Nga Romarjo Xhemali
E nisur në vitet 90′, ku si zanafillë kishte lëvizjet e dhjetorit të atij viti jubilar, edhe sot gati 30 vite më pas, “Shqipëria si Europa” ,kjo ëndërr e çdo shqiptari mbetet ende e mbyllur në sirtar, madje me një dryn që zor se hapet.
Në imagjinatën e dobët të çdo shqiptari të asaj kohe, i cili ishte i ndrydhur nga sistemi dhe tejet i painformuar, arriti të merrte jetë e kuptim ideja për një të ardhme europiane të vendit, si rruga e vetme për rregullimin e jetëve të tyre.
Fillimisht e menduar kryesisht nga elita shoqërore, ëndrra për një Shqipëri si gjithë Europa arriti të kapërcejë kufijtë e inteligjencës, të depërtojë edhe në mendjet më të mbyllura dhe të bëhet pjesë integrale e pritshmërive të popullit shqiptar.
Aq shumë është përdorur, përsëritur, thënë e stërthënë dhe aq pritshmëri të mëdha krijoi, saqë u krijua ideja se Europa mund të vinte në Shqipëri pa punë e përpjekje dhe çdokush mund të zgjohej europian brenda natës…
Në fakt askush nuk kishte një ide dhe plan konkret për rimëkëmbjen e shtetit, duke filluar që nga qytetari i thjeshtë, nënpunësit e deri te ata që ishin në majë të piramidës politiko-ekonomike.
Të gjithë ishin mbyllur në një rreth vicjoz individualist, ku nuk mund të shihnin përtej tij. Mossakrifikimi i dickaje nga vetja në shërbim të vendit (sic ndodhi në Gjermaninë e shkatërruar të pasluftës) dhe mendimi se të mirat kolektive do të vinin natyrshëm, pa i kërkuar, do të kthehej në pengesë për ëndrrën e përbashkët, si një lloj bumerangu.
Vjedhja e trashëguar edhe nga sistemi i vjetër do të perfeksionohej e bëhej gur themeli për sistemin e ri. Padyshim që përgjegjësi kyce për këtë situatë ka klasa politike 30 vjeçare, por jo vetëm. Abuzimi do të ishte prezent në çdo sektor, ku protagonist do të ishin të gjithë nivelet e popullsisë. Nga ana tjetër, bashkëjetesa paqësore e gjithë grupeve të interesit me vendimet e qeverive i vendoste këto të fundit në kushte mjaft komode gjatë vjedhjes së radhës.
Prandaj edhe shprehja se çdo popull e meriton qeverinë që ka, zë vend më së miri në Shqipërinë e këtyre viteve.
Ndërsa, përsa i përket përgjegjësisë së establishmentit politik, mund të themi se të gjitha qeveritë e deritanishme, të majta e të djathta e kanë pasur premtim kyç “Shqipërinë si Europa” .
Dhe pas dështimit secila palë fajëson palën kundërshtare e askush nuk mban përgjegjësi për asgjë. Aktorët kryesor politik në vend (që nga Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta e Edi Rama ) si objektiv të vetëm kanë pasur akumulimin e sa më shumë pushteteve dhe pasurive me qëllim qëndrimin sa më gjatë në fushën e lojës.
Mbyllja e vazhdueshme e sistemit mundësoi mospromovimin e figurave të reja dhe nxjerrjen jashtë të atyre të vjetra që sfidonin pushtetin e kryetarëve respektive brenda partive. 2008-a me marrëveshjen okulte mes dy liderëve, Sali Berishës dhe Edi Ramës për ndryshimet elektorale duke kaluar nga listat e hapura në ato të mbyllura, pa një konsultim të gjerë, do të shënonte fundin e demokracisë e zërave ndryshe brenda partive. Megjithese marreveshja e 2008-es u nis per te zvogeluar rolin e te forteve, padroneve dhe biznesit ne politike, realisht rezultoi e kunderta.
Partitë politike dhe vetë struktura e shtetit morën një pamje despotike ku sundonte pushteti i njëshit. Militantizmi partiak në rritje në këmbim të vendeve të punës, minoi konkurrencën dhe i la profesionistët në hije. Kalbja e vazhdueshme e këtij sistemi e ka nxjerrë opozitën e sotme jashtë tij për të luftuar sistemin që ajo vetë e krijoi.
Në gjykimin tim si analist, zanafilla e gjithë të këqijave nis me përmbysjen e sistemit komunist, e cila ishte e qetë e në dukje e planifikuar. Ndryshe nga disa vende të tjerë, këtu nuk pati gjakderdhje dhe pushteti qëndroi sërish brenda të njëjtës klasë social-politike, pra pushteti ndahej e vazhdon të ndahet mes ish-bllokmenëve. Mosndëshkimi në momentin e duhur i krimeve të komunizmit dhe fajtorëve për gjendjen mjerane ku ndodhej Shqipëria, krijoi preçedentin e pandëshkueshmërisë së administratës shtetërore, gjë e cila na ndjek edhe sot, ku te gjithë abuzojnë e askush nuk dënohet.
Tek pjesa e përgjegjësisë së mosintegrimit, mund ti ngecim një pjesë të fajit edhe vet Europës, e cila ndoshta nuk na ka vlerësuar sa duhet dhe nuk na ka parë me sy pozitiv. Ndoshta kjo për shkak të fesë sonë dominante, ndoshta se jemi një vend i vogël që nuk i intereson askujt, por gjithsesi unë mendoj se fajin duhet ta kërkojme në çdo rast te vetja dhe të mos përdorim justifikime për t’ua hedhur të tjerëve.
E vërteta është se duhet të pranojmë gabimet tona, sepse kur fillojmë të kuptojmë, fillojmë edhe të ndryshojmë. Edhe nëse ka një skepticizëm real në Europë për Shqipërinë, është detyrë e përfaqësuesve tanë të lobojnë e të punojnë më fort për t’ua ndryshuar këtë mendim.
E ndërsa në retorikë asnjë popull tjetër i ish-bllokut lindor nuk u bë kaq europian-dashës sa ne, çuditërisht, ata sot janë më pranë integrimit (në mos të integruar). Një vend i bekuar nga zoti me resurse të pashtershme, me toka pjellore e rezerva ujore të shumta, nuk po bën dot as para e as pas, por ka ngecur në vend.
Bashkëkombasit tanë që emigrojnë shohin përditë e me shumë atë që ofron perëndimi, mundësitë e arta të epokës postmoderniste atje. Gjë që përkthehet në siguri të lartë, shëndetësi moderne, treg pune të mirëfilltë, teknologji prodhimi inovative dhe në tërësi cilësi më të mirë jetese e mirëqënieje. Ata e kuptojnë mjaft mirë se çdo të thotë fjala “Europë” dhe nevojën imediate të vendit tonë për ndryshim e integrim.
Kësisoj ëndrra për një Shqipëri europiane vazhdon ende, me të njëjtën forcë si në fillimet e saj, pavarësisht tejzgjatjes sfilitëse në kohë. Përdorimi më i fundit i togfjalëshit të sipërpërmendur po bëhet nga opozita e sotme, e cila e ka kuptuar mjaft mirë forcën magnetike të këtij slogani dhe kërkon që këtë premtim ta përkthejë në votë.
Të shpresojmë që përtej shërbimit si burim vote, ky premtim të mos jetë thjesht i radhës, por të bëhen përpjekje serioze që kjo ëndërr të marrë fund e të bëhet realitet i prekshëm. Mjaft kohë është humbur deri tani në këtë tranzicion të gjatë. Nëse vizioni ynë për në Europë nuk pasohet nga veprime konkrete dhe ngelet vetëm me fjalë boshe e fjalime, atëherë gjithnjë e më e largët do të jetë porta e perëndimit.
Ëndrra do të shndërrohet në makth dhe benefitet europiane jo vetëm nuk do ti shijojmë, por nga pamundësia për tu arritur do mësohemi me idenë që nuk janë të duhurat për ne, e rrjedhimisht nuk do na pëlqejnë më.
Do të mbetemi në atë suazën e të ngopurit me lugë boshe, duke u kënaqur me ndonjë kockë që na e hedhin nga lartë…