Stoltenberg: Rajoni përfiton nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO

3 Qershor 2019, 15:25Rajoni TEMA

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO ka rëndësi jo vetëm për këtë vend, por edhe për rajonin dhe vetë Aleancën Veri Atlantike, ka deklaruar kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Shkup në krye të delegacionit të Këshillit Veri-Atlantik.

Kjo vizitë njëherësh shënon edhe mbledhjen e parë të Këshillit Veri-Atlantik me Komitetin për integrim të Maqedonisë së Veriut, që kur vendi ka nënshkruar protokollin për anëtarësim në Aleancë.

Kreu i NATO-s ka thënë se Aleanca është e gatshme t’i urojë mirëseardhjen Maqedonisë së Veriut, por e ka rikujtuar edhe me nevojën e përmbushjes së reformave të nevojshme

“Jemi të gatshëm t’ju urojmë mirëseardhjen në familjen e NATO-s. Me kryeministrin grek (Alexis) Tsipras treguat guxim dhe përkushtim në zgjidhjen e kontestit dhe tani ju krijoni të ardhme më të mirë për vendin. Por, 29 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollin për anëtarësim jo vetëm për shkak të Marrëveshjes së Prespës, por edhe për reformat që keni realizuar si shtet….Zëri juaj do të jetë i rëndësishëm për vendimet dhe që të kujdeseni për sigurinë e vendit tuaj”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me lajmet e rreme, në kontekst të mbledhjes së mëparshme të NATO-s kushtuar luftës hibride, kreu i NATO-s tha se për luftën kundër një propagande të tillë janë të nevojshme debatet e hapura, mediat e lira dhe gazetarët që përhapin të vërtetën.

“Kemi parë te disa aleatë të NATO-s se shfrytëzimi i mediave sociale dhe propaganda përdoren si mjete për rrënimin e institucioneve demokratike dhe përzierje në proceset demokratike. Kjo është e papranueshme dhe kësaj ne duhet t’i përgjigjemi para e gjithash me mbrojtjen e rrjeteve tona të internetit… përgjigja më e mirë është që të përhapim të vërtetën. Kemi fakte, na duhen debate të hapura dhe për ketë kemi nevojë për media të lira, gazetarë që do të vërtetojnë burimet e informacionit”, është shprehur Stoltenberg.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ndërkohë ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për të zbatuar të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i anëtarësimit të vendit në NATO, duke përmendur në këtë rast zgjidhjen e kontesteve me shteteve fqinje.

“Qeveria e Maqedonisë së Veriut arriti të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dypalëshe dhe të bëjë përparim konkret demokratik në shoqëri. Vendin e kthyem në rrugën e vërtetë, në veçanti sa i përket sundimit të ligjit dhe në ndërtimin e institucioneve forta dhe funksionale. Kemi bërë hapa konkret në reformimin e agjencive të zbulimit dhe të shërbimeve të sigurisë”, ka deklaruar kryeministri Zaev, duke theksuar edhe njëherë besimin se të gjitha parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s do të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit.

Zaev u shpreh se pas kësaj dhe marrjes së raportit pozitiv nga Komisioni Evropian, pret që Këshilli i Ministrave të caktojë edhe datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim e vendit në Bashkimin Evropian.

Nga 29 shtete anëtare të Aleancës deri më tani protokollin për anëtarësimin e kanë nënshkruar 13 shtete. Nga Qeveria kanë thënë se presin që ky dokument të nënshkruhet brenda një viti nga të gjitha shtetet, që përfundimisht Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.

Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO për shumë vite ishte bllokuar nga Greqia për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje