Ende pa u tharë mirë boja e progres-raportit që rekomandonte çeljen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE, numri një i diplomacisë Europiane në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca u desh të përballej me një sulm të strukturuar mediatik dhe politik.
Diplomati i lartë në vendin tonë, u shënjestrua nga altileria e gatshme pranë opozitës duke u kryqëzuar si parardhësja e tij Romana Vlahutin për një komunikim të zakonshëm që kryente me kryeministrin e vendit Edi Rama.
E filmuar fragmentalisht në konferencën para gazetarëve nga kamerat e ABC News, (një stacion i orjentuar dukshëm djathtas), Soreca ndër të tjera njihej me situatën në vend dhe pretendimet e shefit të qeverisë. Pavarësisht se nga aq sa mund të lexohet është e vështirë të bëhet një lidhje logjike e bisedës për të nxjerrë konkluzione, aq ka mjaftuar që disa media të orkestronin një lajm të cilën e shitën si të kishin zbuluar skandalin e ndonjë “thike pas shpine”.
Që një ambasador i huaj të komunikojë me liderët kryesor të forcave politike në vend, ky nuk është ndonjë lajm i ri pasi kontakte të vazhdueshme ka pasur edhe krydemokrati Lulzim Basha, edhe shefja e LSI-së Monika Kryemadhi, edhe presindenti i vendit Ilir Meta edhe kryeministri Edi Rama.
Natyrisht që puna e tij është të pyesë palët, të dëgjojë pretendimet e tyre zyrtare dhe jo zyrtare, të zhvillojë bisedime on record dhe of record, të njihet me situatën në vend dhe natyrisht të nxjerrë konkluzionet që i shërbejnë misionit që i ka besuar Bashkimi Europian në vendin tonë.
Do të ishte qesharake nëse do t’i themi lajm një pasazhi ku flitet për politikë dhe për integrim, dhe do të ishte çmënduri nëse do ta quajmë skandal faktin që një diplomat i huaj komunikon me kryeministrin e vendit për të njohur versionin e tij.
Në uniformën e shkrimeve, ngrihet alibia se Soreca ka quajtur “çmenduri” një deklaratë të Fatmir Mediut e cila sipas tyre nuk dihet se çfarë është. Ky interpretim, edhe sikur të jetë e vërtetë nuk përbën ndonjë çudi pasi 99% e shqiptarëve (përjashtuar Shkëlzen Berishën), rolin e Mediut në politikë e quajnë një “çmenduri” që nuk duhet mjekuar por duhet dënuar.
Nuk ka ndonjë surprizë pasi vetë Ambasada e Bashkimit Europian ka mbajtur po të njëjtin qëndrim publik si për protestat e dhunshme, si për djegien e mandateve, si për mungesën e dialogut dhe si për vendimin për të bllokuar zgjedhjet duke frymëzuar skenarë të përplasjes civile
Tani cili ishte lajmi i vërtetë këtu?
Lajmi i vetëm që u prodhua ditën e djeshme nga kjo ngjarje disi banale, ishte vërtetimi se rekomandimi i Këshillit të Europës për çeljen e negociatave ishte “fermani” që rrëzoi kauzën opozitare e cila u shfrytëzua si stërkëmbësh për integrimin e vendit. Dorëzimi i progres-raportit nga Soreca në dorën e Ramës nuk mund të gëlltitej aq lehtë, pasi ai ishte një certifikim i punës qeveritare në plotësimin e kushteve për çeljen e dritës jeshile. Praktikisht, këtu shkopi opozitar rrëzohej thellë në gropën e pisët dhe as Petrit Vasili me Gaz Bardhin nuk di se nga ta kapin.
“Konsensus për integrimin, tejkaloni polarizimin, tejkaloni ndasitë partiake. Të jeni të bashkuara përpara integrimit. Ne ritheksojmë të angazhoheni në dialog, Sot Shqipëria ka arritur një gur kilometrik shumë të rëndësishëm”, kjo ishte deklarata e ambasadorit Soreca e cila nuk u kapërdi lehtë.
Ndaj, para se të prodhojmë skenarë që na bëjnë qesharakë para diplomacisë perëndimore, lëreni ambasadorin të qetë të punojë kur është për të punuar dhe të festojë kur është për të festuar si sot.
Është e lehtë të hidhet vrer, por ama jo sot kur Cezari duhet të marrë medaljen që i takon.