Përmes një njoftimi që mund të kompromentonte një ndër marrëveshjet më të rëndësishme tregtare mes shteteve të Amerikës Veriore, presidenti amerikan, Donald Trump, lajmëroi të enjtën se do ta vendosë një taksë prej 5 për qind për të gjitha mallrat e prodhuara në Meksikë për t’i bërë presion këtij shteti që ta ndalojë fluksin e madh të imigrantëve që po arrijnë në kufirin jugor të ShBA-së.
Ai gjithashtu tha se taksa do të rritet në mënyrë graduale derisa problemi i imigrimit ilegal përmes territorit të Meksikës të zgjidhet plotësisht. Presidenti amerikan e bëri këtë njoftim përmes rrjetit social, Tëitter, pasi tha më herët për gazetarët se do ta japë deklaratën më të rëndësishme deri tash për kufirin.
“Më 10 qershor, Shtetet e Bashkuara do ta vendosin taksën prej 5 për qind ndaj të gjitha prodhimeve që hyjnë në vendin tonë nga Meksika derisa imigrantët ilegalë që vijnë nga ky shtet të ndalen. Taksa do të rritet shkallë-shkallë derisa të zgjidhet ky problem”, shkroi Trump në Twitter.
Ndaj këtij njoftimi ka reaguar menjëherë presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, i cili ia dërgoi një letër dyfaqëshe presidentit amerikan. “Statuja e Lirisë nuk është një simbol bosh. Pavarësisht respektit të plotë, ndonëse ju keni të drejtë të thoni ‘e bëjmë Amerikën madhështore përsëri’, ky është një mashtrim, sepse drejtësia e përgjithshme duhet të triumfojë”, shkruhet në letrën e presidentit Obrador.
Trump e ka akuzuar qeverinë meksikane për dështim lidhur me masat për parandalimin e grumbullit të imigrantëve nga Amerika Qendrore, të cilët po përpiqen të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara, shkruan “The Guardian”
Por udhëheqësi meksikan ishte i hapur lidhur me krizën: “Presidenti Trump, problemet sociale nuk zgjidhen me tatime apo masa shtrënguese,” tha ai, duke mbrojtur trajtimin e administratës së tij për çështjen e emigracionit.
Mijëra mbeten të bllokuar në shtetin jugor të Chiapas, duke u pamundësura marrja e dokumenteve të emigracionit, ndërsa azilkërkuesit e SHBA duhet të presin në qytetet kufitare të Meksikës derisa raste e tyre të zgjidhen në gjykatat amerikane. (TemA TV)