Mazhoranca dorëzon firmat për shkarkimin e presidentit Meta

17 Qershor 2019, 09:49Politika TEMA

Kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla ka dorëzuar në Kuvend 55 firmat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Sipas Ballës, anulimi i datës 30 qershor dhe mos caktimi i një date tjetër, i mohon të drejtën  sovranit për të qenë i tillë dhe ky është një hap që zhbën autoritetin sovran.

“Nëpërmjet këtij akti të presidentit,- tha deputeti i PS-së, – është shënuar dalja përtej kompetencave”.

Gjatë fjalës së tij, deputeti Balla tha se presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta ka nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të qeverisjes vendore, që është 30 qershori.

“Në përmbushje të realizimit të zgjedhjeve janë ngritur KZAZ, përgatitur dhe shpallur listat e zgjedhësve, është kryer regjistrimi i partive, janë depozituar listat e ka filluar fushata.

Ndërkohë që ka filluar procedura zgjedhore, presidenti ka nxjerrë dekretin për shfuqizimin e zgjedhjeve më 30 qershor 2019.

Arsyet e dhëna nga presidenti kanë të bëjnë me shqetësimin e thellë për situatën politike, se kushtet aktuale s’do siguronin zgjedhje të vërteta gjithëpërfshirëse, bindjen se kjo është mënyra që ndihmon në zgjidhjen e krizës dhe se mbështetet në Kushtetutë.

Kjo bie në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese.

Së pari, është cenuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli. Sovraniteti i takon popullit e ushtron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet të zgjedhurve të tij.

Në këtë kuptim i ka hequr sovranit të jetë i tillë. Anulimi i datës 30 qershor dhe mos caktimi i një date tjetër mohon të drejtën e sovranit për të qenë i tillë. Kjo është një hap që zhbën autoritetin sovran.

Nëpërmjet këtij akti të presidentit është shënuar dalja përtej kompetencave. Sovrani ka përcaktuar se kur do të mbahen zgjedhjet”, tha Balla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje