Pas djegies së Katedrales së Parisit, Franca hedh idenë e një mbrojtjeje civile për trashëgiminë kulturore europiane. Fjala është për një mekanizëm që garanton ruajtjen e strukturave dhe siteve historike, si pasuri e njerëzimit. Ideja e presidentit Macron do të diskutohet në ministrat e Kulturës së shteteve anëtare në një samit të jashtëzakonshëm që do të mblidhet më 3 maj në Paris, raporton “La Stampa”.
Iniciativa franceze vjen vetëm një javë pas zjarrit që dëmtoi rëndë katedralen “Notre Dame”, në Paris. Ngjarja vuri në lëvizje një mekanizëm gjigant solidariteti, i cili grumbulloi donacione për rikonstruksionin e një prej simboleve të Francës, dhe për pasojë, edhe të Europës.
Për Macron, ajo që ndodhi me “Notre Dame” është shndërruar në mundësinë e shtimit të një kapitulli të integrimit evropian, falë mekanizmave të bashkëpunimit të komunitetit, i cili parashikon bashkëveprimin e njerëzve, burimeve dhe njohurive për të mbrojtur më mirë trashëgiminë kulturore të Evropës. Ideja themelore është që vendet anëtare të BE-së të ofrojnë asistencë të ndërsjellë dhe këshilla nëse një vend ose monument si “Notre Dame” është në rrezik.
Ministrja franceze për Çështjet Evropiane, Amelie Montchalin, thekson se mekanizmi i bashkëpunimit për kulturën duhet të parë si ai i solidaritetit për fatkeqësitë natyrore. Është e njëjtë si mbrojtja civile e BE-së, por që zhvendoset në sferën kulturore.
Kultura nuk është kompetencë europiane. Është një çështje që u përket ekskluzivisht qeverive kombëtare. Në këtë kuadër, Macron u ka kërkuar krerëve të shteteve dhe qeverive të vlerësojnë mundësinë e krijimit të një mekanizmi panevropian, pra mbizotërues. Një tjetër aspekt ky që kundërshon populizmin në rritje, i cili ka në bazë teorinë “vetëm është më mirë”.
Liderët e vendeve duket se janë përgjigjur pozitivisht. Ministrat e Kulturës do të takohen më 3 maj, në Paris. Secilit prej tyre do t’i kërkohet të paraqesë praktikat më të mira kombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Francezët mbështesin gjithashtu edhe idenë e zhvillimit të politikave parandaluese për shpërndarjen e një pjese të fondeve të kohezionit në sferën kulturore. Kjo pikë e fundit mund të mos marrë shumë rëndësi për momentin, sepse ndërthuret me politikën, duke qenë që buxheti i ardhshëm i BE-së është ende i panjohur.
Përgatiti: Gazmira Sokoli