VJENË – Më 20 Maj, Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar publikoi një raport të ri mbi zonat problematike të krimit të organizuar në gjashtë vende të Ballkanit perëndimor – Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, dhe Serbi. Raporti paraqet një tabllo unike të kriminalitetit, duke bërë një analizë të detajuar të zonave të veçanta problematike në një kontekst më të gjerë rajonal.
Ky studim i ri u zhvillua nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, që është pjesë e rrjetit të Iniciativës Globale. Raporti bazohet mbi informacione të mbledhura nga gazetarë vendas dhe ekspertë të fushës, dhe që më pas u përpunua nga përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në rajon.
“Ky raport u hartua nga organizata të shoqërisë civile që janë të shqetësuara nga ndikimi i grupeve anti-shoqërore mbi shoqërinë në vendet e Ballkanit perëndimor,” tha Mark Shaw, drejtor i Iniciativës Globale.
Raporti analizon aktivitetet e paligjshme në zona kufitare, qytete kryesore, qytete bregdetare, si dhe nyje transporti ku kryqëzohen autostrada. Studimi gjithashtu tregon se zonat ku kontrolli i qeverisë është i dobët, në krahina në vështirësi ekonomike, si dhe zonat përgjatë arterieve kryesore të transportit kanë probabilitet më të madh që të kthehen në zona problematike të krimit të organizuar.
Studimi tregon gjithashtu se, grupet e krimit të organizuar në të gjithë rajonin, dhe veçanërisht në zonat problematike, janë të përfshira në disa lloje trafiqesh të paligjshme. Me fjalë të tjera, grupet kriminale kontrollojnë një korridor që përdoret njëkohësisht për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave, si dhe mallrave të tjera. Ndonëse raporti nuk ndalet në mënyrë të veçantë mbi lëvizjen e mallrave kontrabandë, gjatë studimit u krijua një listë e përditësuar e trafiqeve të paligjshme në korridoret ballkanike, si dhe u identifikuan pikat dhe faktorët e dhunës në rajon.
“Të bën përshtypje fakti se shumica e aktiviteteve të paligjshme në këtë rajon kanë të bëjë me trafiqe që hyjnë apo dalin nga vende të Bashkimit Evropian,” tha Shaw. “BE i ka mundësitë – dhe përgjegjësinë – që të ushtrojë presion të mjaftueshëm për të shkatërruar këto tregje të paligjshme, duke reduktuar ndikimin e krimit të organizuar mbi vendet e Ballkanit, dhe kjo është në vetë interesin e BE-së.”
Raporti shqyrton zona problematike në kontekstin e një ekosistemi më të gjerë të krimit, që karakterizohet nga klientelizmi, patronazhi politik, dhe në disa raste edhe nga kapja e shtetit. Ai tregon gjithashtu se ata politikanë që luajnë rolin e nacionalistit të flaktë shpesh janë përgjegjës për dobësimin nga brenda të sovranitetit të shtetit, dhe janë të gatshëm të vënë në rrezik interesat kombëtare për përfitime personale.
“Kufijtë dhe ndarjet etnike nuk i pengojnë kriminelët që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin,” tha Shaw. “Nga ana tjetër, mungesa e bashkëpunimit dhe qeverisja e dobët pengon koordinimin midis shteteve dhe punën e sistemit të drejtësisë brenda vendeve të rajonit.”
Raporti përfundon duke bërë edhe një vlerësim mbi mundësinë e shfaqjes në të ardhmen të zonave të reja problematike në lidhje me krimin e organizuar.
Ja pikat e nxehta te Shqiperise
Shkodra, në verilindje të Shqipërisë, është një zonë problematike për krimin e organizuar si pikë e rëndësishme për trafikimin e kanabisit, dhe afërsisë me Malin e Zi. Prefektura e kishte rreth 200,000 banorë34 në janar 2019, dhe Shkodra është qyteti i katërt më i madh në Shqipëri. Shkodra njihet si vend ku zhvillohej kontrabanda që gjatë luftrave në Ballkan, gjatë vitete ‘90. Në ditët tona, grupet kriminale në qytet janë të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore, para me fajde me interesa të larta, vënia gjobash, si dhe trafikimin e drogave dhe emigrantëve. Ka të paktën katër klane të fuqishme kriminale në këtë qytet, dhe shumica e pjesëtarëve të këtyre grupeve kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin.35 Këto familje kriminale të stilit mafioz mendohet se kanë lidhje të forta me grupe kriminale në zona të tjera të vendit, si dhe në Kosovë, dhe Mal të Zi.36 Ato mendohet se janë të lidhura me grupe të diasporës në Evropën perëndimore, si dhe me politikanë e parti politike. Nga fundi i vitit 2018, pesë persona u vranë dhe dy u rrëmbyen në Shkodër, duke shënuar edhe valën më të fundit të dhunës në këtë qytet.
Porti i Durrësit (një prefekturë me rreth 290,000 banorë, sipas të dhënave të nxjerra në janar 201937) është porti më i madh në Shqipëri, dhe një zonë problematike për shumë lloje trafikimi. Është një pikë hyrëse për kalimin e kontenierëve që vijnë me anije nga Amerika latine. Ky port përdoret edhe nga kompanitë e trageteve që udhëtojnë rregullisht drejt Italisë. Drogat kalojnë për në Itali të fshehura në autobuzë, makina dhe kamionë, ndërsa ngarkesat e mëdha të drogës arrijnë me kontenierë. Tani së fundmi, një shofer kamioni u arrestua më 28 mars 2019 me dy kilogramë heroinë të pastër që i kishte fshehur në trup.38 Disa burime thanë për GI se lëkura e papërpunuar po përdoret për të fshehur importin e narkotikëve, meqë era e fortë e lëkurës thuhet se maskon në mënyrë të efektshme erën e drogës. Në shkurt 2018, policia shqiptare konfiskoi një ngarkesë me 613 kilogramë kokainë që vinte nga Kolumbia në një kontenier plot me banane. Përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i pajisjeve skanuese (duke përfshirë edhe Njësinë e kontrollit të portit që mbështetet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimin dhe Drogën – UNODC) mund të krijojë mundësi për një kontroll më efikas të portit nga policia dhe dogana, por nga ana tjetër një punonjës dogane tha në një intervistë se zyrtarët e lartë nganjëherë i “dekurajojnë” vartësit e tyre nga kontrolli i makinave të caktuara.39
Vlora, në jug të Shqipërisë (prefektura ka rreth 190,000 banorë, sipas të dhënave të nxjerra në janar 201940), është porti i dytë më i madh në vend. Afërsia me Italinë e ka bërë këtë zonë si pikë nisje për skafet e shpejta që përdoren për trafikim, veçanërisht për kanabis, që deri këto kohët e fundit kultivohej në sasi të mëdha në këtë krahinë. Që prej shumë vitesh kriminelë nga Vlora janë transferuar drejt Italisë dhe Spanjës, ku vazhdojnë të merren me aktivitete të paligjshme. Së fundmi, ky qytet është tronditur nga një sërë vrasjesh (duke përfshirë edhe vrasjen e kreut të një grupi kriminal, Edision Harizaj në nëntor 2018), që duket se kanë ardhur si rezultat i luftës për kontrollin e tregjeve jashtë Shqipërisë, si dhe vrasje për hakmarrje midis grupeve kriminale. Mendohet se aktivitetet kriminale në Vlorë dhe rethina përfitojnë edhe nga bashkëpunimi midis kriminelëve dhe policisë, si dhe nga mbrojtja e disa politikanëve.41
Saranda është një qytet port shumë i bukur në bregdetin shqiptar, pranë kufirit me Greqinë dhe përballë ishullit të Korfuzit. Ky qytet, që ndodhet jo larg qytezës antike të Butrintit, është një destinacion turistik për mijëra pushues, por ka edhe një port me shumë lëvizje. Gjatë viteve të fundit, popullsia e Sarandës gati është dyfishuar (me rreth 55,000 banorë42). Ka patur një bum ndërtimesh në qytet, dhe porti është zgjeruar. Zona e Sarandës thuhet se është qendër trafikimi dhe veprimtarish të paligjshme. Trafikantët përdorin edhe mushka për të kaluar drogë (kryesisht kanabis) përtej kufirit në Greqi. Burime të ndryshme thonë për GI, se policia vendore dhe zyrtarët e policisë kufitare e dinë se cilët janë trafikantët kryesorë, por kanë marrë urdhëra nga shefat e tyre që të mos i ndalojnë.43 Trafikantët mendohet se kalojnë drogë – kryesisht heroinë dhe kokainë – nga kufiri në Qafë Botë / Sagiada, ku mungojnë pajisjet skanuese. Ka zëra se pjesa më e madhe e këtyre drogave shkon drejt portit grek të Igumenicës, dhe më pas i drejtohet Italisë së jugut. Në janar 2019, një nga krerët e krimit në këtë krahinë, Klement Balili, iu dorëzua policisë. Balili kërkohej që prej tre vjetësh, pasi akuzohej për trafikimin e 700 kilogramëve kanabis për në Greqi.
Kurbini dhe Lezha janë zona problematike të krimit të organizuar në Shqipëri (e gjithë prefektura ka rreth 125,000 banorë103). Zona e Kurbinit (që shtrihet në një sipërfaqe 235 kilometra katrorë) ndodhet përgjatë autostradës që lidh Tiranën me Lezhën, dhe një nga fshatrat e kësaj zone, Fushëkuqe, ndodhet në bregdetin e Adriatikut. Kjo e bën këtë krahinë një vend ideal për trafikimin e drogës drejt Italisë. Kurbini është një krahinë shumë e varfër. Disa nga grupet kriminale nga kjo zonë – që zakonisht përbëhen nga persona që kanë lidhje farefisnore me njëri-tjetrin – janë të përfshira në trafikimin e drogës, ndërsa disa të tjera kanë nam të keq për vjedhje, grabitje dhe pastrim parash (veçanërisht në fushën e pasurive të paluajtëshme). Thuhet gjithashtu se në këtë zonë ka edhe kultivim kanabisi.
Në vitin 2014, në Fushëkuqe u zbulua një laborator droge. Gjatë këtij operacioni, policia konfiskoi 7 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë, dhe 100 kilogramë kanabis, si dhe një numër armësh zjarri. Grupi kriminal që kishte laboratorin me sa duket vazhdon akoma aktivitetin, dhe ka lidhje me grupe kriminale në Kosovë. Një nga qytetet më problematike në krahinën e Kurbinit është Laçi. Kriminelë nga ky qytet kanë marrë namin si persona të egër dhe të dhunshëm, dhe duket se grupet e tjera të krimit në Shqipëri nuk u zënë besë kriminelëve nga Laçi.
Zona e Lezhës (pak më në veri) ka dalje në Adriatik, duke përfshirë edhe portin e Shëngjinit. Grupet kriminale nga Lezha kanë qenë aktive në trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e drogës dhe shitjen e armëve. Disa prej tyre janë aktive edhe jashtë vendit, veçanërisht në Itali dhe Hollandë. Thuhet gjithashtu se këto grupe i pastrojnë paratë në këtë zonë, veçanërisht me investime në pasuri të paluajtëshme, turizëm, bare, restorante dhe pika karburanti. Kjo zonë njihet gjithashtu edhe për familje të përfshira në aktivitete kriminale dhe të lidhura ngushtë me politikën. Kështu, thuhet se disa deputetë nga kjo zonë janë të implikuar me krimin e organizuar, dhe madje njëri prej tyre u përjashtua nga Kuvendi për këtë arsye. Në mars 2018, kryetari i bashkisë së Lezhës dhe 11 zyrtarë të tjerë u arrestuan me akuzën e shitjes së paligjshme të tokave në bregdet, me qëllim përfitimin e shumave të mëdha në para.
Tirana është një nga kryeqytetet më dinamike në Ballkan. Popullsia e Tiranës (rreth 895,000 banorë në vitin 2018104) është katërfishuar gjatë 20 viteve të fundit, ndërkohë që mosha mesatare e popullatës është mjaft e re, 27 vjeç.105 Në të kaluarën, kryeqyteti ka qenë qendra e veprimtarisë së disa prej grupeve kriminale më të rrezikshme në Shqipëri. Kërcënimi që vjen nga këto grupe ka rënë disi, por megjithatë ka akoma disa grupe kriminale që vazhdojnë të jenë aktive në këtë qytet. Ato funksionojnë më shumë si mbështetje për aktivitete kriminale jashtë vendit, kryesisht në Hollandë, Belgjikë, Spanjë, Zvicër, Gjermani, Itali, Kosovë, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por kanë edhe lidhje në Turqi dhe Amerikë latine. Aktivitetet kryesore të këtyre grupeve janë trafikimi i drogës, shantazhi, lojëra fati të paliçensuara, pastrim parash, gjoba biznesi, dhe vrasje me pagesë. Tirana gjithashtu konsiderohet si një pikë takimi dhe kontakti, ku grupet kriminale nga zona të tjera të vendit takohen për të krijuar lidhje me njëri – tjetrin, apo me zyrtarë nga qeveria dhe forcat e ruajtjes së rendit. Marrëdhëniet midis grupeve kriminale nuk kanë qenë gjithmonë miqësore. Gjatë viteve të fundit, janë regjistruar një numër atentatesh, kërcënime për bomba dhe shpërthime eksplozivi që lidhen me konflikte të grupeve kriminale. Kohët e fundit, ka patur edhe një sërë grabitjesh të bujshme, duke përfshirë edhe grabitjen e një sasie parash që do të transportohej në Vjenë nga aeroporti i Rinasit.106
Elbasani (prefektura ka një popullsi me rreth 274,000 banorë, sipas të dhënave të vitit 2018107) ndodhet në qendër të Shqipërisë, në kryqëzimin e korridoreve të trafikimit veri-jug dhe lindje-perëndim (nga portet e Durrësit dhe Vlorës për në Ohër). Grupet kriminale në Elbasan janë përfshirë në trafikun e kanabisit, heroinës, dhe kohët e fundit edhe me trafikun e kokainës. Në vitin 2015, në një fshat të bashkisë Elbasan u zbulua një laborator droge që përdorej për përpunimin e kokainës.108 Policia sekuestroi 115 kilogramë kokainë, 359,000 euro, armë, si dhe u arrestuan 11 persona – përfshi edhe dy kolumbianë. Thuhet se qyteti është baza e dy prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, dhe që të dyja bandat janë të përfshira në trafikun e kokainës drejt Evropës perëndimore dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Qyteti jugor i Fierit (në vitin 2019 prefektura kishte 294,000 banorë109) ndodhet në krah të autostradës kryesore që lidh Shqipërinë e mesme me jugun e vendit. Thuhet se grupet kriminale nga kjo krahinë janë të lidhura ngushtë me rrjete kriminale jashtë shtetit (veçanërisht në Evropën perëndimore dhe Amerikën latine), si dhe me politikanë në Shqipëri. Për shembull, Arjan Shanaj nga Fieri u arrestua në Greqi në pranverën e vitit 2017, pasi u kap me kokainë që vinte nga një organizatë kriminale nga Kolumbia. Disa nga grupet kriminale karakterizohen edhe nga lidhje të forta familjare dhe shoqërore. Një burim që e njeh mirë zonën shpjegon: “Këto grupe janë shumë të dhunshëm, kanë një organizim të sofistikuar, dhe kanë lidhje të ngushta me politikën, dhe të gjithë këto faktorë bëjnë që organizatat kriminale në Fier të jenë të paprekshme.’110 Aktivitetet kryesore të paligjshme të grupeve kriminale në këtë zonë përfshijnë trafikimin dhe përpunimin e drogës (thuhet se në këtë qytet ka disa laboratorë heroine), shantazh (duke përfshirë edhe foto apo video kompromentuese të politikanëve me prostituta apo duke marrë drogë), dhe pastrim parash (veçanërisht me pika karburanti, kazino, bare, restorante dhe hotele) në Fier dhe në bregdet. Zona e Fierit pritet që të përfitojë ekonomikisht nga përfundimi i gazsjellësit Trans Adriatik (nga Turqia në Itali). Një seksion i tubacionit të gazit natyror, një impiant kompresorësh, dhe një stacion matës do të ndërtohen pranë Fierit, dhe parashikohet se do të vihen në punë në vitin 2020.111 Po kështu janë planifikuar edhe projekte zhvillimi të infrastrukturës.
Çfarë është Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore
Observatori u krijua në gusht 2018, dhe fokusi i punës së tij janë gjashtë vende të Ballkanit perëndimor: Shqipëria, Bosnjë Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe Serbia. Gjatë vitit të parë të krijimit të tij u ngrit një rrjet rajonal, që ka për qëllim forcimin e shoqërisë civile nëpërmjet lidhjes në rrjet dhe organizimit të aktiviteteve për shkëmbimin e informacionit dhe njohurive. Ky rrjet mblodhi së bashku individë dhe grupe që kishin të njëjtat objektiva, dhe që vinin nga fusha të ndryshme të jetës (organizata jo-qeveritare, fetare, rinie, nga sektori privat, arsimi dhe media), për të punuar së bashku në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, dhe për ndërtimin e institucioneve të forta. Po kështu, vendet e rajonit u përfshinë në klasifikimin botëror mbi krimin e organizuar, që mat shkallën e problemit që paraqesin tregjet e paligjshme, shtrirjen e elementit kriminal, si dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë ndaj krimit të organizuar. Ky raport ishte studimi i parë rajonal i kryer nga Observatori.