Nga Lorenc Vangjeli
Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë: Shqipëria e sotme dhe ajo e fiks dy vjetëve më parë, është i njëjti film, i luajtur, me të njëjtët aktorë, të njëjtët figurantë dhe të njëjtin skenar. Në mëngjezin e datës 17 maj 2017 opozita e Lulzim Bashës ishte në rrugë, kërcënonte me bojkot zgjedhjesh dhe për rrjedhojë, me destabilitet të plotë të vendit. Partia e zotit Basha premtonte një shpërthim kamikaz në themelet e vetë sistemit, që vërtet i garantonte asaj epitaf të sigurt në histori, por në të njëjtën kohë, hidhte në erë me histeri edhe vetë sistemin.
Edi Rama, kryeministër, refuzonte çdo zgjidhje që shtynte takimin e paracaktuar me zgjedhjet a thua se data ishte e vendosur nga vdekja dhe jo nga njerëzia. Kushtetuta, precedenti i munguar apo edhe tradita tërësisht e ndryshme e së shkuarës, ishin barrikadat mbas të cilave ai mbrohej nga sulmet që i vinin si vepër e arrogancës së kundërshtarëve dhe herë si mbrojtje virtuale aleatësh që nuk i besonte.
Partia e Ilir Metës në atë kohë përpiqej të bënte, herë me sukses e herë me zhurmë, rolin e kuzhinietës mes dy palëve që fërkoheshin në çdo mënyrë, pa e ditur se zgjidhja që do të vinte për për zgjedhjet, do të ishte zgjedhja më e gabuar për të.
Ndërkombëtarët, kryesisht amerikanë e gjermanë, ishin bërë me dhembje koke nga përmasa e sherrit tipik ballkanik që zhvillohej në kulisa pushteti për hir të pushtetit, me të njëjtit aktorë e të njëjtit figurantë, që manipulonin gjysmë të vërteta për të kompesuar gënjeshtrën e madhe të zgjedhjeve me lista pa zgjedhje shqiptare.
Në tre muaj të gjatë, aktorët kryesorë të politikës në Shqipëri ndodheshin në të njëjtën hapësirë prej disa qindra metrash katrorë. Nga dritarja e zyrës së tij Rama mund të dëgjonte live çfarë thoshte Basha në bulevard dhe Meta mund të shihte grimasat e fytyrës së të dyve kur e mendonin atë si vrasës apo shpëtimtar në të njëjtën kohë.
Si për të vërtetuar aksiomën e hershme që në politikë nuk duhet thënë kurrë fjala kurrë, një inisiativë e partive të vogla, inicuar nga Agron Duka e të tjerë, u bë pilula e urgjencës për dialogun mes palëve: marrëzia që është gjithmonë shtatzanë në Shqipëri, rrezikonte të pillte dreqin e destabilitetit bashkë me të birin, për të gjithë shqiptarët pa dallim.
Kësaj ftese ju përgjigj në mënyrë të papritur vetë Edi Rama, që për një rrokullisje të papritur zarash, ndërmjet armiqësisë së të gjithë palëve dhe pa besimin reciprok tek Ilir Meta, vendosi të kalojë Rubikonin. Në mbrëmjen e së njëjtës ditë, Rama e Basha “rizbulojnë” njëri-tjetrin dhe mbas mesnate, befasisht Shqipëria pati marëveshje.
Pjesa tjetër tashmë është histori. Dinamika e ngjarjeve që solli qeverisjen me bazë të gjerë si realitet i dukshëm përpara zgjedhjeve dhe të njëjtin tip qeverisje, si ofertë të mundshme mbas zgjedhjeve, la në hije një të vërtetë të thjeshtë: tre muaj në çadër, tonelata boje të zezë që hidhej reciprokisht, qindra orë dialogjesh, monologjesh e përçartjesh, veprimesh e mosveprimesh, dhjetra tentativa negocimi me vendas dhe të huaj që refuzoheshin, pra, të gjitha këto, u zëvendësuan me vullnetin e dy burrave, të cilët, në ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, zgjidhën lëmshin. Duke demonstruar në këtë mënyrë, të vërtetën e thjeshtë: ata ishin vetë lëmshi.
Dy vjet më pas nuk ka ndryshuar asgjë. Dhe ky është një fakt dëshpërues më shumë që dëshmon se edhe vetë historia nuk shndërrohet në leksion në Tiranë. Ajo përsëritet e përsëritet duke u bërë çdo herë e më shumë edhe dramatike nga pasojat, edhe qesharake nga përmbajtja.
Në stadiumin kaotik të politikës shqiptare, rendi i situatave është tërësisht i përmbysur. Lojtarët rrinë në tribunë dhe në fushë kanë zbritur spektatorët. Ekipet e federuara bëjnë tifozllik në shkallë, tifozët qajnë me gazin lotsjellës e ngrohen me molotovët e partisë.
Premisa e parë e zgjidhjes është kthimi i normalitetit dhe ftesa për të bërë politikë me politikën. Në vend të forcës së rrugës duhet të thirret nën armë forca e arsyes!
Nuk ka më shumë se dy alternativa për të zgjedhur. Ose dhunë, ose dialog!
Vendi ose do të shkojë në një spirale të dëshpëruar destabiliteti dhe atëherë vetëm zjarrfikës të huaj do të ishin në gjendje të fiknin zjarrin, por me një kosto të pallogaritshme për të gjithë, ose palët do të ulen në tryezë duke rrezikuar vetëm vetëdjegien e tyre.
Alternativa e parë kriminale është dhe më e thjeshta, më e drejtpërdrejta dhe më e lehta për të ndodhur. Në Tiranë të gjithë kanë dëshmuar se janë ustallarë të dhunës dhe gjithmonë e më tepër, gishti i shejtanit, nuk kruan më hundën. Ai tregon adresën e shtëpisë private të kryeministrit. Por, në Tiranë apo në Surrel, dhuna është si shkopi i të verbërit dhe penisi i beqarit: asnjëherë nuk dihet ku hyjnë dhe çfarë pasoje sjellin!
Alternativa e dytë, kompromisi është shumë më i ndërlikuar dhe shumë më i vështirë për t’u realizuar. Në Tiranë të gjithë kanë dëshmuar se këtë art të zejes së politikës nuk e njohin, nuk e duan dhe e refuzojnë deri atëherë kur nuk kanë mundësi të bëjnë ndryshe ose kur jua imponojnë nga jashtë pa ju lënë zgjidhje tjetër.
Kush mendon se kompromisi është dobësi, ka një problem të fortë krahasuar edhe me inteligjencën mesatare të një votuesi çfarë do në BE dhe vetëm sa thekson diferencën e madhe të vetë Shqipërisë me Evropën.
Nuk ka shumë kohë! Shqipëria është në urgjencë. Fundi i qershorit kur janë parashikuar zgjedhjet është shumë pranë për të kuptuar nëse ai do të jetë fillimi i fundit i ciklit të një klase të tërë politike. Ajo duhet të kuptojë se duke i dhënë një shans dialogut, në fakt i ka dhënë një shans të pamerituar edhe vetes.
“Me çdo kusht, dialog pa kushte!”, kjo është mundësia e fundit për të mos arritur në pikën ku janë të destinuar të shkojnë gjithmonë politikanët. Të suksesshëm apo të dështuar, ata janë të përkohshëm dhe për ta çdo herë thuhet: na ishte njëherë…! Sepse kjo përrallë, siç ka qenë gjithmonë jeta e pabesueshme e politikanëve shqiptarë, nuk ndryshon kurrë si nis, por dihet gjithmonë sesi bitis herët a vonë.
Kjo nuk ka si ndodh se nuk e lejon Berisha.
Vendimet i merr kumbari i cili urdheroi daljen nga parlamenti.
Kontradiktor ne dy paragrafe. Rama del njehere kokeforte e njehere i hapur per dialog kjo thjesht per mos te thene qe partia demokratike eshte nje bande mafjozesh qe politiken e bejne me kercenime dhe notullat u pertypin para dhe pushtet perndryshe ofrojne dhune. Nga nje grup legenash mbahet peng nje vend i tere ose te pakten shumica votuese e nje vendi.
O vangjelo te fala Likes dhe cizmes. S’ka me marrveshje leshi, po deshi le te hyje cizmja me lulushen po s’do ne te semes se asgje s’ka per te ndodhur pervec shkrirjes se tyre perfundimtare.
Kujdes kur flisni edhe shkruani. Cfare do te thuash me ate gishtin nga Surreli?!!!!
Apo beson se Edi eshte frikacak. Po kjo eshte thirrje per perplasje civile, prandaj meriton me te vertete te therritesh ne Prokurori. S’te vjen turp!
Habitem sa debil eshte ky Lo-renci Si nuk e kupton se po gropos veten me kete rruge pa te ardhme qe ka nisur ne krah te hajdutit meta.Do ta kerkosh Vloren o kapter…..
Dmth eshte opozita qe ka frike nga zgjedhjet si ne 2017-ten ashtu edhe tani dhe kerkon rremuje. Per te fituar ne tavoline ate qe nuk e fiton dot ne kutite e votimit. Por kesaj rradhe shumica do te beje nje gabim te pafalshem nese terhiqet. Se kjo i hap edhe me shume oreksin ujqerve. Po te duan dhune le ta provojne. Shteti duhet te tregoje se eshte me i forte. Rama ne qoftese nuk guxon te vendosi ligjin ne Shqiperi duhet te largohet. Nuk ka rruge tjeter me vandalet. Ata njohin vetem gjuhen e forces. Ashtu behen zap. Siç i beri Enveri.