E mbushur me çudira dhe jo pak rezultate surprizë, Liga e Kampionëve ul sot siparin me finalen e madhe që luhet në Madrid.
Në stadiumin “Wanda Metropolitano”, jashtë çdo parashikimi do të luhet finalja angleze mes Liverpulit dhe Totenhemit, dy skuadra të cilat e arrijnë këtë finale falë përmbysjeve, ndoshta më të çuditshme të vitit.
Kjo është hera e parë për Totenhemin që prek një finale të Ligës së Kampionëve ndërkohë që krejt e kundërta mund të thuhet për kampin tjetër.
Liverpuli është eksperti i këtij kompeticioni me 5 Championsa ta fituar, ndërkohë që sezonin e shkuar ishin deri në finale aty ku u mundën nga Real Madridi me jo pak polemika.
Totenhemi i këtij sezoni ka qenë ndër skuadrat më të frikshme megjithëse me shumë vështirësi arriti të kualifikohet nga grupet, duke qenë se u rendit e dyta me barazim pikësh me Interin por me një golaverazh më të mirë.
Në total, londinezët kanë bërë ndeshje me shumë gola me një mesatare prej 3.08 golash për ndeshje në këtë sezon të Ligës së Kampionëve.
Të dyja skuadrat, kanë pjesën e dytë pjesën e tyre me fat duke qenë se kanë shënuar 7 gola në 8 ndeshjet e fundit nga të cilët, 5 gola janë shënuar në pjesën e dytë.