Rrëfehet “Paganini i ri” 22 vjeçar: Në akordet që përhap në gjithë botën me violinë ka mjaft Shqipëri

21 Prill 2019, 13:55Kulturë TEMA
Rrëfehet “Paganini i ri” 22 vjeçar: Në akordet

Nga Ylli Pata

Është vetëm 22 vjeç dhe përbën një fenomen të muzikës botërore. Elvin Hoxha, violinist i lindur në Ankara me baba shqiptar dhe nënën nga Azerbaxhani është cilësuar nga kritika si një nga gjinitë e muzikës.

Mjaft media e kanë cilësuar edhe si “Paganini” i shekullit të 21, por 23 vjeçari thotë që ka rrugë të gjatë përpara. Megjithëse ka luajtur në skenat më të mëdha botërore dhe përpara njerëzve më të fuqishëm të planetit në pallatet e pushtetit e sallonet elitare, Elvini nuk është ftuar në vendin e gjakut të tij-Shqipëria.

Një vit më parë, një nismë personale e të atit Hajredinit, një muzikant i Filarmonisë së Ankarasë e solli në Shkodër, qytetin e rrënjëve të tij, në një koncert në Teatrin “Migjeni”.

Këtë javë, Zana Çela e ka ftuar Elvinin në koncertin-konkurs që ajo zhvillon për muzikën e kultivuar, një reality-shovv klasik, festivalin “Marie Kraja”.

Përpara këtij koncerti, Elvini dha një intervistë ekskluzive për TemA Javore, ku rrëfen shumëçka për jetën e tij, flet për familjen, pasionet, studimet e tij në Madrid me të mëdhenjtë e muzikës, por flet edhe për politikanët, duke cituar Ataturkun, që njëfarë mënyre tregon edhe vokacionin liberist që ai ka mbi zhvillimet në vendin e tij.

Ai flet edhe për familjen e tij të ngushtë por edhe për të afërmit në Shqipëri, që i konsideron një pasuri të rëndësishme…

Elvin përshëndetje, vini për herë të dytë në Shqipëri. Para dy vitesh ishit në Shkodër e tani në festivalin “Marie Kraja”, Ju shumicën e kohës e kaloni në turne në të gjithë botën porn ë Shqipëri keni ardhur kaq pak…

Ju keni babain shqiptar nga Shkodra, mamanë nga Azerbaxhani, ju jeni lindur e jetoni në Turqi, e pjesën më të madhe e kaloni në kryeqytetet e botës. Çfarë e ndjeni veten më shumë?

Faleminderit për interesimin dhe vërtet të gjithe të dhënat janë te sakta, me prind artistë dhe me kombësi të ndryshme, por kjo nuk më pengon të jem muzikant i një kombi, kombesia ime është muzika, ajo që i bashkon të gjithë njerëzit me një gjuhë të përbashkët: gjuhën e muzikës

Unë e ndjej veten një artist që perpiqet të kënaqë artdashësin kudo që ai ndodhet . Por duke qenë se unë kam rrënjë shqiptare, azerbaxhanase, jam qytetar i Turqisë, mund të them se në akordet e mija muzikore ka mjaft Shqipëri brenda…

Publiku shqiptar ju njeh prej vitesh, prej 2006-s kur në Londër vetëm 10 vjeç dolët në lajme si “Paganini shqiptar” që më pas të ka ndjekur nga larg. Por pak ju njohin e dinë për ju.

Cila është jeta e Elvinit në përditshmëri, përveç studimit, dhe violinës, keni pasion tjetër veç muzikës?

Unë jam akoma student dhe si të gjithë studentët përpiqem me të gjitha mundësitë që përveç violinës të jem një person i kompletuar nga të gjitha anët,jo vetëm si muzikant.

Une jam i apasionuar në fushen e sportit si tenis, futboll dhe notim.

Jam tifoz me Real Madrid, në tenis me Nadal dhe kjo mbase unë pjesën më të madhe të kohës e jetoj në Madrid.

Jeni një “figlio d’arte”, të dy prindërit janë artistë, babai Hajredini është nga një familje e njohur shkodrane dhe mamaja, Nermini, pjesëtare e një sage artistësh në Azerbaxhan. Nuk tu mërzit muzika por i hyre edhe me fort?

Ha ha ha, sigurisht kur mendoj që unë hapa sytë në këtë jetë dhe perveç muzikës dhe koncerteve  nuk kam njohur një shans tjetër për të provuar.

Kur mamaja ishte shtatzënë (me mua) prindërit ishin në turne me muaj të tërë, sigurisht në periudhen e veres.

Mbaj mend që këndoja “Carmina Burana” në moshen 3 vjeç, dhe të tjera si këto.

Në apartamentin ku jetonim ne, në një kat jetonte, gjyshi me gjyshen, të cilët ishin artistë të mëdhenj dhe tërë kohën bënin prova për përgatitjen e koncerteve. Gjyshi im ishte edhe mësuesi im i parë i violines (Artist i Popullit ), kurse gjyshja, pianiste e njohur në Azerbaxhan. Daja im gjithashtu violinist dhe koncertmaester i Orkestres Sinfonike te Bilkentit, pranë Universitetit te Bilkentit ku punonin të gjithë së bashku si pedagogë dhe muzikantë në këtë orkestër.

Ju keni një pjesë të familjes suaj të madhe këtu në Shqipëri, jeni takuar, ku jetojnë ata?

Sigurisht, jam takuar dhe për mua është një festë e vërtetë kur vij në Shqipëri.

Xhaxhai im Enver Hoxhaj është profesor në Universitetin “Luigj Gurakuqi” me familjen e tij jetojnë në Shkodër, gjithashtu halla ime, Fatjeta Bushati që është ekonomiste dhe xhaxhai i vogël (nga mosha me i ri ) Besnik Hoxha, gyqtar ,që punon dhe jeton në Tiranë me familjen e tij.

Janë me të vërtetë njerez të shkëlqyer dhe unë jam krenar që bëj pjesë në këtë familje.

Cilët janë impresionet tuaja për Shqipërinë. Çfarë të pëlqen këtu dhe çfarë jo?

Me thënë të vërtetën, Une kam vetëm mbresa të bukura, duhet të jem i sinqertë, sepse perveç provave, koncert dhe takimi me njerëzit e familjes, nuk më është dhënë shumë mundesia që ta njof nga afër vendin.

Por një gjë është e veçantë, njerëzit janë shumë të ngrohtë.

Elvin, këtu ka një legjendë urbane se turqit kanë një përshtypje të mirë për shqiptarët, po gjenerata juaj ç’mendon për shqiptarët a diskutoni me miqtë tuaj kur mësojnë se rrënjët tuaja janë shqiptare?

Patjetër që diskutohet dhe në Turqi, shqiptarët janë të njohur si “inatçi të mëdhenj” dhe kjo më bën përshtypje sigurisht, por besoj se kjo ka një domethënie të karakterit, sipas të dhënave dhe historisë .

“Besa” shqiptare është gjithashtu një ndër virtytet e gdhendura në historinë e Turqisë

u studioni në një konservator të njohur në Europë. Keni fituar thuajse të gjitha çmimet e konkurset në gjithë botën, ku synoni të shkoni me violinën tuaj?

Para dy javësh isha fitues i çmimit” Grand Prize “ në Vjenë dhe mu dha mundesia të jap koncert në Musikverein , që është edhe një ndër sallonet më të njohura në botën e muzikës.

Synimi im është të marr pjesë në konkurse të mëdha si “Çajkovski” ,”Queen Elisabethe” dhe po të jem fitues i një prej tyre, me jep mundesi të mëdha të lidhem me Agjensi prestigjioze .

Ju keni performuar në të gjithë botën, në Perëndim e Lindje,, Europë e Azi, sipas jush ku e ndjeni veten më të vlerësuar apo cili publik është më i ndjeshëm ndaj violinës suaj?

Publiku është vlerësuesi më i saktë dhe me objektiv që ekziston dhe sigurisht edhe treguesi i nivelit dhe profesionalizmit tënd. Ndaj unë përpiqem që të tregoj veten time në çdo sallon, te vogël apo të madh.

Erdhët në Shkodër dy vite me parë e këtë fundjav në Tiranë, cila pjatë ju ka pëlqyer nga kuzhina shqiptare.

Kuzhina, vera…,Atmosfera, të gjitha janë në një nivel të lartë, gjtihçka më pëlqen.

Jeni takuar me njerëz të fuqishëm të botës, që nga Putini, Erdogani, Alijevi, mbretër e princa, kush ju ka lënë më shumë përshtypje?

Duhet te dini nje gjë, që këto fuqi të mëdha politike para artit janë të pafuqishëm. Ataturku ka thënë një shprehje të artë: Çdo njeri mund të bëhet President, parlamentar apo Mbret, por jo çdo njeri mund të bëhet nje artist…

Ku jetoni pjesën më të madhe të kohës, në cilin qytet të Europës?

Unë jam me banesë në Ankara. Katër  vite kam që jetoj në Madrid dhe pothuajse çdo jave kam një koncert në vende te ndryshme, siç e thate edhe ju në fillim.

Jeta ime është mes Spanjes dhe Zvicrës ku vazhdoj studimet e mia, me vonë nuk e di…do doja sigurisht të vija me shpesh në Shqipëri, kjo varet nga dëshirat apo kërkesat e İnstancave të Kultures Shqiptare.

Ju faleminderit

1 komente në “Rrëfehet “Paganini i ri” 22 vjeçar: Në akordet që përhap në gjithë botën me violinë ka mjaft Shqipëri”

  1. Fatos says:

    Tani është 22 apo 23 vjeç?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje