Nga Uendi Vata
Njerëzit priren të anashkalojnë “funksionet sociale të korrupsionit” në shoqëri, dhe këtë e ndihmon sot artikulimi për rritjen e pagave të gjyqtarëve në kuadër të diskursit antikorrupsion të qeverisë dhe si post-scriptum i procesit të vettingut. Më duhet të kujtoj këtu, se sipas politologut bullgar Ivan Krastev, diskursi antikorrupsion nuk i ka shërbyer kurrë në thelb mirëqeverisjes, por ka qenë në të vërtetë një thirrje e vazhdueshme e publikut për kthimin në praktikën më të përhapur të korrupsionit, atë të bërjes së ndereve.
Shembulli tipik për këtë është ajo që ndodhte përgjatë periudhës komuniste, ku në “shoqërinë e vafërisë së barabartë” një mik mund të të gjente një post më të mirë në punë dhe për pasojë të paguheshe disi më shumë, ose mund të të siguronte një kurs shkollimi për fëmijën e përjashtuar nga e drejta e studimit, dhe kjo praktikë ishte alternativa më e realizueshme për të mbijetuar. Ky stil mbijetese ishte i pandershëm, por i gjithëpranuar. Manipulimi i administratës, kamuflimi i disa veprimeve institucionale, dhënia e ndonjë rryshfeti të vogël, veprimi në mashtrim të ligjit dhe të tjera si këto, nuk u dënuan kurrë megjithëse ekzistonin. Asokohe nderet nuk dënoheshin si krime, sepse nuk konsideroheshin të tillë. Pjesërisht sepse kishte një konsensus të përgjithshëm se “bërja e ndereve” ishte mekanizëm “normal” dhe sidomos sepse diktatura propagandonte se ajo mbështetej vetëm tek virtyti dhe se shoqëria socialiste ishte e papërlyer. Shkurt, në atë periudhë nuk artikulohej se kishte korrupsion. Krastev shpjegon në librin e tij “Shifting obsessions/ Zakonet e ndryshueshme”, se pas përshtatjes me rregullat e tregut të lirë, dalja e shoqërive të Lindjes nga kushtet e varfërisë së barabartë zhvleftësoi institutin e “nderit” dhe i dha fuqi parasë, si mjeti kryesor për kryerjen e transaksioneve dhe favoreve në vazhdim.
Meqë mekanizmi i tregut të lirë promovon një shtresë njerëzish më të pasur, këta kishin mundësinë e vazhdimit të traditës së shkëmbimit të ndereve si mënyrë jetese për të plotësuar mungesat e kohës. Kështu, shtresa më e dobët e shoqërisë nisi të ushqente “ndjenjat antikorrupsion” si rezistencë ndaj pabarazisë që prodhoi mekanizmi i tregut të lirë në kapitalizëm. Të parët që u kryqëzuan për korrupsion ishin politikanët dhe gjyqtarët. Mirëpo korrupsioni, si produkt i ligjërimit post-komunist tipik i vendeve lindore, ka dy funksione sociale në shoqëri: Së pari, prodhon politika që e thellojnë përqëndrimin tek korrupsioni pa e luftuar në fakt atë (Krastev), dhe së dyti, vërteton rishtazi se problemi kryesor i qytetarit të demokracisë hibride si kjo e jona, është në thelb kulturor, i trashëguar, dhe jo i rastësishëm apo i vonë. Po i shpjegoj me radhë.
Politika ka për synim që të trupëzojë fushatën antikorrupsion në një sistem normash dhe rregullash, në kuadër të krijimit të shtetit ku ligji zbatohet. Reforma në drejtësi është shembulli më i pastër i organizimit me karakter ligjor i një retorike të gjatë kundër korrupsionit, me qëllimin për të rikthyer tek qytetarët besimin në “pastërtinë” dhe profesionalizmin e administratës. Edhe premtimet e opozitës për spastrimin e të korruptuarve nga sistemi gjyqësor, shëndetësia dhe universiteti, premtimi për rritjen e pagave të mjekëve, përkrahjen e gruas dhe nxitjen e politikave të shkollimit, të gjitha të materializuara në programin politik elektoral, i shërbejnë të njejtit synim. Në një kuptim, motivimi i gjyqtarëve përmes një page të majme për t’i nxjerrë nga kthinat e informalitetit në kryerjen e detyrës mund të godasë vetëm atë që quhet korrupsion i nivelit të ulët (street level corruption).
Kjo sepse do të ketë sërisht një shtresë individësh që promovon tregu i lirë (jo aq në kuptimin e elitës së kamur, sesa të individit në thelb i lirë të jetojë në intelektualizmin e tij) që përsëri do të ketë privilegjin financiar për të përballuar shkëmbimin e ndereve dhe dhënien e rryshfeteve, sepse këto do të ketë kush t’i pranojë mbrapsht. Ekzaktësisht njësoj si më parë, madje me rrezikun se revolta e qytetarëve për thellimin e pabarazisë do të vazhdojë të motivojë politikëbërësit në shfrytëzimin e diskursit antikorrupsion për të krijuar korpuse të tjera normash dhe institucionesh, me synimin ciklik për ta luftuar korrupsionin përsëri dhe përsëri, duke thelluar përqëndrimin në të dhe duke mos e zvogëluar kurrë. Për fat të keq, kjo politikë nuk ofron zgjidhje për krizën ekonomike dhe vlerore të komunitetit. Krizë të cilën qytetari nuk e gjeti të gatshme në kapitalizëm, dhe as nuk e prodhoi vetë me ndryshimin e sistemit, por ka një traditë aq të rrënjosur, saqë është sa e vështirë të zhduket, aq edhe e lehtë të ndryshojë fytyrë.
Ne mund të hartojmë ligje të reja, të ngrejmë komisione hetimi, të shpërthejmë në deklarata antikorrupsion, por assesi nuk mund të ndryshojmë historinë, dhe as të deformojmë indin e qytetarit që ka qenë i përfshirë në afera të pandershme ç’prej komunizmit. Në thelb çfarë është gjyqtari? Ai nuk është i shkëputur nga qytetarët e tjerë si qenie i mëvetësishme, dhe as nga kultura e vendit ku ka jetuar e bashkëpunuar. Si produkt i kësaj kulture, ai e ka të vështirë të largohet nga stili jetësor i mbijetesës, për të plluskuar aq sa mundet mbi komunitetin. Siç të gjithë thellë e keni menduar, një rrogë qoftë edhe me mijëra euro, është e vështirë t’i ndryshojë mendjen gjyqtarit për të mos u përfshirë në informalitet nëse përballë ka një alternativë që e tejkalon atë çmim.
Kriza këtu nuk është monetare, por vlerore. Gjyqtarit, në radhë të parë si qytetar, i mungon përgjegjësia ndaj institucionit të ligjit, komunitetit, i mungon ndjenja e bashkëpunimit dhe respektimit të bashkëjetuesve, vullnetarizmi, ambicia qytetare, mbrojtja e hapësirave publike po aq sa atyre personale. Këto virtyte u vranë që në kulturën e diktaturës, e cila formësoi një individ të papërgjegjshëm ndaj bashkësisë, fqinjit, rregullave, lirisë dhe veçantisë së tjetrit, madje të mbushur me zili dhe urrejtje, sepse njerëzit e dinin se në të vërtetë nuk kishin me se të ushqeheshin dhe për këtë arsye me çfarëdo mënyre ata duhet të mbijetonin, dhe nga ana tjetër çdo lloj përgjegjësie qytetare që ata kishin, ose ia mbulonte shteti vetë duke i zhveshur individët nga detyrimet e jetës në komunitet, ose i detyronte ta realizonin atë medemek me “punë vullnetare”. Ai sistem i mobilizuar antivlerash, jehon sot, në të gjithë vendin, nga të gjithë njerëzit, pak duke mos u revoltuar dhe sidomos duke u përfshirë.
Të respektosh ligjin është në radhë të parë detyrë qytetare dhe përgjegjësi ndaj gjithë shoqërisë me të cilin individi ndan territorin, institucionet, mjetet e përbashkëta. Gjyqtarit, si qytetar, i mungon ajo vetëdije, dhe kjo është tragjike, e pakapërcyeshme, sepse do të duhet të ndërtohet një sistem komplet i ri vlerash, ndërrim total i elitës, reflektim i thellë, integrim i gabimeve të së kaluarës në ndërgjegje dhe jo mohim apo transformim të saj me pretendimin se disa para më shumë do ta bëjnë shqiptarin një njeri të përgjegjshëm. As.Avokate
LPA Law Firm Albania
JEPU ATYRE RROGE TE MADHE SA TE DUASH
ATA PRAPE DO VJEDHIN
DUHET BURGU QE TI FRENONOJE
GJYKATES NGA AMERIKA E BE
Great Wendy! Thelbi eshte njeriu qe ka degraduar jo politikanet etj… Si zgjidhet kjo? Une mendoj duke investuar vetem ne arsim absolutisht asgje tjeter, mesues nga jashte, ushqim 1-2 vakte ne shkolla… Mbas 20 vitesh ka shpresa qe mund ti largohemi sadopak majmunit
Mëse e drejtë!????
Nder artikujt me te mire qe kam lexuar se fundi! Me ne fund pak shprese nga gjenerata e re e drejtesise shqiptare… Thumbs up!
Autopsia me e mire qe kam lexuar, qe I behet antivlerave te prodhuara nga diktatura komuniste.
Ky artikull i ben Agron Tufen dhe Kastriot Dervishin te duken ca katunare te qelbur qe nuk Jane shkeputur dot vete nga mentalitetet komuniste, Jo me te jene te afte te kritikojne.
Brezi qe u rrit ne diktaturen e Partise se Punes, nuk i shpeton dot lehte psikologjikisht morsetave dhe xhaketave te forces qe u vuri diktatura mendjeve tona.
Do duhet kohe te çlirohemi si popull. Edhe protestat e PD-se dhe Rinia Komuniste e Monika Kryemadhit Jane shprehje e mentalitetit komunist qe mbijeton akoma tek ne si popull.
Persa kohe qe nuk jemi te ndershem me veteveten dhe ta shohim te verteten ne sy, nuk do bejme dot perpara, por do mbetemi nje popull qe pjell ryshfet.
Megjithese mund te mos e kemi komplet nga diktatura. Pese shekujt e diktatures osmane dhe mbeturinat Islamike qe la mbrapa, Jane gjithashtu faktore shume te rendesishem qe kane ndikuar ne formimin e ndergjegjes tone kolektive.
Kur del Presidenti dhe uron Festen e Hashures, …,..eshte e kote te diskutosh, sepse bastardohet çdo diskutim.
Bravo
Bravo,jashtezakonisht e vertete ????