Zgjedhjet pёr Parlamentin e BE - Dёshtim i partive popullore

27 Maj 2019, 09:08Bota TEMA

Humbje në zgjedhjet për Parlamentin e BE për partitë e mëdha në Gjermani: Vota tregon, se sa radikalisht ka ndryshuar peizazhi partiak. Pikë kanë fituar ekologjistët. Humbësit janë CDU/CSU dhe SPD.

Ato e parandienin, dy gratë e reja në krye të Unionit Kristioandemokrat (CDU) dhe Partisë Socialdemokrate (SPD), që sprova e parë e tyre nuk do të dilte mirë. Annegret Kramp-Karrenbauer (CDU) dhe Andrea Nahles (SPD) pësuan një humbje të fortë. Atyre u duhet tani ta pranojnë këtë e po ashtu edhe koalicioni qeverisës. Të dyja partitë popullore përjetuan rezultatet më të dobëta historike në zgjedhjet mbarëfederale: Të dyja partitë së bashku kanë humbur gati 20 përqind krahasuar me zgjedhjet e BE-së para pesë vjetësh.

Të Gjelbërit katapultojnë

Fitues janë ekologjistët, që e kanë dyfishuar rezultatin krahasuar me zgjedhjet e BE më 2014. Asnjëherë tjetër kjo parti nuk ka marrë kaq shumë vota në një zgjedhje në nivel mbarë federal. Veҁanërisht për SPD, partia më e vjetër në Gjermani, këto zgjedhje ishin një dështim i plotë. Për herë të parë që pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, kjo parti ka humbur duke u renditur jo më e dyta, por e treta. Ky rezultat është si një tërmet për të.

“Rezultatet janë ekstremisht zhgënjyese “, tha Andrea Nahles. Humbjet e partisë së dikurshme popullore, SPD, Andrea Nahles, që është më shumë se një vit në krye të saj, nuk ka mundur t‘i ndalë. Madje shumë në radhët e partisë thonë, që kjo e ka përshpejtuar rënien.

Kësaj i shtohet edhe humbja historike e socialdemokratëve, në zgjedhjet, që u zhvilluan po të dielën (26.05) në landin e Bremenit. 73 vjet kanë qeverisur aty socialdemokatët. Bremeni ka qenë gjithmonë bastion i SPD-së. Nëse SPD nuk fiton  këtu, atëherë ajo nuk mund të fitojë më askund tjetër.

Humbja e dyfishtë e SPD-së – Si vazhdohet më tej?

Pikëpyetja e madhe mbetet: A do të qendrojë Andrea Nahles edhe më tej në krye të partisë dhe të grupit parlamentar?  Ajo mban përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat të keq të partisë së saj. Por ajo nuk do të tërhiqet nga postet e saj madje as edhe nga njëri post.

Për këtë ka disa arsye. Nahles sidoqoftë ia ka dalë që të risjellë pak qetësi në parti. Një pasues ose pasuese të përshtatshme nuk duket të ketë. Në vjeshtë do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare në tre lande të rëndësishme: Saksoni, Brandenburg dhe Tyringji. Ndryshimi i kreut të partisë përpara këtyre zgjedhjeve është me mjaft rrezik.

A do të rezistojë koalicioni qeverisës?

Që nga marsi i vitit të kaluar SPD është në koalicionin qeverisës me unionin konservator CDU/CSU. Ta anulojë koalicionin tani, për këtë kryetarja e socialdemokratëve Nahles është shumë e dobët. Në rast se shkohet në zgjedhje të reja në nivel federate ajo do të humbiste ngjashëm si dhe tani në zgjdhjet e BE-së. Pra mbetet që të qendrojë në koalicion dhe të vazhdohet më tej!

Ndëshkim për kryetaren e re të CDU-së dhe një kancelare e shpenguar

Edhe unioni konservator është ndëshkuar me votë. Kjo humbje historike llogaritet si përgjegjësi e kryetares së re të partisë CDU, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe nuk ka të bëjë me kancelaren Merkel. “Ky rezultat elektoral nuk është rezutati i duhur për partinë tonë popullore “, pranoi Kramp-Karrenbauer.

Por njëkohëishst ajo mundi që të shpallë fitoren së paku: Në Bremen CDU për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore ka dalë para SPD-së. Kramp-Karrenbauer është që prej gjysmë viti kryetare e partisë dhe preferon të bëhet kandidate për kancelare.

Por në sprovën e parë ajo nuk ia doli. Ajo e ka të vështirë të dalë nga hija e Angela Merkelit ende e fuqishme, për sa kohë ajo qeveris. Kancelarja pothuajse ishte e distancuar gjatë fushatës së zgjedhjeve për Parlamentin e BE. Që kancelarja të largohet para kohe, para mbarimit të periudhës legjsilative deri më 2021 nuk ka gjasa. Partitë popullore të drobitura SPD dhe CDU/CSU vetëm mund të humbasin pushtet dhe vota.

Rezultat rekord i ekologjistëve

Fituesit e këtyre zgjedhjeve janë ekologjistët. Kanidatja kryesore e tyre për Parlamentin e BE-së Ska Keller e quajti rezultatin “sensacional” dhe si një sinjal për “më shumë mbrojtje të klimës “. Qysh në sondazhet para-elektorale pritej, që ekologjistët me klimën kishin prekur temën më të rëndësishme për gjermanët.

Populistët e djathtë shtojnë votat

Eksperti i BE-së në Bruksel, Janis Emmanouilidis thotë se partitë pro-europiane kanë marrë 80 përqind të vendeve të parlamentit. “Në përgjithësi populistët e djathtë nuk janë shumë të fortë si grupim, ndryshe nga sa kishin paralajmëruar disa vetë. Ne e kemi pas ditur gjithnjë se ato nuk do të marrin shumicën, por ato janë madje edhe më të dobta se sa patëm menduar.” Në Itali, Lega e djathtë e ministrit të Brendshëm, Matteo Salvini mori shumicën e votave. Në Francë politikania e djathtë Marine Le Pen mundi partinë e presidentit francez. “Macron u mundua vërtet të vendoste në peshore peshën e tij politike, për të penguar që Marine Le Pen me partinë e saj të dalin të parët. Por ai nuk e arriti synimin,” analizon Emmanouilidis.

Në shumë nga 28 vendet e tjera anëtare mund të vërehet, se partitë që kanë qenë të mëdha deri tani, partitë e qendrës kanë marrë më pak vota. Liberalët, Të gjelbërit dhe partitë e djathta janë forcuar. Studiuesit e zgjedhjeve në Bruksel folën në natën zgjedhore për rritje të fragmentimit. “Ne vërejmë se partitë e mëdha e kanë humbur fillin dhe se duhet krijuar një koalicion i madh për të marrë shumicën,” thotë Janis Emmanouilidis nga Think Tank “European Policy Centre”. Në Parlamentin e ardhshëm Europian, konservatorët dhe socialdemokratët nuk përbëjnë më shumicën si grup informel koalicioni, siç ka qenë e zakonshme deri tani. Ata duhet të bëhen bashkë me liberalët dhe mbase edhe me fraksionin e Të gjelbërve.

Një shumicë që të jetë majtat Qendrës, e përbërë nga të majtët, socialdemokratët, të gjelbërit dhe liberalët nuk arrin të merret me llogaritje. Shumicë djathtas Qendrës po ashtu nuk vjen në pyetje, sepse kristiandemokratët nuk mund të bëhen bashkë me nacionalistët dhe populistët e djathtë. “Kështu që që tani çështja komplikohet, sepse asnjë nga grupimet nuk e merr dot shumicën pa të tjerët. Ditët e ardhshme do të jetë interesante të shihet kush flet me kë, për të vënë gjërat në lëvizje,” thotë kandidatja kryesore e liberalëve Vestager në intervistë me DW, duke patur parasysh fragmentimin e parlamentit.

1 komente në “Zgjedhjet pёr Parlamentin e BE – Dёshtim i partive popullore”

  1. Kalec Dega says:

    Titulli me siper eshte ose qellimisht i gabuar ose injoranca nuk ka fund per ata qe e kane lejuar.

    Popullore ? …jane Brexit, Afj e Gjermanize, Salvini…dhe ato fituan dhe jo deshtuan sipas titullit me siper…

    Thuhet Partite tradicionale ose te medha ne Evrope dhe jo popullore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje