politika TEMA

Nga Eduard Zaloshnja

Kur u pyet në një studio televizive se çdo të ndodhë nëse ndërkombëtarët do t’i njohin zgjedhjet lokale edhe pa pjesëmarrjen e PD-së, Edi Paloka, nënkryetari i saj, vuri këtë bast personal publik: “Zgjedhjet lokale nuk do të zhvillohen dot pa opozitën. Përndryshe largohem nga politika”. Në një studio tjetër, Edmond Spaho, nënkryetari tjetër i PD-së, nuk vuri një bast personal publik, por e bëri më të qartë synimin strategjik të PD-së. “Zgjedhje në qershor nuk do të ketë. Ndërkombëtarët duhet të parandalojnë përshkallëzimin e situatës”, – tha ai. Ndërsa kryetari Basha, në një studio tjetër televizive, përmendi togfjalëshin “përplasje parapolitike”. Ai tha: “Ne jemi sot në një pikë përplasjeje pa kthim, dhe kjo përplasje do të marrë përmasa parapolitike, në qoftë se nuk zgjidhet me të vetmen rrugë që ka parashtruar opozita (largimin e Ramës para zgjedhjeve)”

Një sintezë e këtyre deklaratave publike (si edhe të të tjerave që kanë bërë eksponentë të opozitës, si Bogdani, Vasili, etj.) ravijëzon strategjinë e opozitës. Meqë Rama dhe të tijët nuk janë tutur deri më sot nga djegia e mandateve dhe protestat e opozitës, kanceleritë perëndimore mund t’i tuten destabilitetit që mund të sjellë bojkoti “parapolitik” i zgjedhjeve lokale të 30 qershorit nga ana e opozitës. Sipas kësaj logjike, përplasjet civile ditën e zgjedhjeve, mes votuesve të PS-së dhe militantëve bojkotues “parapolitikë” të opozitës, mund të krijojë destabilitet dhe një eksod të ri azilantësh drejt Europës. Dhe këtë gjë Europa dihet që nuk e dëshiron…

Ngjashëm me bastet e ndeshjeve të futbollit, edhe ky bast i opozitës ka tre skenarë, secili me probabilitetin e vet.

Skenari A –30 qershori me pak incidente

Pavarësisht deklaratave të opozitës, kanceleritë mbeten tek qëndrimi i derisotëm. Ato njëzëri kanë bërë thirrje që zgjedhjet lokale të zhvillohen më 30 qershor, dhe që konkurrentët e mundshëm të marrin pjesë në to. Zgjedhjet zhvillohen në 30 qershor, ku garojnë kandidatët e PS-së kundër atyre të partive të vogla ose të pavarurve. Nga gara dalin fitues në shumicë dërrmuese të parët. Pavarësisht nga disa incidente në qendra të ndryshme votimi, kanceleritë perëndimore i njohin zgjedhjet si legjitime, duke përmendur mangësitë e vërejtura aty-këtu.

Nëse ngjarjet rrjedhin kështu, PD-ja kthehet përfundimisht në një parti jashtë sistemit (largohet nga bashkitë që qeveris aktualisht). Sidoqoftë, mbetet me një përkrahje të fortë në sinorin e vet tradicional elektoral. Problem do ta kenë LSI-ja dhe partitë e vogla satelite të PD-së, të cilat mund të humbasin përkrahësit në bashkitë ku kanë aktualisht një farë pushteti…

Skenari B – 30 qershori me shumë incidente

Pavarësisht deklaratave të opozitës, kanceleritë mbeten tek qëndrimi i derisotëm. Ato njëzëri kanë bërë thirrje që zgjedhjet lokale të zhvillohen në 30 qershor, dhe që konkurrentët e mundshëm të marrin pjesë në to. Zgjedhjet zhvillohen në 30 qershor, ku garojnë kandidatët e PS-së kundër atyre të partive të vogla ose të pavarurve. Nga gara dalin fitues në shumicë dërrmuese të parët. Por incidentet janë të shumta dhe të përhapura në të gjithë territorin. Kanceleritë perëndimore nuk i njohin zgjedhjet si legjitime, duke përmendur incidentet e shumta gjithandej.

Nëse ngjarjet rrjedhin kështu, dy vjetët e ardhshme do të jenë shumë të vështira për Edi Ramën. I ndodhur nën shigjetimin e vazhdueshëm të kancelerive perëndimore dhe të opozitës, ai do ta ketë shumë të vështirë të marrë 48% të votave më 2021, siç mori në 2017-ën…

Skenari C – Kanceleritë perëndimore ndërhyjnë para 30 qershorit

Për t’i paraprirë skenarit B, kanceleritë perëndimore mund të ndërhyjnë para 30 qershorit, duke ofruar një zgjidhje të mesme. Ato mund t’i kërkojnë opozitës të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, me kushtin që Rama ta lërë postin e kryeministrit para zgjedhjeve parlamentare të radhës. Një model që mund të merret si shembull është ai i Greqisë, ku kryetari i gjykatës së lartë merr drejtimin e qeverisë para zgjedhjeve, ndërsa drejtimin e ministrive e marrin teknokratë të përzgjedhur me konsensus. Ose mund të zgjidhet një model tjetër alternativ.

Nëse ngjarjet rrjedhin kështu, PS-ja mund të fitojë përsëri shumicën e bashkive në zgjedhjet lokale – opozita nuk është përgatitur realisht për to. Sidoqoftë, PS-ja mund të humbasë zgjedhjet parlamentare në 2021.  Në fund të fundit, po bëhet rutinë rrotacioni një herë në 8 vjet…

Shënim i autorit: Në qoftë se do të isha statisticien bastesh, do t’i vija koeficient të barabartë të tre skenarëve. Thënë ndryshe, probabiliteti për secilin skenar të mësipërm mund të jetë pak a shumë i njëjtë.(AFP.al)

8 komente në “Basti i Palokës (PD-së), për 30 qershorin!”

  1. AM says:

    Po pse Rama do vuaje nga idjotsite e ketyre larove te pd? Rama eshte ne rregull. Do vuajme te gjithe. Do vuaj turizmi, ekonomia. Po i detyrojme femijet e sotem te shikojne skena dhune dhe te degjojne fjalime agresive. Keto jane deme te medha per te gjithe pervec imazhit qe kalon tek vendet e tjera. Ku sic dihet lajmi i keq ben buje 100 here me shume se lajmi i mire. Njilloj si zakoni i gazetarise se ketushme qe terheq njerezit me artikuj ububu!!

  2. Flutura says:

    Na cudite!
    PD do hyje ne zgjedhje nen trysnine e strukturave dhe te elektoratit, por me se shumti te nderkombetareve. Do humbase rende. Luli largohet dhe PD nis riorganizimin e saj, pasi eshte ne kete moment inegzistente.

  3. ppa says:

    Ja ke futur kot o staticien; asnje fjale per reformen ne drejtesi / vetingun apo ligjin zgjedhor; si mund te pranojne nderkombetaret “rrugen e mesme” qe ti aludon; rruga e vetme e zgjidhjes se krizes – eshte ajo qe ka propozuar PS – zgjedhjet vendore (me ose pa opoziten); ne vjeshte pasi te kete funksionuar reforma ne drejtesi dhe konstituar organet perkatese, ndoshta dhe reforma zgjedhore -zgjedhje te pergjithshme , edhe pa Ramen kryeminister . E megjithate, opozita ne hallin e saj mbetet e pabesueshme per kedo sidomos per nderkombetaret . Ndoshta eshte momenti final qe opozita ne Shqiperi te mesoj te sillet , sepse me kete udheheqje dhe etjen e pashuar per marr pushtetin ne tavoline, ajo eshte e prirur te rrezoje gjithcka….reforma ne drejtesi mbase mund te krasite udheheqjen aktuale te opozites ;

  4. shqip says:

    Me sa dihet ne nje skedine fitohet me vetem nje rezultat. Zaloshnja thote qe fitohet me 1×2. Shteti ligjor nuk terhiqet para kercenimeve. Kushdo qe do tentoje te prishi zgjedhjet, praktikisht ka nenshkruar daljen perfundimtare nga sistemi. Skenari i Maqedonise nuk ka gjasa te realizohet ne Shqiperi. Jo se kete nuk e ka ne plan opozita antisistem, por sepse ne harkun e pak oreve startojne arrestimet e dhunuesve. Shba dhe Be nuk do tolerojne asnje aksion kunder qendrave te votimit. Pas kesaj te gjithe kanalet e komunikimit me faktorin nderkombtar mbyllen perfundimisht. Habitem me driteshkurtesine e analisteve tane. Te gjithe imagjinaten e tyre e konsumojne per rremujen. Po nuk shikojne edhe kunder reagimin. Nje populli qe i ndalet e drejta te shprehe vullnetin me ane te votes, rrjedhimisht ti del nga defteret e ministrise se drejtesise. Besoj per shume eshte e qarte. Do te thote qe nje force politike shpallet e jashteligjshme. Vetem nese te tjere persona qe ndodhen brenda sistemit, marrin persiper riorganizimin e kesaj force. Po edhe kjo kerkon hapa ligjor siç jane kongresi. Megjithate per ta mbyllur, personalisht kam qene dhe mbetem i idese, PD te shpallet e jashte ligjshme. Kupola e saj eshte katerciperisht antishtet. Kesisoj edhe antikombtare.

  5. Brenda pd says:

    Une jam per skenarin qe e le rahat Paloken te pij konjak perdite, ne qejfe te vete! Politika i prish pune ketij sarhoshi!
    Flm

  6. 666 says:

    O Zaloshnja ti o je i marre o ben vete . Po mire mo po si mendon te qe do qeveris me kjo P.D qe eshte tani me keto njerez . Ja timarrim nje nga nje : Luli qe thua ti do behet kryeminister ( ai ka pune me drejtesine Shqiptare !per vjedhjen kolosale te eurove te rruges kombit , per shitjen e detit , per vrasjen e 4 protestuesve duke ndenjur me duar ne xhepa me 21 Janar , si dhe per kohen qe ka qenperkthyes ne Kosov ) pa dhene llogori per to si do ecim . Po kur ka qene kryetar bashkie po me vota te vjedhura a man mend ti Zaloshnja çfar pune ka bere per 4 vjete vetem katet e pallateve te veta . Ky ka probleme edhe me vjedhjen e votave edhe ne zgjedhjet ne parti te vet e atehere per çfare u duhet shqiptareve ky njeri , vetem me ruajt derrat mbas burgut qe te kryej . Mbas tij vijne ajkat qe i ka zgjedh deputet si Salinjani , Muli , Balliu , Paloqa e me radhe te tjeret , po keto do vesh ministra ti o rrot mullini . Po kur i sheh populli keto tìpa e kap alergjia edhe ata qe jane demokrat ne shpirt .

  7. Goni says:

    PD drejt fundit.
    Per te do votojne 20 perqind.
    Ky eshte vullneti shqipetar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje