Marrëveshja me World Vision, AlbChrome mbështet fëmijët me nevoja të veçanta

18 Qershor 2019, 16:00Sociale TEMA
Marrëveshja me World Vision, AlbChrome mbështet fëmijët me

AlbChrome, kompania lider në prodhimin dhe eksportimin e ferrokromit në Shqipëri ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën World Vison Albania.

Në këtë kuadër, AlbChrome do të mbështesë programin social “Tungjatjeta” në Dibër, me një kontribut financiar prej 8000 eurosh. Ky kontribut do të shkojë në përfitim të fëmijëve me aftësi të kufizuara nga komuniteti i Rrethit Bulqizë, që do t’i bashkohen grupit të fëmijëve përfitues të njësisë “Tungjatjeta”, Dibër.

Gjithashtu AlbChrome, në suazën e politikave të Grupit Balfin për Përgjegjësinë Sociale, të cilave u është kushtuar gjithnjë një përkujdesje e veçantë nga Presidenti i Grupit, Z. Samir Mane, do ta mbështesë këtë OJQ edhe me 6500 euro të tjera për të sponsorizuar ndërtimin e “Hapësirës zhvillimore” në Bradashesh, Elbasan, nga e cila përfitojnë 380 fëmijë.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtori Ekzekutiv i AlbChrome Luan Saliaj tregoi mjaft ndjeshmëri për fëmijët në fjalë dhe e vuri theksin edhe te trajnimi që u duhet bërë kryesisht prindërve tyre, në mënyrë që ata të jenë të informuar dhe të edukuar për të patur qasjen e duhur për të miturit me nevoja të veçanta.

Trajnuesit e fëmijëve kalojnë vetëm një orë në ditë me këta të fundit, ndërkohë që prindërit kalojnë kohën më të madhe me ta, ndaj duhet që të punohet më shumë me prindërit në mënyrë që ata të jenë në gjendje që të bëjnë të mundur tejkalimin e problemeve të fëmijëve të tyre, çka në mjaft raste është plotësisht e mundur” – tha Z. Saliaj.

1 në 10 fëmijë në Shqipëri ka një aftësi të kufizuar. 92% e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk kanë akses në shërbime. Sot falë bashkëpunimit me AlbChrome sh.p.k, ne u japim mundësinë fëmijëve të tjerë në Bulqizë që të bëhen pjesë e “Tungjatjeta…Jetë”, duke i ofruar atyre shërbim të specializuar në shtëpi. Ekipi i specialistëve harton një plan individual zhvillimi për fëmijët dhe për familjet e tyre”– u shpreh sot Eljona Boçe Elmazi, drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit.

Kjo është vetëm një ndër nismat e shumta të Grupit Balfin në mbështetje të komuniteteve dhe njerëzve në nevojë të planifikuara për këtë vit dhe ato në vazhdim.

Grupi Balfin ka qenë mjaft i angazhuar në përgjegjësinë sociale gjatë tre viteve të fundit dhe kompania ka shfaqur një vëmendje të posaçme për kategori të ndryshme familjesh apo individësh në nevojë. Nën kujdesin e veçantë të presidentit të Grupit Z. Samir Mane, janë të shumta historitë e trishta, të cilat grupi është përpjekur që t’i ndryshojë për mirë.

Kompania po mbështet dhjetëra familje që përballen me vështirësi në punësim, shkollim apo asistencë mjekësore nëpërmjet shoqatave dhe organizatave të ndryshme.

Kontributi i Grupit për shoqërinë shqiptare do të vijë duke u rritur progresivisht nga viti në vit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje