Xhaçka: Ka influencë ruse, përpjekje për destabilizim të Ballkanit. Synojnë nxitjen e tensioneve fetare, politike, sociale

22 Maj 2019, 11:47Politika TEMA
Xhaçka: Ka influencë ruse, përpjekje për destabilizim

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka mori pjesë në konferencë ndërkombëtare “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit”, organizuar nga Qendra George C. Marshall për Studime të Sigurisë, Albanian Policy Center dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë.

Ministrja Xhaçka theksoi se arsyeja përse Ballkani është në fokus të këtyre përpjekjeve është e kuptueshme: “Ballkani është një shënjestër më e lehtë dhe një Ballkan i pasigurt, një Ballkan i destabilizuar, do të thotë edhe një Europë e kërcënuar”.

Më tej, ministrja Xhaçka u shpreh se Shqipëria gjatë këtyre 10 vjetëve, padyshim e ndihmuar edhe nga statusi i saj si një vend anëtar i NATO, e ka konsoliduar rolin e saj si një shtyllë stabiliteti në rajon:

“Me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe me zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe hapjen e rrugës për fqinjin tonë lindor për t’u anëtarësuar në NATO, sigurisht që të gjithë ne ndihemi sot me të sigurt dhe më imunë ndaj këtyre influencave”.

Të ftuar në konferencë ishin edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekani i Qendrës Europiane George C. Marshall për studime të Sigurisë, Andrew Michta, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Susanne Schütz, atasheu ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ish – presidentja e Republikes së Kosovës, Atifete Jahjaga etj.

Fjala e plotë e mbajtur nga Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka:

Ju falënderoj për ftesën për të përshëndetur këtë konferencë dhe dua t’ju përgëzoj për punën e shkëlqyer që vazhdoni të bëni në studimet në fushën e Sigurisë.

Kjo konferencë prek një nga çështjet më të ndjeshme me të cilat përballemi sot të gjithë teksa punojmë për të garantuar sigurinë e vendeve tona.

Besoj që sot nuk ka më asnjë dyshim, në qarqet e atyre që çështjet e sigurisë i kanë profesion, por edhe në qarqet akademike, që vendet tona, shoqëritë tona, përballen me një kërcënim shumë real në formën e influencave të huaja, ku do të veçoja mbi gjithë të tjerat përpjekjet e Rusisë, të cilat synojnë të depërtojnë jo thjesht në qarqet politike, ekonomike apo institucionale, por edhe në mënyrë kapilare në shoqëritë e komunitetet tona. Janë përpjekje që synojnë avancimin e axhendave që bien ndesh me ato që janë prioritetet tona, bien ndesh me axhendën e integrimit evropian dhe që në thelb synojnë të dobësojnë themelet e modelit politik, ekonomik dhe shoqëror që kemi zgjedhur të ndërtojmë në vendet tona.

Ngjarjet e ditëve të fundit në një nga vendet anëtare të BE, na treguan fare qartë që askush nuk është imun ndaj këtyre përpjekjeve, apo ndaj këtyre influencave. Por siç është e vërtetë që edhe shoqëri e vende me një traditë demokratike e politike shumë më të konsoliduar se ne kanë rezultuar të cenueshëm ndaj këtyre influencave, po aq është e vërtetë që edhe Ballkani Perëndimor, për shkak të pozitës së tij gjeografike, por edhe për shkak të historisë e trashëgimisë se tij etnike, fetare e politike është, si të thuash, hallka më e dobët e zinxhirit.

Prandaj, nëse në BE fushatat për shtrirjen e influencës kanë marrë formën e “fake news”, apo tentativave për të financuar grupime politike të ekstremeve; në rajonin tonë, tentativat për shtrirjen e influencës, kanë qenë shumë më flagrante dhe kanë arritur deri në tentativa për grusht shteti, apo përpjekje të hapura për të kapur elitat politike dhe ato ekonomike.

Arsyeja përse Ballkani është në fokus të këtyre përpjekjeve është e kuptueshme. Siç e thashë më lart, Ballkani është një shënjestër më e lehtë dhe një Ballkan i pasigurt, një Ballkan i destabilizuar, do të thotë edhe një Europë e kërcënuar.

Por pikërisht tek Evropa duhet kërkuar jo vetëm motivi, por edhe shkaku i intensifikimit të kësaj fushate nga ana e këtyre aktorëve, apo këtyre influencave gjatë viteve të fundit. Sepse fatkeqësisht, për një kohë të konsiderueshme, duke konsumuar vëmendjen dhe energjitë e saj me krizat e brendshme, duke filluar të humbasë besimin tek zgjerimi, Evropa ka lejuar të krijohet në Ballkanin Perëndimor një vakum, ku aktorë që nuk e duan integrimin euroatlantik të rajonit, nxisin apo vazhdojnë të shtrijnë influencën e tyre

20 vjet më parë, do të kishte qenë e paimagjinueshme që, fjala që bie, një vend si Rusia, të cilën e dëgjojmë shumë, të arrinte të destabilizonte rajonin e Ballkanit Perëndimor e të shndërrohej ne një rival, a një kërcënim për Bashkimin Europian, apo jo? Nëse sot ne diskutojmë seriozisht për rrezikun e destabilizimit të rajonit tonë si pasojë e ndërhyrjeve ruse, kjo shpjegohet edhe nga fakti që shumë qytetarë në të gjithë rajonin tonë sot besojnë se jetojnë në një xhep të paintegruar, të izoluar, ku perspektiva evropiane ka filluar të duket si një ëndërr e bukur, por shume e largët.

Gjate këtyre 10 vjetëve Shqipëria padyshim e ndihmuar edhe nga statusi i saj si një vend anëtar i NATO e ka konsoliduar rolin e saj si një shtyllë stabiliteti në rajon. Me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe me zgjidhjen e çështjes se emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe hapjen e rrugës për fqinjin tonë lindor për t’u anëtarësuar në NATO, sigurisht që të gjithë ne ndihemi sot me të sigurt dhe më imunë ndaj këtyre influencave.

Vendimi për të ndërtuar në Shqipëri, në Kuçove, bazën e parë ajrore të NATO-s në rajonin tonë, padyshim që është një sinjal i fortë i vendosmërisë së Aleancës për të qëndruar në rajon, por edhe një sinjal i fortë i rëndësisë së madhe strategjike që po merr rajoni i Ballkanit Perëndimor, në raport me garantimin e sigurisë së Europës.

Duhet theksuar po ashtu, që edhe për shkak të historisë, Shqipëria dhe shqiptarët, janë ndoshta i vetmi popull në rajonin tonë, që gëzojnë një imunitet goxha të shëndoshë ndaj përpjekjeve të këtyre aktorëve të ndryshëm, veçanërisht Rusisë, që dëgjojmë shpesh, për të shtrirë influencën këtu.

Por, është po ashtu një fakt, që përfshirja e këtyre aktorëve në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë shumë e fortë dhe ç’është më shqetësuese, është fakti që objektivi kryesor që ata kanë zgjedhur për të avancuar axhendën e tyre gjeopolitike, është nxitja e destabilitetit në vendet tona, ku vërtet sot ka paqe dhe një thellim, si pasojë e një thellimi të bashkëpunimit e shkëmbimeve, por ku këto arritje vazhdojnë ende të jenë të brishta.

Bëhet fjalë për një përpjekje të mirëmenduar, të mirëplanifikuar, të mirëmenaxhuar dhe të mirëfinancuar për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë kështu, në njërën anë, penetrimit të mëtejshëm të këtyre influencave dhe aktorëve në rajon dhe, në anën tjetër, dobësimit të sigurisë së BE. Është një përpjekje që ka marrë formën e një sulmi frontal hibrid në arsenalin e instrumenteve që përdoren; instrumente që shkojnë, që nga incentivat ekonomike, tek përdorimi i mediave te komunikimit përmes famëkëqijave “fake news”, që synojnë të dobësojnë besimin e qytetarëve tek modeli demokratik, apo nxitja e tensioneve etnike, fetare, sociale apo politike dhe, siç e thashë më lart, në një rast ekstrem, u arrit deri në një tentative për grusht shteti ndaj një vendi kandidat për anëtarësim në NATO në atë kohë.

Sigurisht, pavarësisht vendosmërisë së Shqipërisë, apo edhe e vendeve te tjera te rajonit dhe, këtu duhet nënvizuar fort fakti, që në rast pas rasti qytetarët e një pjese të madhe rajonit kanë votuar forca, që i janë kundërvënë këtyre përpjekjeve, ky është një kërcënim që ne nuk mund ta adresojmë të vetëm. 

Prandaj unë besoj që sot është një moment për të bashkuar forcat e për t’ju kundërvënë së bashku këtyre tentativave. Ky bashkim forcash mund të vijë në dy forma: së pari, duke formuluar një strategji të qartë për Ballkanin Perëndimor dhe të të gjithë rajonit nga ana e NATO që, në fakt, sot mungon; dhe së dyti, çka është besoj unë akoma më e rëndësishme, duke përshpejtuar integrimin e të gjithë rajonit në Bashkimin Europian.

Garantimi i sigurisë së Ballkanit Perëndimor, konsolidimi i arritjeve demokratike dhe i paqes e stabilitetit nga çdo sfidë, nuk mund te arrihet kurrsesi për aq kohë sa rajoni ynë do të mbetet si një xhep i izoluar e i paintegruar ne mes të hapësirës se Bashkimit Europian. Ky lloj vakumi ka qenë dhe do të mbetet një ftesë për rivalë të BE, rivalë të NATO për të shtrirë këtu influencën e tyre

1 komente në “Xhaçka: Ka influencë ruse, përpjekje për destabilizim të Ballkanit. Synojnë nxitjen e tensioneve fetare, politike, sociale”

  1. artiles says:

    O Ministër!
    Ku e keni atë qendrën e ekselences se Nato-s qe u trumbetua me aq zhurmë para ca vitesh?
    Apo e kreu funksionin, shtymë ca kohë me idera dhe tangërlliqe, hodhëm ca para për rikonstruksion godine, dhe në fund asnjë nuk mban përgjegjësi, as ai që e propozoi, as ai që e vlerësoi dhe as ai që e miratoi, përkundrazi promovohen dhe marrin poste më larta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje