Relacioni i Manush Myftiut: Si do internojmë nga Tirana 272 familje të deklasuara dhe elementët armiq

13 Qershor 2019, 10:08Dossier TEMA
Relacioni i Manush Myftiut: Si do internojmë nga Tirana 272 familje të

Ekskluzive / Publikohet dokumenti sekret arkivor me relacionin e datës 14.VII.1966, ku Sekretari i Parë Komitetit të Partisë së i Tiranës, njofton Ramiz Alinë për mënyrën se si do internoheshin nga kryeqyteti rreth 2000 persona, nga “familjet reaksionare të deklasuara”, duke i dërguar ata në fshatrat dhe zonat të thella anë e mbanë Shqipërisë. Si dhe letra e Sekretarit të Parë të Fierit, Sofokli Papavasili, drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH-së, për “qëndrimin armiqësor” që mbanin Nafiz Bezhani, Vlash Gjergji dhe Dhimitër Miçaço, të cilët ishin të internuar në atë rreth

Nga Iv Kaloçi

Në këtë shkrim po publikojmë të plotë një dokument arkivor me siglën “Tepër sekret”, të Komitetit Qëndror të PPSH-së, (me faksimilet përkatëse) të firmosur nga Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës dhe antari i Byrosë Politike, Manush Myftiu, i cili njëkohësisht ka pasur edhe postin e Kryetarit të Komisionit të Internim-Dëbimeve deri në fundin e regjimit komunist.

Do të ishte pikërisht ky Komision që për vite me rradhë, “do të kishte në dorë” fatin për jetën e qindra-mijëra familjeve shqiptare të cilësuara si kundërshtare të regjimit. Komisioni i Internim-Dëbimeve, përgjatë viteve 1944-1990 do të degdiste (sipas statistikave zyrtare) rreth 45 mijë persona në zonat të cilat ishin piketuar nga nga regjimi i kohës si ambjente izolimi për këtë kategori shoqërore të konsideruar si “familje reaksionare”.

Për të internuarit nga rajoni i jugut u përdorën zonat e Fushë-Krujës, Zadrimës, dhe disa fshatra në Veri-Perëndim të Tiranës. Ndërsa për dëbuarit nga zona e Veriut, u rekomanduan rrethet e Lushnjes, Mallakastrës dhe Tepelenës. Me qindra do të ishin relacionet e Komisionit të Internim-Dëbimeve dërguar për miratim KQ të PPSH,(ashtu siç do të paraqitet në këtë shkrim,) të cilat përgjatë 45 viteve të periudhës së regjimit komunist, do të vulosnin fatin tragjik të qindra-mijrave familjave shqiptare.

PARTIA E PUNES SE SHQIPERISE Teper sekret

KOMITETI I PARTISE QYTETIT Ekzemplar. Nr 1

TIRANE

Prot. Nr.852 Tiranë, më 14.7.1966

Lënda: Dërgohet relacioni mbi disa masa që duhet të ndërmerren ndaj disa elementëve armiq dhe të deklasuar.

KOMITETIT QENDROR TE P.P SHQIPERISE

Shokut Ramiz Alia

Tiranë

Bashkëngjitur ju dërgojmë një relacion “Mbi disa masa për transferimin nga Tirana të disa elementëve armiq dhe të deklasuar”

Përsa më sipër jemi në pritje

Sekretari i I-rë i K. P. të Qytetit Tiranës

(Manush Myftiu) 22.12.1966

MBI DISA MASA PËR TRANSFERIMIN NGA TIRANA TE DISA ELEMENTEVE ARMIQ DHE TE DEKLASUAR

RELACION

Në qytetin e Tiranës dhe në periferi të qytetit banojnë mjaft element të deklasuar, ish kulakë, ish krerë të reaksionit dhe ish të burgosur politikë. Nga një studim që kemi bërë kemi arritur në këto konkluzione;

1. Një pjesë e tyre janë banues të vjetër të Tiranës, këta janë kryesisht ish funksionarë të lartë të Zogut, të pushtuesëve fashistë dhe të organizatave tradhëtare: një pjesë tjetër (dhe këta përbëjnë shumicën) janë të ardhur nga rrethe të tjera, të cilët kanë ikur për të fshehur gjurmët. Mënyrat se si kanë ardhur janë të ndryshme, me një mijë dallavere, duke përfituar nga ligjet tona për strehimin, nga përkrahjet, hatëret, rryshfetet etj. Disa prej tyre nuk punojnë pasi janë pleq, por këta kanë fëmijët në punra të ndryshme. Një pjesë tjetër, janë kryesisht ish kulakë, kanë ndërtuar shtëpira për rreth qytetit dhe punojnë si buqër në fermat ose si punëtorë krahu në ndërtim etj. Ka edhe një pjesë tjetër që punojnë në zyra dhe sektorë të ndërrmarjeve shtetërore.

2. Një pjesë e tyre zhvillojnë aktivitet armiqësor dhe përbëjnë një rrezikshmëri për kryeqytetin, jo vetëm se janë një bazë për elementët armiq, por dhe se janë kthyer në të vërtëtë në qëndra të përhapjes së parrullave politike armiqësore, të infektimit me ideologjinë borgjeze e shfaqjeve të huaja, të organizimit të vjedhjeve, aktiviteteve të vagabondazhit, imoralitetit ne korrupsionit. Po thuaj në të gjitha rastet, fijet të çojnë në këto qëndra infektive. Si armiq klase ato përbëjnë bazën sociale të këtyre fenomeneve negative që në qytetin e Tiranës janë bërë me të vërtetë një fenomen shqetësues.

3. Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tyre, vëndet prej nga kanë ardhur dhe kohën kur kanë ardhur në Tiranë, duke patur si kriter bazë të kaluarën e tyre dhe aktivitetin që zhvillojnë aktualisht, ne mendojmë se një pjesë e tyre, rreth 272 familje, të largohen nga Tirana dhe të shkojnë në rrethet e tjera. Konkretisht:

Në Shkodër 16

Në Kukës 2

Në Pukë 2

Në Peshkopi 3

Në Krujë 4

Në Burrel 2

Në Durrës 2

Në Elbasan 6

Në Lushnje 1

Në Fier 16

Në Berat 13

Në Skrapar 11

Në Pogradec 13

Në Korçë 21

Në Ersekë 15

Në Vlorë 27

Në Tepelënë 7

Në Përmet 25

Në Gjirokastër 36

Në Sarandë 20

Gjithsej 244

Përveç këtyre janë edhe 28 specialistë dhe nëpunës të ndryshëm, që duhen të transferohen nga dikasteret në rrethet e tjera.

Ne e kuptojmë se ky është një problem i vështirë: E para sepse janë 272 familje, rreth 2000 njerëz dhe nuk është e lehtë për t’i lëvizur, e dyta: krijoihet një problem politik sepse këto njerëz kanë të afërt, lidhje gjinie etj, dhe në fakt preken më shumë se 2000 vetë. Por sidoqoftë, mendojmë se kjo është një masë e drejtë që duhet marrë.

Për të zbatuar këtë plan ne mendojmë kështu:

1. Një pjesë të largohen në fshatrat e tyre prej nga kanë ardhur. Këto përbëjnë shumicën dhe punojnë në fermë ose ndërtim. Këtyre do t’u themi të shkojnë në fshatrat e tyre prej nga kanë ardhur. Atyre që kanë ndërtuar shtëpi këtu, shteti do t’u bëjë shtëpitë. Fshati duhet t’u japë një farë baze ekonomike, shtëpitë e tyre dhe tokë.

2. Një pjesë tjetër, për arsye se janë në zonat kufitare, nuk do të shkojnë në fshatrat e tyre, por do të largohen në zonat fushore. Me një fjalë, këta dëbohen nga Tirana për në zona të tjera. Sigurisht këtyre u duhet krijuar ndonjë bazë jetese ose punë atje ku do të shkojnë.

3. Një pjesë, këta janë disa nënpunës dhe specialistë, do të transferohen nga dikasteret dhe do të largohen nga Tirana.

Ne e kemi parsysh se rretheve të tjera këto kontigjente u shkaktojnë telashe, por në këtë rast nuk po bëhet gjë tjetër veçse po u kthejmë kontigjentet e tyre. Nga ana tjetër mendojmë se atje në rrethe ka mundësi që atje të jenë nën mbikqyrje më të fortë.

Në qoftë se Komiteti Qëndror do të jetë dakort, pasi të njoftohen rrethet, mendojmë të ngarkojmë Komitetin Ekzekutiv të K.P. dhe Degën e Punëve të Brendëshme të Qytetit të Tiranës, që në marrëveshje me Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendëshme të dërgojnë njerëz nëpër rrethe për t’u marrë vesh konkretisht dhe të fillojmë nga puna menjëherë.

Nga ana tjetër, perveç kësaj mase administrative për likuidimin e disa qëndrave infektive, Komiteti i Partisë ka menduar që të marrë disa masa të tjera politike për izolimin e qëndrave të tjera të kësaj natyre të cilat mbeten si dhe të disa elementëve të tjerë të kësaj kategorie.

1. Çdo qëndër pune, si drejtori (Zyrat e Kuadrit) dhe disa organizata bazë, duhet të jenë në dijeni të plotë për njerëzit e këtyre kategorive që kanë në qëndrat e tyre të punës. Ne na rezulton se në shumë ndërrmarje, si p.sh. në Kombinatin “Josif Pashko” ku ka shumë elementë të tillë, as drejtoria dhe as organizata bazë nuk di gjë për ata, disave u kanë ngarkuar edhe detyra në vënde drejtuese, dhe si pasojë, lufta e klasave atje është përtokë. Kjo gjëndje duhet dhe do të marrë fund.

2. Organizata bazë e Partisë duhet të ketë kujdes për këta njerëz, t’i kontrollojnë dhe të jetë në dijeni për veprimtarinë e tyre, t’i izolojë dhe t’i demaskojë hapur kur ata veprojnë. Mendojmë se disa prej tyre nuk duhet të jenë anëtarë të Bashkimeve Profesionale. Në asnjë mënyrë nuk duhet t’u besohen punëra me përgjegjësi. Të ndiqet, jo vetëm aktiviteti politik i tyre, por edhe ai moral etj.

3. Organizatat bazë të Partisë të përgjigjen për këta njerëz, jo vetëm për aktivitetin e tyrë në qëndrën e punës, por edhe në lagje dhe në jetën e tyre private, duhet të bëjnë që ata të jenë të padëmshëm.

4. Me këtë rast shtrojmë edhe çështjen e disa të përjashtuarëve nga partia. Në qytetin tonë ka 726 të tillë, një pjesë e të cilëve, rreth 221 veta janë përjashtur për çështje politike. Kemi verejtur se organizatat bazë nuk janë përherë në dijeni për këta njerëz dhe nuk ndjekin veprimtarinë e tyre. Kjo gjëndje duhet të ndryshojë, organizatat bazë duhet të trajtojnë edhe këtë çështje me frymën që u tha më lart me gjithë vëmëndjen e mprehtësinë e luftës kundra elementëve armiq të partisë.

5. Këto masa duhet të ndihmojnë përgjithësisht punën që kemi filluar për të përmirësuar gjëndjen e brendëshme në kryeqytet, për të forcuar luftën klasore dhe vigjëlencën e organizatave bazë të partisë, për t’u mbyllur rrugën fenomeneve negative që vërehet në jetën e disa njerëzve në qytetin tonë, si vagabondazhi, imoraliteti, degjenerime të llojeve të ndryshme.

Këto masa do të përmirësojnë gjëndjen dhe luftën e partisë. Ne jemi të vendosur që t’i çojmë ato deri në fund prandaj e ngremë këtë çështje para Komitetit Qëndror dhe kërkojmë ndihmën e tij.

SEKRETARI i I-rë K.P. të QYTETIT TE TIRANES

(Manush Myftiu)

Shënim: U bisedua me shokun Sofokli Papavasili që ta zgjidhi këtë çështje me Gjykatën e Lartë sipas rregullave dhe conform ligjeve. 9.12.1966 Lefteri (Goga)

LETRA NGA FIERI PER DEBIMIN E AVOKAT NAFIZ BEZHANIT

Por gjatë periudhës së regjimit komunist në drejtim të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe Komisionit të Internim Dëbimeve që kryesohej nga Manysh Myftiu, vinin edhe mjaft propozime nga të gjitha rrethet e vëndit. Një prej tyre është dhe ky relacion që po botojmë në këtë shkrim, ku sekretari i parë i Fierit, njofton Komitetin Qëndror të PPSH-së, mbi çështjen e tre të internuarëve që ndodheshin në atë rreth, duke i propozuar që t’i largonin që andej, pasi konsideroheshin persona me të kaluar armiqësore që vinin nga familje reaksionare dhe vazhdonin të mbanin qëndrim të keq edhe aty në internim. Një prej tyre, është Nafiz Bezhani, avokati dhe jurist i njohur që në vitet 1998 kryesoi për disa vjet Komisjonin Shtetëror për Pastërtinë e Figurave.

PARTIA E PUNES SHQIPERISE “SEKRET”

KOMITETEI I PARTISE SE RRETHIT Fier, më 4. X. 1966

Nr. Prot. 594 Ekzempalr. Nr 1

KOMITETIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE

(Sektorit të kuadrit) TIRANE

Në rrethin tonë ekziston një grup avokatësh, shumica e të cilëve janë me përbërje të keqe politike. Plus atyre që kishim, kohët e fundit, kanë ardhur dhe dy të tjerë, të cilët janë akomë dhe më të këqinj, konkretisht:

1.Vlashi Gjergji, i dënuar me burgim të përjetshëm me grupin e deputetëve, dhe liruar para afatit. Kohët e fundit erdhi në Fier i transferuar nga rrethi i Përmetit. Mesa kemi dëgjuar dhe në burg dhe në Përmet, ai nuk ka mbajtur qëndrim të mirë.

2.Nafiz Bezhani, ka ardhur nga Tirana këtë vit, me sa dimë (sepse nuk kemi asnjë dokument për ta) është element i përjashtuar nga partia. Gjatë kohës këtu ka përshpëritur “më zuri plumbi i burokracisë”. Mban qëndrim shumë kë keq në gjyq, duke luftuar që me fraza të bukura dhe me pasion të fitoj klientë. Në një gjyq të hapët në Libofshë, lidhur me një vrasje, me qëllim që të fitonte nam gjatë mbrojtjes se kriminelit, u mundua që ta diskretitonte viktimën duke arritur në banalitete dhe absurditete në sy të masës. Bile bëri çmos që të diskretitonte dhe trupin gjykues dhe mjekët e ekspertizës.

3. I tillë element i keq është dhe avokat Dhimitër Miçaço (ka qenë që më parë), sepse asnjë mbrojtje të ligjës nuk mund të pritet prej tyre. Me këtë rast dëshirojmë të shprehim mendimin tonë se na duket e padrejtë që këta pa pyetur dhe pa marrë pëlqimin nga asnjë organ i partisë apo pushtetit në rreth.(Për dy të parët që kanë ardhur këtë vit, nuk na ka vënë ansnjë në dijeni).

SEKRETARI I KOMITETIT PARTISE SE RRETHIT

(Sofokli Papavasili)

Lini një Përgjigje