Nga Ervin Qafmolla
Ndërsa mesdita përcëlluese e verës në Tiranë godet fasadat e ndërtesave, duke rrëshqitur vitrinave, për t’u lëpirë më pas trotuareve, nga ku reflekton mbi njerëzit që lëvrijnë në mizëri për t’i shpëtuar zhegut, një grup punonjësish zyre ndalen ndanë semaforit.
Vajzat kanë veshur përkatësisht fustane dhe pantallona të shkurtra, ndërsa dy djemtë kanë pantallona të gjata. Njëri prej tyre dukshëm po vlon brenda kodit të veshjes dhe thotë që mezi po pret të përfundojë dita e punës për t’i ndërruar pantallonat e gjata me një palë të shkurtra.
Është ende qershor dhe megjithëse bën seriozisht vapë, korriku, terrori i vërtetë zjarrmues në kryeqytetin mesdhetar të Shqipërisë, ende nuk ka mbërritur. Megjithatë, disa mund ta ndjejnë që tani në lëkurë përvojën sa imagjinare aq edhe të pashmangshme të pantallonave që zhvoshken ngadalë nga kofshët e mes pulpave të djersitura në darkë, si një mekanizëm primitiv torture.
Është interesante të vëzhgosh sesi vlimi për së gjalli mes pantallonave në pothuajse 40 gradë celsius, përjashto ato vende pune ku burra e gra pavarësisht duhet të paraqiten të kollarisur, është një ndëshkim që u rezervohet vetëm burrave.
Ndërsa në shume vende pune gratë lejohen të vishen me fustane, pantallona të shkurtra dhe kanotiere, ekspozimi i ngjashëm i trupave të burrave konsiderohet i papajtueshëm me konvencionet etike dhe rregullative.
Ndasitë gjinore në formalitetet e veshjes të kohëve tona janë të dukshme edhe në nivel estetik. Pulpa leshatore e burrit është një pamje që prodhon krupë e llahtar; barku babaxhan i birrës dhe sisët çapkëne nën hartat e këmishës së djersitur, janë objekt neverie dhe përtalljeje universale.
Për ta ilustruar më tej këtë fetish të kultivuar si konstrukt shoqëror: Imagjinoni kërthizën leshatore të një mashkulli, ku qimet spiralojnë rreth humnerës simetrike, të ndritshme mes bulëzave të djersës; dhe pikërisht atje, në mesin e xhunglës së harlisur ku buçet jaguari dhe thërrasin papagajtë, shfaqet një piercing si tempull ku keratina e kulprës amazonike gërshetohet mes ujërash me shkëlqimin e stolisë.
Ky përshkrim është i destinuar të provokojë lebetinë e lexuesve, përfshi të atyre që punojnë në departamentet e Burimeve Njerëzore nëpër organizata të ndryshme. Ndaj është e kuptueshme, mungesa e empatisë nëse u thuhet se standardi i dyfishtë dhe ngurtësia e treguar ndaj kodeve të veshjeve për burrat edhe në pikun e vapës është e paarsyeshme.
Objektifikimi i gruas përgjatë historisë bashkëkohore, por edhe idealizimi i saj erotik në çdo art e kohë – kjo edhe sepse shumica e artistëve kanë qenë burra – kanë kontribuar në bërjen e trupit femëror një standard bukurie sipëror, përkundër atij mashkullor, duke u ngulitur kështu në kulturën mbarëpopullore.
Për shembull, ka gra të bukura por burra të pashëm. Ndërsa hiret fizike femërore kualifikohen kollaj për një sonet, fiziku mashkullor, në rastin më të mirë, mund të shihet me sy. Burrat priret të çmohen më shumë për nga cilësi të karakterit, por edhe në kontekstin e barazisë gjinore dhe intelektuale, fiziku mashkullor ka mbetur i veshur në tabu.
Këto konvencione janë, po ashtu, norma të trashëguara patriarkale dhe zgjatime të traditës abrahamike në Europë. Megjithatë, nëse si rrjedhojë e evoluimeve shoqërore kemi arritur të zhveshim gruan, kjo nuk do të thotë se duhet t’i mbajmë burrat mbuluar. Ky shqetësim praktik i shumë burrave sot, shërben edhe si metaforë e një reflektimi më të gjerë dhe simbolik mbi barazinë gjinore.
Nga njëra anë, burrat janë vetë viktima të traditës patriarkale, dhe në tjetrën, duhet po ata vetë të vetëdijesohen dhe të ngrihen për të rivendosur të drejtat e tyre shëndetësore, estetike dhe erotike. Por kultura dhe historia janë spiranca të rënda, sa kohë disa evolucione stilistike, qofshin edhe të mbrapshta, mund të jenë fort të vështira për t’u përmbysur.
Ka qenë një kohë kur burra dhe gra vishnin “fustanet” përkatëse. Rehatia, higjiena dhe prakticiteti janë vetëm disa prej përfitimeve të një rrobe që mbulon ekspozimin e padenjë dhe që mbron nga elementët, por nga ana tjetër, lejon liri.
Është një tregim zbavitës ai sesi pantallonat, ato të gjatat në veçanti, u bënë i vetmi format universalisht i pranueshëm për veshjen mashkullore në Perëndim dhe më gjerë, duke varrosur një herë e mirë lirinë që dhuronin fundet e fustanet.
Vlen të përmendet që ky eksplorim nuk buron thjesht nga kërshëria apo gjakime doktrinare, por edhe nga arsye të thjeshta fiziologjike dhe shëndetësore. Testikujt kanë një temperaturë rreth dy gradë më të ulët se pjesa tjetër e trupit, dhe temperaturat më të larta ndikojnë negativisht te spermatogjeneza, duke cenuar aftësitë riprodhuese mashkullore.
Por edhe pse pantallonat kanë potencialin e një dëmi real mbi shëndetin e burrave, janë normat e etiketës dhe konvencionet estetike ato që dominojnë në realitet. Ironikisht, pantallonat janë përdorur fillimisht për arsye praktike dhe funksionale.
Sipas zbulimeve më të lashta, rreth 3,000 vjet më parë, ato rezultojnë të jenë veshur mes kalorësve aziatikë, burra dhe gra, që kalonin periudha të zgjatura mbi shpinën e kuajve. Gjithashtu, pantallonat gjetën një përdorim të spikatur edhe në fushëbetejë, duke rezultuar më praktike sesa togat.
Deri në mesjetë, fundet e burrave ruajtën vendin e tyre në shoqëri, krahas përdorimit më të shpeshtë të pantallonave për arsye ushtarake dhe profesionale. Por diku me shekujve 14-15, historianët vërejnë një konformim të paraqitjes mashkullore – fillimisht ndër fisnikët – për të veshur thuajse ekskluzivisht pantallona.
Ka disa arsye për këtë zhvillim, por kryesoret mbeten moda dhe evoluimi i rrobaqepësisë. Rezistenca ndaj pantallonave si kod universal i veshjes mashkullore vazhdoi deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur njerëzit e klerit, akademisë dhe artistët vazhduan ta jetësonin dashurinë e tyre për fundin burrëror.
Megjithatë, në shekullin e 19, pantallonat u bënë standard i paraqitjes dhe identifikimit si burrë – ndërsa për gratë konsideroheshin ende të pahijshme – dhe nga aty, kursi i historisë patriarkale i syrgjynosi vetë burrat pa të drejtë zgjedhje mes dy tubash që bashkohen rreth belit, pa lejuar as edhe një dritare ventilimi.
Kështu ndodhi që edhe në vendin e shqipeve dhe fustanellave, kreshnikët e sotëm janë shtrënguar t’u vlojnë testikujt dhe shpirtrat në furrat normative të një mode të dëmshme dhe me kufizime në zbatime estetike.
Ndërsa rigjetja e fustanit për burra mund të jetë një mision me fizibilitet të diskutueshëm dhe rimëkëmbja e erotikës mashkullore do të kërkojë ende kohën e vet, beteja për pantallonat e shkurtra duhet të nisë pa humbur kohë.
Disa raste domethënëse të rebelimit të burrave kundër diktatit në veshje, janë dokumentuar edhe në media gjatë kohëve të fundit. Në vitet 2015 dhe 2017, janë regjistruar të paktën dy raste kryengritjesh në shkollat britanike, kur nxënësit meshkuj u paraqitën të veshur me funde në protestë ndaj moslejimit të pantallonave të shkurtra. Madje disa syresh pohuan se fundet ishin edhe më të freskëta dhe të rehatshme nga sa kishin menduan, duke ua kaluar edhe pantallonave të shkurtra.
Në të njëjtin vit, një tjetër hero i barazisë gjinore doli në skenë, kur u paraqit në punë me pantallona të shkurtra duke sfiduar haptazi kodin e veshjes. Ky punonjës i një qendre thirrjesh (call centre) në Aylsebury të Anglisë, ngriti të njëjtin pretendim që shumë burra në botë kanë kohë që e ngrenë: Nëse gratë mund të veshin funde/fustane në punë, përse burrat nuk mund të veshin pantallona të shkurtra?
Nuk ka asnjë dyshim se të paktën në këtë rast, burrat janë viktima të pabarazisë dhe diskriminimit gjinor; ata janë viktima të vetvetes. Dhe të paktën në këtë fushë, burrat shqiptarë nuk kanë pse të presin importimin e modeleve sakaq të deformuara perëndimore mbi kodet e veshjes, por ata vetë duhet të jetësojnë të drejtat e tyre shoqërore dhe riprodhuese.
Ja vapë ja liri!
(Kushtuar departamenteve të burimeve njerëzore)
Shkrim idiot.
Nuk kuptova se cfare lidhje kishte me Tiranen ky artikull.