Nga Katharina Graça Peters*
Buzë të fryra, implante për një kokë të rrumbullakët: Kirurgjia kozmetike është tërësisht e zakonshme në Korenë e Jugut, madje edhe tek meshkujt. Presioni për t’u dukur sa më mirë është i madh në vend.
Kanë kaluar disa vite që Park Jae Hun ka pasur një marrëdhënie, por shpreson se kjo do të ndryshojë së shpejti.
Ai është duke bërë maksimumin që të mund të përmirësojë perspektivat e tij.
Ai tashmë ka kryer operacion mbi qepallat dhe në hundë. Tani konturet e mjekrës së tij do të theksohen, dhe qoshet e gojës së tij do të korrigjohen për t’u drejtuar për lart, kështu që ai do të duket më miqësor.
Park thotë se do të donte të kishte një të dashur të bukur, duke shtuar:
“Ndoshta kjo do të më jepte shanse më të mira”.
Park, 29 vjeç, është ulur në një kafene në kryeqytetin jugor të Seulit.
Flokët e tij po pakësohen, kështu që ai nganjëherë mban një parukë, si edhe sot.
Pas kafesë, ai do të shkojë në klinikë për takimin e tij.
Kur u pyet se çfarë i pëlqen tek pamja e tij, Park nuk mundi të mendonte për asgjë.
Ai thotë se ka qenë më i sigurtw në lidhje me marrëdhëniet me njerëzit, që kur filloi video-blogging dy vjet më parë.
Por, shton se e pëlqente pamjen e tij gjithnjë e më pak.
Presioni për t’u dukur i mirë është i madh në Korenë e Jugut.
Pritet përmirësimi i pamjes, veçanërisht nëpër qytete.
Shumë prej tyre tani zgjedhin “petit seonghyeong”, ose “procedura të vogla”, si injeksione Botoxi dhe mbushëse për të formuar fytyrat e tyre.
Koreanët rregullisht drejtohen në klinikat e bukurisë për të përmirësuar shanset e tyre për intervistat për punë, për shembull, sepse pamja është e rëndësishme në tregun e punës.
“Kjo gjithashtu pasqyron qëndrimin e koreanëve ndaj trupave të tyre: ky ndryshim mund të jetë i dobishëm për mua, kështu që mund ta bëj edhe këtë,” thotë Joanna Elfving-Hwang, nga Universiteti i Australisë Perëndimore, e cila ka prodhuar disa studime mbi këtë çështje.
“Në Perëndim, shumë procedura kozmetike në Seul priren të jenë të përshtatura si mungesë morale”, thotë Elfving-Hwang, e cila ka jetuar edhe në Frankfurt.
“Në Gjermani, nëse doni të bëni një operacion, ju duhet të keni një arsye të madhe psikologjike: për shembull, unë kam pasur këtë përvojë traumatike, dikush që e quajti hundën time shumë të madhe, dhe po e bëj këtë për mirëqenien time psikologjike”.
Në Seul, nga ana tjetër, disa klinika ofrojnë injeksione gjatë pushimit të drekës, me 30 minuta përgatitje, 10 minuta injeksione, dhe kaq.
Procedura e Park Jae Hun nuk zgjat shumë. Pasi kremrat anestetike kanë dhënë efektin e tyre, ai shtrihet, i rrethuar nga ngjyrat qetësuese të dekorit.
Mjeku bën 10 injeksione rreth buzëve, dhe pas nëntë minutash qoshet e gojës janë hequr.
Pas katër minutash, procedura mbi nofullën mbaron.
Park vendos një maskë të zezë për të mbuluar pjesën e poshtme të fytyrës së tij.
Kur e pyetën nëse ndihet ndryshe, ai thjesht qesh.
Takimet me mjekun, si këto, janë bërë rutinë për të.
Më vonë, ai do të informojë internetin rreth klinikës dhe, në këmbim, nuk do të duhet të paguajë për procedurën.
Komentet online janë jetike, për shkak se klinikat janë në konkurrencë të ashpër për konsumatorët.
Në disa rrugë të rrethit të pasur Gangnam, pothuajse çdo ndërtesë e lartë ka një ose më shumë qendra për procedurat estetike.
Hapësirat e hyrjes, me sportelet e tyre të mermerit dhe divanët prej lëkure, duken si lobet e hoteleve.
Dhe ka më shumë se numri i zakonshëm i njerëzve që mbajnë maska pluhuri, edhe pse ajri është i pastër.
Më shumë procedura kozmetike kryhen për kokë banori në Korenë e Jugut, sesa kudo tjetër në botë.
Vendi ka 2,330 praktikues të kirurgjisë plastike, duke i dhënë asaj numrin më të madh të kirurgëve kozmetikë për banor të çdo vendi në botë.
Në aplikacionet si Gangnam Unnie, përdoruesit mund të ngarkojnë fotot e tyre dhe të marrin këshilla nga klinikat në internet, para se të zgjedhin një procedurë.
Dhe nuk janë vetëm vendasit në Korenë e Jugut që duan të përmirësojnë pamjen e tyre.
Në aeroportin e Seulit, mirëpriten turistë mjekësorë nga e gjithë bota, edhe pse shumica prej tyre vijnë nga Kina.
Numri vjetor i vizitorëve të huaj që udhëtuan në Korenë e Jugut për kirurgji kozmetike pati një rritje prej 37 për qind në vitin 2018.
Seul-i ka fituar titullin e “kryeqytetit të kirurgjisë plastike të botës”.
Shumica e operacioneve në Korenë e Jugut janë kryer në hundë dhe në qepalla – e ashtuquajtur “kirurgji e qepallave të dyfishta”.
Kirurgjia në mjekër gjithashtu po bëhet gjithnjë e më popullore.
Por përsosja shpesh nuk është mjaft e përkryer: Trendi më i fundit është që të kenë implantet të futur për të bërë kokën më të rrumbullakët dhe për të përmirësuar profilin.
“Disa 20 vjeçarë më tregojnë një pamje të një ylli pop dhe thonë se kjo është mënyra se si ata duan të duken”, thotë Rhee Byung Jun, që punon si kirurg kozmetik në BK Plastic Surgery.
Ideja e bukurisë koreane është ndoshta shembulli më i mirë i këtyre yjeve të rinj me karakteristikat e tyre të bukura – shpesh të ekzagjeruara në mënyrë kirurgjikale – të fytyrës, së bashku me lëkurën e tyre prej porcelani dhe flokët me shkëlqim.
Megjithatë, thotë Rhee, ai nuk pranon të kryejë disa operacione.
Stacionet e metrosë në Gangnam janë suvatuar me reklama për klinikat, por disa koreanë mendojnë se gjërat kanë shkuar shumë larg.
Pas më shumë se një mijë ankesave që reklamat përcjellin një “imazh të sëmurë dhe të shtrembëruar fizik”, sipas një dokumenti lokal, metroja e Seulit anuloi kontratat e saj me shumë reklamues.
Feministët në veçanti kanë qenë prej kohësh nxitës në denoncimet e tyre të idealit të ri estetik, duke pretenduar se është pjesë e një kulture që përshtatet me nevojat e burrave, që i objektizon gratë dhe përcjell imazhe joreale të trupit.
Sipas klinikave, 80 përqind e klientëve të tyre janë gra.
“Të moshuarit” nuk tentojnë të marrin ide nga yjet e pop, por përqendrohen kryesisht tek masat për të luftuar plakjen.
Duke filluar në mesin e viteve ’30, gratë koreane mbështeten në injeksione dhe mbushëse Botoxi që të duken më të reja.
Megjithatë, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po kapen në industrinë e bukurisë.
33 vjeçari Park Tae Ha, thotë: “Unë dua të dukem natyral, por gjithashtu dua të dukem më mirë se të tjerët”.
Ai ka qënë me dietë për vite me radhë, ka shpatulla të gjera, flokë të zeza të prera me saktësi dhe lëkurë të butë. Lëkura jashtëzakonisht e butë.
Ai filloi me ndërhyrjet Botox katër vjet më parë dhe ka pasur edhe pesë injeksione që prej atëherë.
Fytyra e tij gjithashtu është trajtuar me lazer 20 herë.
Ai është injektuar katër herë në zonën e nofullës.
Në një ditë në fillim të prillit, ai është ulur me një fytyrë të ngrirë në dhomën VIP të Klinikës Nanon Nanon.
Ka bërë një tjetër injeksion sërish për t’u dukur më simetrik, më i definuar dhe më i dallueshëm.
Lëkurën e kishte të trajtuar me flash lazer dhe ultratinguj. Efekti zgjat për një vit, dhe kur zhduket, Park synon të kthehet, edhe pse është e dhimbshme.
Disa kilometra larg në klinikën e Gyulit, të nesërmen, doktori Choi Chul është i zënë duke praktikuar “Loc ‘n’ Roll”, një term që ai e shpiku vetë.
Është një kombinim i “V-Loc lifting” në të cilën lëkura tërhiqet prej gjilpërave, me “needle shaping”, në të cilën lëkura e fytyrës rigjenerohet duke përdorur gjilpërat e akupunkturës dhe rrymëw elektrike.
Kim Myeong Hye, 59 vjeç, një shtëpiake nga Seuli, është shtrirë para tij në karrigen e punës.
Pothuajse të gjithë miqtë e saj injektojnë Botox për rrudha rreth syve dhe ballit.
Njëri prej tyre rekomandoi që ajo të bënte këtë procedurë.
“Gratë duhet gjithmonë të bëjnë përpjekje për të ruajtur pamjen e tyre”, thotë Kim para trajtimit të saj, duke shtuar:
“Do ta bëj këtë për pjesën tjetër të jetës sime”.
Ajo dëshiron të gëzojë pensionin e saj, duke vënë në dukje se koreanët kanë tendencë për të jetuar jetë të gjatë.
Kim shpesh flet për bukurinë me vajzën e saj 41-vjeçare dhe ia rekomandon “V-Loc lifting” asaj gjithashtu.
Vajza e saj deri tani ka operuar qepallat e saj kur ishte në të njëzetat.
“Sa më shpejt të kryesh kirurgji, aq më mirë,” thotë Kim, “sepse atëherë mund të shijosh fytyrën tënde të re për më shumë kohë”.
*Der Spiegel- Përshtati në shqip për TemA: Diona Çeço