Partia Socialiste zyrtarizoi sot emrat e kandidatëve të saj për 59 bashki të vendit duke i dhënë fund dilemave. Pas më shumë se 90 minuta mbledhje me kryesinë, kryesocialisti Edi Rama tha se PS është gati për fushatën elektorale.
Ndërkohë, në tryezën e diskutimeve është ende Bashkia Selenicë ku janë duke u shqyrtuar tre kandidatura të mundshme.
Burime nga Partia Socialiste, bëjnë me dije për gazetën “TemA” se aktualisht po diskutohet mes Simbol Pazajt, Pëllumb Binajt por edhe deputetit Vullnet Sinaj.
Bashkia e Selenicës ka qenë një bastion i majtë por aktualisht drejtohet nga demokratët për shkak të përçarjes së të majtëve në zgjedhjet e vitit 2015.
Kjo duket se ka qenë arsyeja përse Kryesia e Partisë Socialiste ka kërkuar me ngulm kandidimin e deputetit Vullnet Sinaj si një figurë me mbështetje të madhe në këtë zonë dhe që unifikon të majtën duke shmangur çdo surprizë.
Orët në vazhdim pritet të përcaktojnë nëse socialistët do garojnë me Sinajn apo njërin prej dy kandidaturave të tjera.
Më herët kryeministri Edi Rama, i pyetur lidhur me qytetet ku nuk janë zyrtarizuar kandidaturat, u shpreh se janë disa çështje proceduriale të cilat shumë shpejt do të bëhen publike.