Kreu i grupit socialist, Taulant Balla, tha sot në Kuvend se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i përmbushin kushtet për çeljen e negociatave.
Ai bëri thirrje për një bashkim të politikës sa i përket rrugës europiane.
Balla u ndal edhe tek sjellja e Partisë Demokratike në raport me mazhorancën.
Ai tha se në maj 2017, Lulzim Basha dhe Sali Berisha ngritën çadrën dhe iu dha gjysma e qeverisë vetëm për të votuar një ligj të reformës në drejtësi.
“Luli mori çfarë deshi, përfshirë edhe drejtorin e Burgjeve. Se për çfarë i duheshin burgjet Lulzim Bashës, nuk e kuptojmë akoma” – tha kreu i Grupit të PS.
Taulant Balla u ndal edhe tek arrestimi i Klevis Balliut. Duke komentuar dhunën ndaj policisë ai tha se kush guxon të prekë uniformën do të ndëshkohet sipas Kodit Penal të ashpërsuar.
Ai ironizoi edhe protestën e opozitës, ndërsa shtoi se një grup politikanësh të korruptuar po pengojnë rrugën europiane të Shqipërisë.
Duke treguar përqindjen e madhe të shqiptarëve që kërkojnë integrimin në familjen evropiane, Balla ka theksuar se “Nuk ka politikanë më me fat se ne që kemi një popull që na mban të orientuar në rrugën evropiane, 8% e atyre që nuk janë pro Evropës janë këta që bllokojnë rrugët”.
Sipas Ballës, cdo bllokim rruge cdo dhunë që ushtrohet ndaj institucioneve është pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar të ardhmen evropiane dhe fillimin e bisedimeve.
“Kush guxon të godasë policinë do marrë ndëshkimin që meriton dhe plotësimet e mangësive në Kodin Penal janë pikërisht në bindjen se dhuna nuk mund të tolerohet.
Ndëshkimi me burg është për t’i vënë gishtin kokës që cdo politikan i papërgjegjshëm që teksa shqiptarët që kthehen nga puna të presin sa Luli, Mona, Saliu, Mziu të plotësojnë kuotën e protestës javore në planifikimin që politikanë të korruptuar në përpjekje për të penguar të ardhmen evropiane të vendit bëjnë”– tha ai.
Sipas Ballës, “KE është i vetmi që paguhet nga paratë e taksapaguesve evropiane për të bërë diagnozën e cdo vendi në rrugën e vet evropiane dhe Shqipëria ka plotësuar parakushtet për të filluar bisedimet dhe nuk është rastësi që ne si Kuvend përmbyllin paketën e reformës në drejtësi në javën Evropës, e një ditë para ditës së Evropës që është 9 maji”.