Nga Altin Ketro
Politika shqiptare është futur në tri rebuse vetëvrasëse: Presidencial, Kryeministror dhe Opozitar. Kjo vjen sepse palët politike, dikush më shumë e dikush më pak, kanë marrë vendime ekstreme dhe i kanë qëndruar kaq shumë mbrojtjes së tezave të tyre saqë tashmë e kanë të vështirë të tërhiqen.
Më i fundit ishte vendimi i presidentit Meta për të anuluar procesin zgjedhor me idenë e caktimit të shtyrjes së tyre në një datë të mëvonshme për të arritur një kompromis midis mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare.
Duke qenë se këtë vendimmarrje presidenti Meta e ndërmori pa konsulta me faktorët politikë, tani ai përballet me një një handikap ku, nëse i cakton zgjedhjet në periudhën 15 shtator deri 30 nëntor 2019 shkel Kushtetutën pasi i lë në detyrë kryebashkiakët aktualë përtej afateve kushtetuese, ndërsa po i caktoi në periudhën 7 apo 14 korrik mund të jetë brenda afateve kushtetues, por është jashtë afateve ligjore të Kodit Zgjedhor të cilat nuk e njohin këtë periudhë.
Për shkak të dekretit presidencial që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit, Kuvendi miratoi një Rezolutë që e detyron presidentin t’u përmbahet afateve të caktuara më herët prej tij. Kjo Rezolutë, cila u votua me një shumicë kushtetuese prej 100 votash, është e detyrueshme për zbatim nga Presidenti, për sa kohë Shqipëria është republikë parlamentare.
Por ky miratim kuvendor me një shumicë që tejkalon numrin 94 të votave, aq sa duhet për ta shkarkuar presidentin, e ka vënë këtë të fundit në vështirësi. Tashmë, çdo tërheqje e tij për të respektuar jo vetëm ligjin po edhe Rezolutën, pra për të lënë 30 qershorin si datë ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve, do t’i konsiderohet si tërheqje nga frika e shkarkimit. Në planin politik kjo do të ishte dërrmuese për imazhin e tij, gjë që duke njohur karakterin e Ilir Metës, dyshoj se ai do t’ia lejonte vetes.
Kjo për faktin se ai nuk është në mbyllje të karrierës dhe një njollë e tillë do të kishte efekte jo vetëm në të tashmen e LSI-së, por edhe në të ardhmen e tij kur të lërë selinë presidenciale e t’i rikthehet krijesës së tij politike. Ky rebus, sa ligjor aq dhe politik, ku e ka futur veten presidenti, vjen për shkak se ai nuk është mbi palët, por njëra nga palët. Si i tillë ai duhet të zgjedhë midis djegies ligjore apo asaj politike. Këto janë nga ato rebuse që në çdo variant janë vetëvrasës.
Në rast se presidenti, në kushtet e hapave të gabuara që ka hedhur, do kërkojë që ta gjejë shpëtimin vetëm tek shkelja e Kodit Zgjedhor, duke caktuar si datë zgjedhjesh datat 7 ose 14 korrik, ai fut në rebus politik Lulzim Bashën. Ky i fundit është betuar se nuk futet në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Data 7, 14 apo qoftë edhe 21 korrik mund t’i japin të drejtën PD-së e LSI-së të futen në zgjedhje, por i ndjeg ato politiksht në sytë e elektoratit të tyre, nëse e hedhin këtë hap.
Retorika e vrazhdë politike e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për mos hyrje në zgjedhje me Ramën kryeministër dhe pa formimin e një qeverie tranzitore, ka shkuar kaq larg, saqë jo vetëm ata, por kushdo e di tashmë që çdo tërheqje nga ky përbetim, mund të ketë efekt vetëm nëse ata marrin përgjegjësitë mbi vete, japin dorëheqjen dhe lënë dikë tjetër t’i udhëheqë partitë e tyre në zgjedhje. Ja pra edhe një rebus i ngatërruar, që nuk mund t’i jepet zgjidhje për shkak të atyre që e çuan vetë në këtë pikë.
Rebusi i tretë, i përket kryeministrit Rama. Dihet që ai i qëndron fort datës 30 qershor si datë kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve. Nga dy rebuset e vështira të Metës dhe Bashës, ky i Ramës është më i lehti për t’i qëndruar fjalës, sepse ai është brenda parametrave ligjorë. Dhe, kur je i bazuar në ligj, e drejta është gjithnjë nga ana jote. Por, rebusi i kryeministrit Rama është funksioni i tij si shef i qeverisë. Pra çelësi i zgjidhjes së ngërçit me opozitën i bie që të jetë lënia e detyrës prej tij. Vetëm se PD-ja nuk është mjaftuar me kaq, por kërkon komplet rrëzimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Shpesh në politikë thuhet që më i forti, pra qeveria, duhet t’i hapë rrugë më të dobtit. Por, për fatin e tij të mirë, Edi Rama e ka bërë njëherë këtë gjë. E bëri me kokë të vetë pa asnjë konsultim me Partinë Socialiste, bile e vuri atë përpara faktit të kryer. Pas marrëveshjes së 17-18 majit 2017, ai ishte kryeministër vetëm de juro, sepse si kryeministër de fakto për periudhën, para, gjatë dhe pas zgjedhore Shqipëria pati zonjën Ledia Mandia, propozim i PD-së. Ajo udhëhoqi një qeveri tranzitore me shumicë vendimmarrëse nga opozita PD-LSI.
Një kthim në këtë format, bile me Ramën jashtë qeverisë, do të ishte një goditje shumë e rëndë politike për Partinë Socialiste, sepse elektorati i saj i madh do zhgënjehej, gjë që do reflektohej në vota të humbura. Kjo për faktin që, nëse në vitin 2017 e gëlltiti atë tolerim të Ramës duke ia falur dhurimin e qeverisë që ai i bëri opozitës, sot e ka shumë të vështirë ta bëjë duke qenë se kjo opozitë ka 8 herë që i ka shkuar mazhorancës me molotov tek dera. Një zbythje e Ramës përballë një Luli revanshist, do kishte efekt bumerang për PS-së, prandaj ky rebus për kryeministrin Rama është i vështirë.
Ama, ka edhe një mënyrë për ta zgjidhur krizën, por që dikush do marrë përgjegjësitë. Mazhoranca, për hir të kompromisit dhe për ta nxjerrë nga qerthulli zotin president, mund të ndryshonte Kodin Zgjedhor për të të lejuar zhvillimin e zgjedhjeve për periudhën 7, 14 apo 21 korrik 2019. (kujdes: Ndryshimi i Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të të zgjedhurve aktualë përtej 4 viteve nga momenti i betimit, do të ishte marrëzi dhe kushdo që do ta votontë këtë gjë duhet mbyllur në spital psiqiatrik). Mund të ndryshonte në këtë Kod edhe afatet e regjistrimit të partive në zgjedhje. Mund të bëhej një kompromis që edhe nëse zgjedhjet zhvillohen më 21 korrik, votat të numëroheshin shpejt, pa tensione dhe pa apelime në Kolegj, me qëllim që rezultati të dilte brenda datës 1 gusht 2019.
Nga kjo ofertë shpëton ligjërisht zoti president, shpëton moralisht Edi Rama, por humbasin politikisht Luli dhe Mona. A janë të gatshëm Basha e Kryemadhi që t’i japin zgjidhje krizës për hir të Shqipërisë, duke u deklaruar publikisht për këtë gjë? Unë besoj se jo. Megjithatë, shpresa vdes e fundit. Të shohim.
(TemA)
Sot dimë që PS ka rrëmbyer çelsat e vëndit në poste kyçe, por s’dimë kush e udhëheq PD-në. Menduam që pas zgjedhjeve të rregullta të 2017 – ës., PD do ndryshonte kryetar dhe do vazhdonte punën në parlament dhe zgjedhjet vendore.
“rebuse” ???????!!!!!!!!