Adriatik Llalla nuk ndalet: Shpenzon 10 mijë USD për lobim në SHBA

2 Maj 2019, 19:21Politika TEMA

Ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla shpenzoi rreth 10 mijë USD gjatë tre mujorit të parë të vitit për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit që e shpalli “persona non-grata” në SHBA.

Nga Besar Likmeta

Të dhënat e bëra publike nga Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbulojnë se ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla shpenzoi rreth 10 mijë dollarë në shërbime lobimi gjatë tremujorit të partë të vitit 2019.

Llalla punësoi në fillim të këtij viti studion ligjore Sher Tremonte LLP për të kundërshtuar vendimin  e Departamentit të Shtetit, i cili ka ndaluar ish kreut të akuzës hyrjen në SHBA për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion.

Sipas të dhënave të deklaruara nga Sher Tremonte LLP për periudhën 1 janar – 31 mars, Llalla ka paguar afërsisht 10 mijë USD në tarifa dhe shpenzime për studion ligjore amerikane.

Me zyra në ‘Broad Street’ të Manhatanit –zemra e distriktit financiar të Nju Jorkut, Sher Tremonte LLP është një studio ligjore e specializuar në përfaqësimin e kompanive në konflikte tregtare komplekse si dhe probleme ligjore që lidhen me të ashtuquajturit ‘jaka të bardha.”

Në datën 4 mars, e përfaqësuar nga juristët Michael Gibaldi dhe Michael Tremonte, studio ligjore amerikane u regjistrua në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA si kompani lobimi për ish-Prokurorin e Përgjithshëm.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Nëpërmjet një njoftimi publik në shkurt 2018, ish Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën në një listë të zezë zyrtarësh që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen.

Ligji amerikan parashikon se në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë që Llalla bën përpjekje nëpërmjet lobistëve në SHBA për të hequr emrin nga lista e zezë e Departamentit të Shtetit, ai po hetohet në Shqipëri nën dyshimin se është përfshirë në një skemë pastrimi parash.

Akuza ndaj Llallës përfshin veprat penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë, interesave private të të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë”, “mosdeklarim të shumave monetare në kufi”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorim detyre”.

Në 1 prill, Gjykata për Krime të Rënda hodhi poshtë një ankesë të Llallës, i cili kundërshtonte vendimin e Prokurorisë për Krime të Rënda për zgjatjen me tre muaj të hetimeve ndaj tij.

 

7 komente në “Adriatik Llalla nuk ndalet: Shpenzon 10 mijë USD për lobim në SHBA”

  1. Me kaq pak nuk e pastron dot plehun ku eshte futur duhet te pakten 500,000 $ te pastrohet

  2. kam degjuar says:

    Po pse keshtu e paska demokracia amerikane me lobim dhe jo me shtet ligjor?! hajde demokraci, hajde, si puna e hoxhes : beni si theme une e mos beni si bej une.

  3. ADRIATIK KARAXHOZI says:

    Adriatik karagjozi nuk fiton dot edhe mijera dollar te paguaj,ky sharlatan mercenar,fashist dhe komunist Titist i eshte prere fashikulli per ne SHBA kjo ka marr fund nje here e per gjithemon,kur te behet 80 vjec edhe mund te hyje ne SHBA pa para,vetem me dollar,vetem ky karaxhoz kur te behet 80 vjec plot 80 vjec.

  4. Jack Daniel says:

    Ne qofte se depertohesh nga USA,eshte e veshtire Te te hysh prape pa vendim gjyqi.Ai qe deportohet duhet te hape gjyq nepermjet immigracinit,dhe ne qofte se gjykata te jep te drejten mund te hysh ne USA.Ne te kunderten ne qofte se tenton te hysh ne rruge tjeter te fusin direkt ne burg.Adriatik Llala ta shohe me dylbi USA-n per kete jete.Ai e ka direkt me departamentin e shtetit dhe askush nuk e ndihmon dot.

  5. Sheqere says:

    Une kujtoja se i kishin bllokuar pasurine ketij per korrupsion te larte, ku i gjeti 10 000 $?

  6. sheqere says:

    Une kujtoja se ja kishin bllokuar pasurine ketij per korrupsion, ku i ggjeti 10,000$?

  7. naimi says:

    edhe keto bejne sikur hetojne, thjesht fakti qe paguan 10000 usd per lobim thote qe ka abuzuar me detyren. shtyni hetimet, por se mos e denoni e!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje