Nga Jorgo Mandili
Po bëhet një kohë e gjatë, qysh nga 2013, që opozita me ty në krye e ka humbur orientimin. Lundron në “detin e politikës” si një anije pa busull e pa xhiroskop. Pa ide, pa kauza, dhe pa vizione. Je një kapiten i mefshtë, anemik dhe diabolik. Nuk arrin dot të udhëheqësh dhe të frymëzosh “të vetët”, pa le të tjerët.
Lul Basha! Je bërë si “Tatarini”, personazhi i famshëm i Alfons Dodesë, i cili nisej triumfalisht për betejat me tigrat në shkretëtirë, i brohoritur nga turmat, dhe kthehej, kokë varur e i bërë zhele, i shqyer i rropatur dhe i tallur nga të njëjtat turma. Edhe ti po i vjen vërdallë kryeministrisë dhe parlamentit si “kali në lëmë” dhe pret t’i bien k….dashit, se ti dhe e gjithë lukunia tënde jeni të paaftë t’i afroheni dhe t’ia prisni.
Or Lul! Pushteti, për ty o derdimen është një ëndërr e largët, thjesht nga paaftësia e të ideuarit, drejtuarit e të kuptuarit, sepse nuk ke konceptin, madje edhe të atmosferës së rrallë në të cilën rrojnë idetë. “Idetë” e tua janë në fakt asgjë më shumë se “teka” të shprehura në fjalë, diçka e ngjashme me “tekat” e atyre adoleshentëve të llastuar. Sepse të kesh ide, të formosh opinione, do të thotë të kesh arsye dhe të besosh se kjo arsye ekziston si autoritet, të cilit ti i drejtohesh dhe i nënshtrohesh, pranon kodet dhe vendimet, dhe beson se forma më e lartë e marrëdhënieve ndër shoqërore është dialogu në të cilën shtrohen për diskutim arsyet e ideve apo “tekave” që ke.
Ndërkaq, në një kohë që e ndjen veten të humbur, ti përpiqesh të krijosh konflikte, apo të këmbëngulësh deri në budallallëk me qëndrimet e veprimet e tua, duke ndjekur një strategji tashmë të provuar tri herë dështake. Dhe vazhdon përsëri me të njëjtën strategji, duke i përsëritur e përsëritur veprimet destruktive kundër rendit deri në veprime neofashiste, me djegie, shkatërrime, shpërthime molotovësh. Një qëndrim absurd ky i joti dhe i opozitës. Që nuk ju faktorizon. Përkundrazi, ju dëmton. Nuk është e rastit që qëndrimet dhe veprimet tuaja nuk “ngjitin” në popull, që protestat tuaja nuk kthehen në revolta popullore .
Përse ndodh kështu?
Ndodh, sepse ju jeni një opozitë cinike dhe hipokrite. Ju në kërkesat tuaja nuk jeni në koherencë me problematikat dhe shqetësimet e njerëzve, nuk keni të njëjtën gjatësi vale me ta. Tjetër kauzë keni ju dhe tjetër populli.
Nuk mund të përputhet lakmia e juaj për pushtet me “çdo kusht, çdo mjet e çdo çmim” me shqetësimet e hallet e njerëzve të lidhura me mbijetesën e tyre që sa vjen dhe vështirësohet si rrjedhojë e keqqeverisjes së mazhorancës. Dy kauza krejt të ndryshme. Në këtë kontekst, janë hipokrite, boshe dhe cinike veprimet, qëndrimet dhe parullat tuaja në emër të qytetarëve për varfërinë, padrejtësinë dhe nëpërkëmbjen e tyre nga njëra anë, dhe “mëkatet” tuaja në krijimin e kësaj gjendjeje gjatë këtij tranzicioni të lidhura me vjedhjet, koncesionet, zvarritjet me pronat, abuzimet me drejtësinë, me pasurinë etj. Pastrohuni sinqerisht nga këto “mëkate”, që populli t’ju besojë. Nuk mund ta përdorni më popullin si instrument për të realizuar qëllimet tuaja. Këtë shumica e njerëzve me arsye e ka kuptuar, prandaj edhe nuk ju vjen pas.
Në të kundërt të kësaj, ju duhet t’i frymëzoni dhe jo t’i shfrytëzoni njerëzit duke u kthyer në një opozite “rrugaçe”, ku në mungesë të qytetarisë, prevalon vulgariteti. “Vetë qytetërimi s’është gjë tjetër veçse përpjekja e reduktimit të forcës për të qenë “radioja” e fundit”. Standardet, mirësjellja, komunikimi, debati, diskutimi, jo dhuna, arsyeja, toleranca, drejtësia -përse vallë janë shpikur gjithë këto, përse vallë janë krijuar prej paraardhësve tanë të gjitha këto ndërlikime? Ato janë të përmbledhura në një fjalë të vetme -Qytetërim -që para së gjithash është vullneti për të jetuar në një harmoni me të tjerët. Mungesa e qytetërimit është prirja drejt vulgarizimit.
Veprimet, qëndrimet, sjelljet, fjalimet, gjestet, deklaratat, këmbëngulja dhe ultimatumet e tua Lul, me kërkesa e kushte imponuese si thirrjet dhe ulërimat për tërheqje zvarrë, thyerje xhamash, shpuarje gomash e së fundmi mosbindje civile e bllokim rrugësh si dhe përdorimi i një fjalori banal, pra të gjitha këto simptoma patologjike të kthejnë në jetën e përditshme të vulgaritetit të turmës, pasojë kjo, jo vetëm e kësaj gjendjeje, por dhe e verbimit tënd nga kotësia dhe lakmia për pushtet. Komanda mbi jetën publike e ushtruar sot prej një vulgarizimi të tillë, nga pikëpamja intelektuale është ndoshta faktori më i ri, i pangjashëm me standardet e një demokracie europiane, ku pretendon ti t’a çosh Shqipërinë.
Demokracia europiane mbi të gjitha është kulturë. Si pretendon t’a çosh Shqipërinë në Europë kur nuk respekton standardet e qytetarisë? Kur ju fyeni, shani, ofendoni, shantazhoni, kërcënoni? Si mund t’a çosh ti Shqipërinë në Europë me dhunën që ushtron ndaj institucioneve dhe policisë? Me bomba molotovë, me flakët në kryeministri, me djegie gomash, me shkatërrime të pronës, etj., shfaqje këto nekrofilike të turmës tuaj militante? Jo or Lul jo! Europa nuk e pranon dhunën, sepse e di mirë se ushtrimi i dhunës është haraçi më i madh ndaj arsyes dhe drejtësisë. Ndaj ta ka venë edhe “kufirin tek thana”, duke të kërkuar të distancohesh nga dhuna dhe destruktiviteti. Por realisht e jo me hipokrizi.
Prandaj Europa dhe Amerika nuk ju përkrah. Përpos të tjerave, me lënien e mandateve keni ngelur rrugëve, duke krijuar një precedent të padëgjuar më parë. Tani që po kuptoni gomarllëkun që keni bërë dhe kthim pas nuk ka, e vetmja shpresë për shpëtim ju ka ngelur dhuna dhe destruktive, instrumente këto të preferuara të “ustait tuaj”.
Por ju dhe “Ustai” ende nuk e keni kuptuar se Ramën me dhunë nuk e rrëzoni dot ? Përkundrazi po e bëni më autokrat, duke i shtruar edhe rrugën e fitores. Shumica e popullit nuk do më ‘97e 14 shtator. Nuk do më vrasje e shkatërrime. E keni lodhur dhe nëpërkëmbur deri atje ku nuk mban më. Me këtë djersë edhe gjak të popullit janë “majmur”, kryetarë komunash, kryetarë bashkish, drejtorë, rektorë, profesorë e soji e sorrollopi i këtyre dhe juaji. Të gjitha dihen se njerëzit nuk “hanë bar”. Me rroga e ndershmëri nuk vihet gjithë ajo pasuri sado “xhins” i zgjuar të jeni, që në fakt, jo vetëm që nuk jeni, por jeni edhe nën mesataren e intelektit të popullit .
E, përderisa ju me kokëfortësi dhe budallallëk do të mbërtheheni pas strategjisë së dhunës dhe të rrugës dhe nuk do të paraqisni alternativë tjetër qeverisjeje të besueshme dhe me program të realizueshëm, ekip dhe mjete financiare, Edi Rama gjithmonë do fitojë.
Se nuk i ha më njeri ato broçkullat e tua Lul, për pensione mbi 250000 lekë, rroga mjekësh 1200€ , subvencione të fermerëve me qindra milionë eurosh etj., etj ., si “fast food”-e. Nuk e mundni dot Edi Ramën se jeni të pabesueshëm dhe të dhunshëm, hipokritë dhe irracionalë, nihilistë dhe potencialisht të paaftë për të qeverisur se jeni provuar dhe jo vetëm njëherë.
Nëse nuk është kështu na paraqitni “Qeverinë Hije”. Miku im, prof.Gëzim Basha në një status të tij në fb shkruan se:”Ndër institucionet më të rëndësishme të një opozite demokratike perëndimore, Qeveria Hije zë kreun e vendit…emrat e saj i japin publikut një ide të qartë se kush do t’i qeverisë nesër, nëse fiton opozita “.
Opozita me mençuri, zgjuarsi dhe objektivitet duhet të evidentojë të metat e qeverisjes së mazhorancës, t’i transformojë ato në kauza, të frymëzojë dhe të udhëheqë njerëzit drejt zgjidhjes së problemeve dhe shqetësimeve të tyre. Çdo ministër potencial në opozitë, duke kritikuar keqqeverisjen, shpalos alternativat e tij se si do ta bënte ndryshe kur të vinte në pushtet. Por jo me fjalë e premtime, por me argumente të shoqëruara edhe me burimet financiare.
Në ç’mënyrë do rritë rrogat dhe pensionet? A duhen rritur pagat toptan për të gjithë mësuesit, mjekët, infermierët, policët apo zyrtarët? Ku është meritokracia si motiv i karrierës së çdo individi? A mund të stimulohen kështu të aftët, krijuesit e të përkushtuarit? Si do t’i bënin ndryshe koncesionet dhe PPP-të? Cila do të ishte formula për mirëmbajtjen e rrugës së Kombit dhe rrugëve të tjera? Si do të shpëtonte Shqipëria nga përmbytjet? Cilat do të ishin prioritetet në arsim, bujqësi, ekonomi etj., probleme shqetësuese dhe ende të pazgjidhura, që janë bërë “vrimë e zezë” për buxhetin e shtetit dhe efektiviteti është minimal? Cili është vizioni i saj për modernizimin e administratës dhe shërbimeve publike në përgjithësi?
Të merret me problemet dhe zgjidhjet e tyre dhe jo me njerëzit. Kush merret me njerëzit dhe jetët e tyre tregohet i vogël dhe cinik. Jo vetëm kaq. Por këto vizione duhet t’i shpalosin figura të spikatura, me integritet moral e profesional e kurajoz. Nuk krijohet besueshmëri në popull nga të “rinj” të politizuar si Këlliçët, Klajdat, Kërpaçët, Kejtët, Klevistët e ndonjë Sal(anji) apo Brahimllari. As nga të vjetrit, të bërë “reçkë”si Mehdi, Nard, Agron, Sheh dhe “dueti”më i çuditshëm, si “unitet i të kundërtave”-“Pëto-Xheli (shkurtime përkëdhelëse të Shpëtim dhe Vangjel) .
Rinovimi dhe besueshmëria e një partie vjen nga integriteti moral dhe profesional, nga vizioni kurajoz i përfaqësuesve të saj më të mirë, nga programi strategjik i shoqëruar me rrugët dhe burimet financiare gjë që do t’a bëjë të besueshme opozitën para popullit për përgjegjshmëri dhe seriozitet në misionin e saj.
Vetëm kështu mund ta mundni Edhe Ramën i cili për hir të së vërtetës po e keqqeveris vendin. Por fiton. Fiton dhe falë kontributit real që jepni ju në këtë fitore. Që jepni ju me dhunën e rrugaçëritë tuaja. (Vota për Edin nuk është pro Edi, është votë anti-opozitë, votë anti-Sali, votë anti-dhunë. Edi, duke e ditur këtë, me mjeshtëri e shfrytëzon këtë dobësi dhe budallallëk tëndin dhe luan me ty o “ditëzi si “macja me miun”).
Lul! Si një qytetar i thjeshtë, si mijëra të tjerë, duam që edhe ti të sillesh si europian, pavarësisht se thonë që ke mbaruar studimet në Holandë. Gjyshja ime për disa si ty që vinin nga Evropi dhe silleshin si budallenj thoshte: “Pika atij, ka bërë “shkolië apo sjollë””.
Prandaj Lul, së bashku me “taborin tënd paramilitar” , mos i merrni në qafë disa fakirë që futen në burg për ju, por ndërgjegjësohuni dhe hiqni dorë nga kjo strategji e dhunës dhe e destabilizimit dhe tani në prag të negociatave shfrytëzojeni shansin që ju ka ardhur në derë si juve edhe maxhorancës për t’u sjellë si europiane. Dialogoni dhe bashkëpunoni, që së bashku ta bëni Shqipërinë si gjithë Europa, aspiratë të cilën populli e ka kërkuar qysh në fillimet e demokracisë.
Në të kundërt “pashkët” do jenë shumë larg për ju dhe qeverinë, por mbi të gjitha për popullin, që e doni aq shumë dhe sakrifikoheni për të duke e vjedhur, vrarë e varfëruar. I vini gishtin kokës! Durimi ka kufi si për ju që keni ngelë të pandëshkuar edhe për këta të korruptuarit që qeverisin. Se janë të tillë këta prandaj “livadhisni”edhe ju.
Lul i pandëshkuar dhe Ramë i korruptuar! I”vini gishtin kokës”, për të mos e humbur edhe këtë shans historik si herët e tjera për shkak të kokëfortësisë, kryeneçësisë, xhelozisë apo për interesa të ngushta personale, vese këto të një klase politike “adoleshente” dhe mediokre. Lini mënjanë interesat e vogla meskine, personale, partiake, lokale, cinike, vulgar. Tregohuni një herë të vetme europianë në zgjidhjen problemeve: me dialog, negociata, debate konstruktive dhe duke reflektuar kudo e në çdo gjë një sjellje etike (pa sharje, ofendime, akuza etj).
Për herë të parë në historinë e këtij tranzicioni të trishtë bashkohuni dhe të tregohuni një herë të vetme racionalë dhe të përgjegjshëm si qeveria ashtu edhe opozita. Shumë gjëra ju bashkojnë .E vetmja gjë që ju ndan është lakmia për pushtet dhe babëzia për pasurim.
Në të kundërt populli nuk ka për t’ua falur kurrë. Kurse historia do t’u kryqëzojnë në “Shtyllën e Turpit”!.
Sh mire e ke qendisur o Mandili. E ke qare me pak llafe. Problemi esht se nuk po marin garanci nga askush qe nuk do preken nga SPAK. Kesaj i jep dot shpjegim ti??? Dhe prandaj nuk bejn mbrapa i pret burgu o zoti Mandili..
Je i sakt, opozita e ka humb rrugen se lireret e saj skane asnje parim demokratik. Anakti dhe vetem anarki, fundi i nje tranzicioni te frikshem
Nuk mund te shtohet as edhe nje pik e presje,te lumte dora dhe mendja