Finalja e Kupës së Shqipërise do të luhet ditën e nesërme mes Tiranës dhe Kukësit në stadiumin “Elbasan Arena”.
Një ditë përpara sfidës fiane trajneri Ardian Mema i Tiranës dhe Ernest Gjoka i Kukësit kanë folur për mediat.
Trajneri i 24 herë kampionëve të vendit tha se ekipi ka punuar fort gjatë që ta fitojë Kupën për ta mbyllur sezonin në mënyrë dinjitoze.
“Kukësi? Një ndeshje e kemi fituar, një barazim dhe një humbje. Flas kur kam ardhur unë në stol. Do të bëjmë të pamundurën për të përgatitur ndeshjen dhe për të bërë më të mirën.
E rëndësishme është që jemi të qetë që gjithçka ka përfunduar dhe e kemi hequr atë stresin. Ndeshjen e nesërme do të jemi të çliruar. Mendoj se kam dëshirën më të madhe për ta fituar këtë trofe. Por, të them të drejtën duhet shumë qetësi, sepse nuk fitohet me dëshirë, por me punë”, deklaroi Ardian Mema.
Ndërkohë, trajneri i nën kampionëve të Shqipërisë, Ernest Gjoka, u shpreh se finalet duhet të fitohen dhe jo të luhen.
“Tirana është kundërshtar i egër dhe me emër. Ka histori të jashtëzakonshme por në këto momente fokusohemi jo te Tirana e viteve të shkuara por te ndeshja e fundit dhe kundërshtari që kemi përballë. Finalet janë të vështira dhe duhet të fitohen e jo të bëhet spektakël.
Tirana luan hapur por do të jetë ndeshje interesante. Zhvillohet trofeu dhe jo loja e bukur. Futbolli luhet për tifozë dhe ata janë oksigjeni. Nëse në Elbasan stadiumi është plot, spektakli është i pamohueshëm”, u shpreh trajneri Ernest Gjoka.
Finalja e Kupës së Shqipërisë, do të luhet nesër në “Elbasan Arena” në orën 19:00. Kjo finale mbyll edhe sezonin 2018-2019. (TemA)