Partizani prezanton trajnerin e ri, Rama: Zgjedhja e duhur; Lerda: Krenar që jam këtu!

17 Qershor 2019, 11:22Sport TEMA

Tashmë është zyrtare. Franco Lerda është trajneri i ri i Partizanit. Të kuqtë kanë zgjedhur pikërisht një italian si pasues të Skënder Gegës në stolin e skuadrës.

Në një konferencë për shtyp të organizuar në zyrat e klubit të kuq paraditen e sotme, drejtori i përgjithshëm i Partizanit Olsi Rama prezantoi trajnerin e ri, ndërsa shtoi se Partizani do të jetë gati për të bërë një figurë sa më të mirë në kualifikueset e Champions League.

Për Ramën Lerda ishte zgjedhja më e mirë për Partizanin nga të gjithë trajnerët që kanë qenë në garë për të marrë drejtimin e të kuqëve për shumë arsye dhe drejtori u shfaq i bindur se skuadra me italianin në stol do të shkojë larg në Champions dhe do të mbrojë titullin kampion në Superiore.

“Është kënaqësi që rikthehemi me titullin kampion si kujtim i bukur. Mbyllëm kampionatin me sukses dhe falënderimi i shkon stafit dhe trajneri Gega për kthimin e titullit pas 26 vitesh. Gjithashtu falënderoj stafin teknik dhe lojtarët që erdhën ne fillim dhe u shtuan.

Hapet një sezon i ri dhe histori e re. Pas një rruge të gjatë dhe largimit të trajnerit për arsyet e tij nisëm kërkimet për trajner të ri në Itali dhe më tej. Pamë tregun dhe për shumë arsye që nuk u gjet marrëveshja dhe besimi që ti linim në dorë ekipin kampion dhe profili që bindi më shumë është Lerda.

Është trajner i ri dhe ka bërë mirë në karrierën e vet. Ka trajnuar në Itali te Leçe e Torino dhe ka bërë mirë. E jemi pyetur dhe jemi interesuar. Dëshira e tij për punë është vlerë e shtuar. Ky trajner vjen me bagazh tekniko-taktik dhe duam të rrisë profesionalizmin e të përmirësojë lojtarët. Shpresojmë te jetë zgjedhja e duhur dhe sfida e parë është ajo e Championsit.

Direkt do të iki te shorti i Championsit dhe sido të jetë puna do të jetë ndeshje 11-11. Do të japim maksimumin dhe ekipi pas ditës së sotme do niset për Slloveni. Kemi ekip të plotësuar deri diku. Kanë ardhur të rinj dhe do të bashkohen disa të tjerë në Slloveni”, tha Rama.

Ndersa Lerda u shpreh:

“Për mua është kënaqësi të jem këtu në këtë vend të ri. Vend i cili është i afërt edhe nga ana kulturore me Italinë. Jam krenar që do të përfaqësoj këtë klub. E njihja si klub se ndjek kampionatet, por e njihja gjithsesi. Objektivi ynë primar është të përgatitim ndeshjet e Champions, i pari është të përgatitim sa më mirë ndeshjen. Duke folur me Olsin dhe presidentin, objektivi ynë është të krijojmë mentalitet stil e imazh për skuadrën. Nëpërmjet punës, idesë së futbollit për rritjen e tij.

Fakti që është kampion është krenari për mua. Do të mundohemi të ruajmë statusin e kampionit pasi primare është të rijmë para. Por çdokush ka stilin e tij të lojës. E di që nuk është e lehtë por do të mundojmë të bëjmë më mirë. Komplimenta trajnerit të mëparshëm se ka bërë diçka të rëndësishme sepse klubi nuk fitonte prej shumë kohësh titullin dhe e ktheu.

Do të punojmë, nuk mund të flas për italianët para meje. Secili ka stilin e tij të interpretimit të gjërave, gjithçka bëhet nëpërmjet punës. Nuk ka gjë të lehtë në jetë. Projekti që më ka treguar Olsi e presidenti është ambicioz. Unë jam ambicioz. Vij në një realitet të panjohur por ekzistojnë mundësitë për të eliminuar ato që cilësohen si pengesa.

Unë kam drejtuar edhe shqiptarë në Itali si Memushaj e Çani, të cilin e bëra unë të debutonte. Tani kemi një avantazh. Por vetëm puna praktike në krahasim me klubet e tjera shqiptare do më japë përgjigje. Futbolli ne Shqipëri, Rusi, Kinë është në fushë, një raport klub shoqëri lojtarë. Gjithçka varet nga puna, fusha dhe strategjia që do të mundohemi të arrijmë”, u shpreh Lerda.

Lerda ka firmosur një kontratë 1-vjeçare me Partizanin ndërkohë që kjo është ekpserienca e parë jashtë Italisë për 51-vjeçarin, i cili në të kaluarën e tij ka drejtuar kryesisht skuadra të Serie B.

Lerda ka qenë trajner i Torinos dhe Lecces por pa mundur t’i ngjisë këto skuadra në Serie A dhe në fund gjithmonë është shkarkuar. Ai është trajneri i 4-t italian i Partizanit në epokën e presidentit Demi, pas Andrea Agostinellit, Adolfo Sormanit dhe Mark Iulianos.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje