"Korrupsioni për të ishte mënyrë e jetës, e motivonin vetëm ofertat e majme": Drejtësia kroate dënon ish-kryeministrin Sanader me 6 vjet burg

23 Maj 2019, 19:45Rajoni TEMA

Gjykata Supreme e Kroacisë ka publikuar të enjten aktgjykimin më të ri kundër Ivo Sanaderit, ish-kryeministrit të Kroacisë, i cili tashmë është dënuar disa herë për korrupsion. Kësaj radhe Sanader është dënuar për përzierjen e tij në aferën Planinska.

Ai është shpallur fajtor për marrjen e mbi 2,3 milionë eurove nga Stjepan Fioliqi, kasapi më i njohur i Kroacisë dhe ish-deputet i HDZ-së.

Gjykata Supreme e Kroacisë ka konstatuar se instanca paraprake ka qenë tepër tolerante ndaj Sanaderit, andaj atij i është rritur kohëzgjatja e qëndrimit në burg nga katër vjet e gjysmë në gjashtë vjet.

Gjykata Supreme e Kroacisë konstaton se bëhet fjalë për një rast të rëndë të korrupsionit politik, të cilin i akuzuari e ka menduar vetë dhe në realizmin e këtij plani kriminal ka qenë tepër këmbëngulës.

Bëhet fjalë për korrupsion si mënyrë e jetës, me ç’rast Sanader ka qenë i bindur se ushtrimi i funksioneve më të larta në shoqëri është bazë për pasurim dhe lakmi. Gjykata theksoi se si kryeministër Sanader ishte i interesuar vetëm për oferta të majme.

I shtyrë nga interesat e tij egoiste ai ka shkelur vlerat themelore të shoqërisë, të cilat ka qenë i obliguar t’i mbrojë.

Ky pasurim i paskrupullt e tij jo vetëm që dëmton shoqërinë materialisht, por dëmton edhe parimin e sundimit të ligjit.(E.R)

1 komente në ““Korrupsioni për të ishte mënyrë e jetës, e motivonin vetëm ofertat e majme”: Drejtësia kroate dënon ish-kryeministrin Sanader me 6 vjet burg”

  1. Baliu says:

    A denohet Kroacia, a denohet pafajsia, he mazamakeq (per kriminela).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje