Vendosin dy penallti, Partizani dhe Laçi ndajnë pikët!

27 Prill 2019, 21:09Sport TEMA

Partizani dhe Laçi ndajnë pikët në Selman Stërmasi. Të kuqtë regjistruan barazimin e dytë radhazi me shifrat 1-1 pas atij ndaj Kastriotit në Fushë-Krujë.

Në kryeqytet vendosën gjithçka dy penallti nga një për çdo pjesë dhe nga një për secilën skuadër. Ndeshja nisi më mirë për Laçin e Starovës që pati dy mundësi të mira me Lushkjen por Hoxha u tregua vigjilent.

Në minutën e 21-të gjyqtari Emirion Sino akordoi penallti për Laçin për një ndërhyrje të gabuar brenda zone të Alban Hoxhës ndaj sulmuesit Xhixha.

Nga 11-metra distancë Ndriçim Shtubina u tregua i qetë dhe i saktë duke i dhënë avantazhin kurbinasve për kënaqësinë e ishit të madh të sfidës Sulejman Starova. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë ndërsa në fillimin e të dytës Partizani u mundua të barazonte shifrat fillimisht me Asanin dhe më pas me Ibraimin por pa mundur dot.

Në këto momente ndërhyri trajneri Gega që fillimisht aktivizoi Çinarin dhe më pas Bruno Telushin që u rikthye në fushë pas një mungese të gjatë. Pikërisht këto dy ndërrime do të ishin lëvizja fituese e Partizanit pasi në minutën e 82-të, shkodrani Çinari u pengua brenda zone nga Mersinaj me gjyqtarin Sino që akordoi një tjetër 11-metërsh këtë herë në favor të të kuqëve.

Telushi realizoi shumë thjeshtë përballë Selmanit duke i evituar humbjen Partizanit dhe duke i dhënë një pikë shumë të rëndësishme në rrugën drejt titullit, megjithatë nëse Kukësi fiton të dielën ndaj Teutës diferenca mes tyre do të ngushtohet në 8 pikë kur mbeten edhe 5 javë për t’u luajtur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje